E prekur nga historia e shqiptarëve, 20-vjeçarja britanike mbledh fonde për të varfërit

Feb 12, 2016 | 12:11
SHPËRNDAJE

Përmbytjet vdekjeprurëse në Shqipëri kanë nxitur një vullnetare nga Leamington për të mbledhur donacione dhe për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të prekur që tani nuk kanë as një shtëpi.

Laura Kite i erdhi në ndihmë një qendre për fëmijë, në Tiranë shtatorin e kaluar. Ndërkohë që aty ajo u njoh me varfërinë ekstreme të familjeve që jetojnë në kasolle dhe mbijetojnë duke ngrënë vetëm një vakt në ditë.

20-vjeçarja ka mbajtur kontakte me shumë prej atyre që u takua gjatë periudhës kur punonte vullnetarisht në vendin e varfër, dhe është tronditur kur dëgjoi dëmet që kanë krijuar përmbytjet në këtë zonë. Të paktën tre persona janë vrarë dhe mijëra shtëpi janë përmbytur.

permbytje ndihmat

Ish-nxënësja e Kings School High, Laura tha për “Leamington Observer”:

“Të punoje në Shqipëri ishte një përvojë e mrekullueshme dhe që të ndryshon jetën. Njerëzit jetojnë në shtëpi të bëra kryesisht nga mbetjet dhe komuniteti i tyre është i vendosur anës lumit. Unë isha me fat që mu desh të jepja mësin anglisht çdo ditë në një qendër për fëmijë të privuar. Puna atje të bën të kuptosh se sa pak ndihmë marrin ata nga qeveria…Unë jam në kontakt me gratë që punojnë në qendër, pasi kemi zhvilluar një miqësi të madhe, gjatë kohës që qëndroja atje. Kohët e fundit më kanë kontaktuar për të më treguar në lidhje me përmbytjet të cilat kanë shkatërruar komunitetin rom”.

Duke treguar se nuk mundet të injorojë vuajtjet e miqve të saj, Laura, e cila aktualisht është duke studiuar në Universitetin e Birmingham, po përpiqet të mbledhë para për të ndihmuar familjet e prekura nga përmbytjet.

“Kur isha në Shqipëri, fëmijët më treguan komunitetin e tyre dhe unë pashë se sa afër shtëpitë e tyre, kasolle, ishin me lumin. Me fryrjen e lumit janë përmbytur…Fëmijët tani janë pa lodra dhe mjete shkollore në një mjedis shumë të ftohtë. Paratë që unë jam duke mbledhur do të vihen në dispozicion për të ngritur tenda ushtarake të cilat mund t’i strehojnë ata, derisa të rindërtojnë komunitetin e tyre. Gjithashtu do shkojnë për ushqim dhe pije për ta”.

“Këta fëmijë me të vërtetë kanë ndryshuar jetën time dhe unë dua që t’i ndihmoj në çdo mënyrë që unë mundem”.

Laura është duke planifikuar për t’u kthyer në Tiranë pak më vonë këtë vit që të ofrojë ndihmën e saj për ata të cilët i takoi vitin e kaluar.

“Unë kam lënë një pjesë të zemrës sime në Shqipëri, dhe mezi po pres që të takohem me ta përsëri”.

Përkthyer nga “Leamingtonobserver.co.uk”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura