“E prisnim ta uronim”, matematicieni ndahet nga jeta në ditën e lindjes. kolegët: E mbrojti Akademinë në kohë të vështira

May 12, 2020 | 17:21
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Ditën e djeshme, Akademia e Shkencave ishte përgatitur për t’i festuar datëlindjen, por një sëmundje e rëndë ia ndërpreu jetën në mënyrë të papritur akademikut Gudar Beqiraj. U largua nga kjo botë në moshën 72-vjeçare një nga figurat më të spikatura të shkencës në Shqipëri, i formuar brenda vendit, në Francë e Itali, që dha kontributin e tij të pashlyeshëm në fushën e matematikës dhe informatikës.

96587415_3007120862681151_3374754137466994688_n

Akademiku, siç kolegët tregojnë, nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet deri në muajt e fundit të jetës. Gjurmë të bardha, krahas aktivitetit shkencor, ai la ndër vite edhe në pozicionet drejtuese, si zëvendëskryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave, drejtues i Institutit të Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar, dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit pranë UPT etj.

Figura e Beqirajt është mjaft e lidhur edhe me sportin e peshëngritjes. Edhe në këtë fushë, ai i ngjiti shkallët gradualisht, fillimisht si anëtar i ekipit “Studenti”, mandej si arbitër kombëtar, president i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, duke fituar deri edhe Urdhrin Olimpik, dhënë nga Komiteti Olimpik Kombëtar.

Shaban Sinani: Njeriu, që aq shumë e deshi Akademinë

“Dhimbje për humbjen e njeriut që aq shumë e deshi Akademinë, që bashkoi tri përmasa të mëdha: shkencore, drejtuese dhe njerëzore. Pasionant në zgjedhje dhe model i modestisë akademike; njeriu që mori përgjegjësi kur duhej dhe lejoi shtigje të lira për të tjerët në momentin e duhur, iku papritur në ditën kur ishim përgatitur për ta uruar”.

Sekretari shkencor i ASH-së, akademiku Shaban Sinani, e veçon kolegun Gudar Beqiraj si një njeri të interesave të mëdha shkencore. Ai tregon se Beqiraj punoi fort për ta mbajtur në këmbë institucionin më të madh të shkencave, sidomos në kohërat më të vështira.

“Kujtoj këtu vitin 1992, kur buxheti ishte minimal. Në atë periudhë, ai ishte drejtor i Institutit të Matematikës së Zbatuar, që sot nuk e di ekziston apo jo, dhe duke lidhur kontratë me institucione europiane, arrinte të siguronte të ardhura jo vetëm për institucionin e vet, por edhe për Akademinë e Shkencave, madje edhe për buxhetin e shtetit”, thotë akademiku. Sinani ndalet edhe te kontributi shkencor jashtë vendit, duke shprehur keqardhjen që pjesa më e madhe e veprimtarisë së tij mbetet ende në hije, duke mos u njohur siç duhet e gjitha.

“Ka qenë i ftuar për oponencë në dhjetëra universitete të Francës, Italisë dhe Belgjikës; vlerësues i jashtëm i shumë projekteve konkurrente të BE-së në fushën e matematikës së zbatuar; si përfaqësues i fushës, në të cilën ka ushtruar kërkimin shkencor në shumë forume jashtë vendit, ku edhe në të ardhmen me siguri do të citohet”.

Më tej, ai shton se krahas ASH-së, aktiviteti i akademikut ishte i lidhur edhe me të tjera institucione. “Ka pasur merita të veçanta edhe si drejtues në institucione shkencore, që prej pozicionit të dekanit, deri te rektori, zëvendëskryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave etj. Beqiraj veçohej edhe për pasionet e veta të fuqishme, të cilat e kanë bërë një njeri të njohur e të lidhur me shumë mjedise, sidomos ato kulturore dhe sportive. Mirëpo, sigurisht që ai do të mbetet një nga ekspertët më të mirë të fushës së tij, asaj të matematikës, për të cilën u formua brenda e jashtë vendit”, thotë akademiku.

 Gjinushi: Ishim bashkudhëtarë, me kontribut të pashlyeshëm edhe në informatikë

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, rrëfen se me kolegun Gudar Beqiraj kanë qenë bashkudhëtarë, për sa u përket viteve studentore në degën e matematikës e mandej për punën si kërkues shkencor e akademik. “E njoh prej viteve studentore. Ishim të dy në degën e Matematikës, ai një vit më përpara. Që asokohe, Beqiraj dallonte për dinamizmin e pasionin e vet, qoftë për matematikën, ashtu edhe për sportin”. Mandej, akademiku flet për angazhimin e prof. Beqirajt si informaticien. “Pasi ai u konvertua në informaticien, iu kushtua kësaj kauze dhe ka dhënë edhe aty një kontribut shumë të madh, pasi flitet për zanafillën e informatikës në vendin tonë.

Më tej edhe drejtoi Institutin e Informatikës, prej të cilit dolën breza të tërë specialistësh. Kontributi shkencor i tij qe realisht tepër i madh dhe falë kësaj pune, ai u bë nga punonjës që punonte në ASH, në anëtar i saj, e më tej ishte në pozicione drejtuese si kryetar dhe zv.kryetar.

Beqiraj ka lënë gjurmë jo vetëm si shkencëtar, por edhe si një drejtues i aftë që ka ditur të përballojë situata të vështira në Akademi. Ai ka lënë edhe gjurmë njerëzore, si mik e koleg”. Kryetari i ASH-së ndalet edhe te interesi që ka treguar kolegu i tij për reformën në Akademi. “Ishte mjaft aktiv, si rektor i universitetit, si akademik… por jeta është kjo dhe ne jemi të detyruar të pajtohemi me të”, thotë Gjinushi.

Vaso Tole: Ditë e trishtë

“E donte Akademinë kur s’e deshën dhe qante për të kur e qeshnin”. Zëvendëskryetari i Akademisë, Vaso Tole, e kujton kolegun dhe mikun e tij, Gudar Beqiraj, përmes vargjeve që Noli ia dedikon Shqipërisë. “Ne do ta kujtojmë gjatë për shpirtin dhe përkushtimin që tregoi si nga pikëpamja institucionale, ashtu edhe ajo njerëzore. Ai punoi për të forcuar rolin e shkencës në Shqipëri për ta ridimensionuar atë dhe për të pasur institucione të forta shkencore”.

Tole flet më tej për frymën pozitive e bashkëpunuese që ai tregonte në Akademi: “E fillonte ditën me fjalët: ‘Çfarë të mire do të bëjmë sot?’ Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë; Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar; bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj; dhe ne mikun tonë zemërgjerë si ai”, shton më tej akademiku.

Politika kujton akademikun

Për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj kanë shprehur ngushëllimet e tyre Presidenti Meta dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Me trishtim të thellë mësova lajmin e pabesueshëm të ndarjes nga jeta të akademikut, profesorit dhe mikut tim, Gudar Beqiraj. Një lajm që trishton të gjithë botën akademike, kolegët e tij të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Shkencave të Natyrës, të Informatikës dhe të të gjithë universiteteve, me të cilët punoi dhe bashkëpunoi për një kohë të gjatë me shumë profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë.

Lajmi i sotëm trishton edhe botën e sportit, veçanërisht atë të peshëngritjes, me të cilin ishte i lidhur që në rininë e tij të hershme dhe për të cilin vazhdoi deri në frymën e fundit të kontribuojë pa u lodhur. Ai kontribuoi për modernizimin e këtij sporti dhe arritjet e jashtëzakonshme nëpërmjet metodave të reja dhe frymës inkurajuese për të rinjtë, duke u bërë një shembull dhe model në promovimin e miqësisë dhe solidaritetit olimpik edhe në nivel ndërkombëtar.

Edhe unë humba sot një mik të vjetër, me të cilin, për më shumë se tri dekada kam bashkëpunuar, duke zbuluar tek ai një zemër të madhe, një karakter të fortë, një mençuri largpamëse dhe një kurajë për të marrë vendimet e duhura, gjithmonë në të mirë dhe në dobi të shkencës, të sportit dhe të së mirës së përgjithshme. Ngushëllimet e mia të thella dhe të sinqerta familjes, bashkëshortes Afërditës, vajzës dhe të gjithë të dashurve, të afërmve dhe miqve të tij”, shkruan Presidenti.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçaj, e veçon Beqirajn si një personalitet të shquar të shkencës, kulturës dhe sportit. “Ai ka kontribuar për një kohë të gjatë jo vetëm si shkencëtar, por edhe si kryetar dhe zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka një meritë të padiskutueshme në hartimin e politikave të zhvillimit të shkencës shqiptare, të reformimit të Akademisë së Shkencave, të promovimit të kërkimit shkencor, si dhe institucioneve akademike e universitare të Shqipërisë. Familja humbi njeriun e saj më të dashur, kultura, shkenca dhe sporti shqiptar humbën një përfaqësues të shquar dhe Shqipëria një qytetar të denjë e të respektuar”, shkruan Kryetari i Kuvendit në mesazhin e tij të ngushëllimit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura