E PLOTE/ Zbardhet debati me dyer të mbyllura në PD! Basha: Berisha do ta shndërrojë PD-në në bunker anti-amerikan për interesin e tij!

Oct 19, 2021 | 22:34
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ U duk sikur mbledhja e Grupit Parlamentar e ditës së djeshme do të ishte një mbledhje rutinë për të vendosur mbi prioritetet politike të javës, por çështja “Berisha” u bë sërish kryefjalë. Ishin deputetët që i janë bashkuar “foltores” së Berishës të cilët u ankuan fillimisht se lidershipi po i mënjanonte pikërisht sepse kishin mbështetur Berishën.

Debati grupi i PD-Basha-BErisha

Deputetët Spaho, Bylykbashi, Shehu, Vokshi etj., përveç rezervave të procedurave që ndjek lidershipi, thanë se po distancohen qëllimisht dhe nuk po angazhohen në çështje të caktuara. Ndërkohë tashmë është e qartë se mosdakordësitë mes Bashës dhe Berishës e kanë ndarë edhe Grupin Parlamentar. Teksa një pjesë ankohej, një pjesë tjetër e deputetëve kanë mbrojtur vendimmarrjen e kryedemokratit Lulzim Basha. Ky i fundit duket se këtë herë ishte përgatitur për t’iu përballur dallgës së sulmeve nga të tijtë brenda grupit dhe pasi doli për disa momente nga mbledhja për t’u rikthyer sërish, kreu demokrat sqaroi edhe një herë se përse e ndërmori vendimin.

Basha u shpreh para deputetëve të tij se vendimin e kishte marrë personal pikërisht për të shmangur atë që po ndodhte në Grupin Parlamentar: ndarjen mes mbështetësve të Berishës dhe të tij. Ndërkohë, këtë herë foli pa dorashka për ish-liderin demokrat. Basha akuzoi Berishën se po e kthen çështjen e tij personale të shpalljes “non grata” nga SHBA në çështje të PD-së. Ndërkohë, Basha ripërsëriti edhe një herë zotimin se ai nuk do të lejojë që të mblidhet asnjë forum i Partisë Demokratike për të marrë në shqyrtim një vendim të SHBA-së.

Ndërsa iu përgjigj edhe sqarimeve të Berishës, i cili thotë se forumi nuk do të shqyrtojë vendimin e SHBA-së, por të Bashës. Sipas kreut të PD-së, Berisha kërkon që ta bunkerizojë PD-në për interesat e tij personalë. Pasi mbajti këtë qëndrim, kreu i PD-së mbylli mbledhjen dhe u largua për t’u takuar me Ambasadorin e Gjermanisë.

DEBATI I PLOTË

Edmond Spaho: Na thoni që do të çojmë të mërkurën ndryshime pa i ditur njeri se çfarë po çoni. Po firmosim një letër pa kokë pa asgjë. Kjo nuk është Partia Demokratike. Ky nuk është modeli që neve na çon në sukses. Ne nuk jemi këtu njerëz pa integritet dhe njerëz që nuk kanë ide. Duhet të jenë gjërat e peshuara mirë. Janë ndryshime kushtetuese dhe s’mund të bëhen sot për nesër. Nuk duhet të ndikoheni nga propozimet e Ramës për organet e vetingut dhe ju ta përdorni në formë shkëmbimi.

Lulzim Basha: Ndoshta jemi keqkuptuar. Këtu ne kemi rënë dakord që këto janë çështjet. Këtë nuk po e them për herë të parë. Ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut normal që duhet të zhbëhen. Për këtë edhe ju jeni dakord.

Tritan Shehu: Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për tri ditë. Ndryshimet kushtetuese duan një proces shumë të gjatë diskutimi dhe vendimmarrjeje. Edhe ne që nuk jemi juristë, duhet ta kemi draftin, sepse mund të konsultohemi me juristët tanë të besuar. Unë nuk firmos një letër që vjen këtu pa kokë, pa asgjë.

Lulzim Basha: Çështjen “Becchetti” e kemi diskutuar. Ata s’e ngritën dhe ne do ta çojmë në Kushtetutë. Në grup nuk do ta diskutojmë nen për nen, por në parim

Tritan Shehu: Jo, nuk bëhet kështu. Nuk mund të vendosni ju një grup dhe ne të firmosim kështu pa konsultuar.

Gazment Bardhi: Grupi Parlamentar është një trupë politike që miraton në parim dhe nuk do të ulemi nen për nen të bëjmë draftin e të themi shtoje këtë e hiqe atë. Teknikalitetet i bëjnë ekspertët, ne biem dakord në parim. I lexojmë dhe nëse kemi diçka në parim, e themi. Por nuk ka ndodhur që të thuhet pse s’na e solle neve. Edhe Mondi e di shumë mirë se ka qenë kryetar grupi se si kanë ardhur letrat këtu dhe si janë firmosur. Kjo u bë për lehtësim që deputetët të mos vijnë disa herë. Nëse ka ndryshime rrugës, firmosim sërish.

Oerd Bylykbashi: Jam dakord me z. Spaho që nuk ka urgjencë. Unë kam qenë pjesë e të gjitha reformave të mëdha që janë bërë dhe s’ka ndodhur ndonjëherë që ne të sillnim amendamentet para se të diskutonim. Nga eksperienca e reformave të mëparshme, në fillim krijohej një platformë dhe diskutohej dhe pasi ezauroheshin diskutimet, atëherë e finalizonim në draft. Kështu e kemi bërë me ligjin për dekriminalizimin, kështu e bëmë për Reformën në Drejtësi, kështu e bëmë me Reformën Zgjedhore. Edhe para tri javësh këtë kërkova, që të kemi një strategji të qartë për reformat. Reformat duhet të bëhen për reformat dhe jo për t’iu përgjigjur Ramës, sepse kështu e dëmtojmë.

Edmond Spaho: Gabim kam bërë që kam vepruar ashtu. Kërkoj ndjesë që kam vepruar ashtu dhe ju duhet të mësoni nga gabimet e mia.

Gazment Bardhi: Mirë bën që kërkon falje, por nuk është ndonjë gjë, sepse kjo bëhet për të lehtësuar punën dhe jo për të fshehur ndonjë gjë.

Dashnor Sula: Ça na tregoni përralla me mbret këtu. Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 bënë të mundur prodhimim e një parlamenti të fortësh dhe paratë u hodhën lumë. Ju jeni dëshmitarë që ne 2009 fituam me brekë nëpër këmbë dhe mezi e bëmë qeverinë me LSI. Dhe janë ato ndryshimet kushtetuese që na sollën këtu. Ndërkohë tani na tregoni jo s’jemi konsultuar jo të lexojmë. Unë kam qenë nga ata që dola kundër në 2008-ën dhe e pagova se nuk u zgjodha më. E megjithatë, unë skam dalur kurrë t’i gjuaj me gurë PD dhe jo si disa nga ju që po i gjuani me gurë madje deri me anti tank. Duhet jemi bashkuar si grup parlamentar përballë Edi Ramës dhe jo të dalim t’i gjuajmë njëri-tjetrit.

Ramadan Lika: Nuk duhet që deputetët të ndahen me njëri-tjetrin. Duhet të funksionojmë si një grup. Duhet të japim ide dhe mirëkuptim dhe të mos kërkojmë llogari. Bashkimi është i domosdoshëm që edhe ne të mos ndahemi jo të Berishës, jo të Bashës. Kush i fryn kësaj i bën një dëm të madh bazës së PD-së.

Luan Baçi: Nuk mendoj se deputetët që i bashkohen “foltores”, Berishës, po i fryjnë përçarjes. Bashkimi vjen edhe nga ajo foltore. Unë me bindje i jam bashkuar foltores. Nuk kam ndonjë detyrim ndaj Berishës. Po ta marrësh nga ky aspekt, mua më ka bërë Lulzim Basha dy herë deputet dhe dy herë kryetar të PD-së në Fier, ndërkohë që me doktorin mund të jem takuar dy tri herë e jo më shumë. Ju që flisni si ushtarë nuk ju shkon. Unë jam ndarë që në vitin ‘90 me ata të rreshtuarit si ushtarë. Ndërkohë, ne që i bashkohemi “foltores” nuk duhet të na shikoni si të huaj e të na mënjanoni. E caktove Jorida Tabakun kryetare për komisionin hetimor dhe s’e kuptova si u zgjodhën deputetët që do të jenë anëtarë. Unë kam bërë denoncime pafund për inceneratorët, detyruam të ndryshonte vendi i inceneratorit në Fier, detyruam të ndryshonte vendimi i Këshillit Bashkiak, ndërkohë që nuk ka asnjë përfaqësues nga Fieri. I kërkova Joridës të isha dhe s’më futi. Ka kolegë të mitë që kanë folur më shumë për inceneratorët dhe ju s’i keni përfshirë.

Sajmir Korreshi: Të gjithë duam të flasim, por nuk është e mundur. Nuk duhet që të mërzitemi. Unë, për shembull, herën e fundit nuk e kisha emrin në listën e folësve, por i dhashë një kapuçino Joridës dhe ia bleva radhën për të folur. Ato vendet janë ndarë. Ne duhet të shikojmë të bëjmë sa është mundësia. Ndërkohë, unë jam i parimit “ai që të emëron, edhe të shkarkon”. Ai që të vë, edhe të heq. Të rrimë e të flasim për problemet e rendit të ditës.

Luan Baçi: Ti fol për veten tënde.

Fation Vizaj: Unë jam dakord me Tritan Shehun që duhen të na vihen në dispozicion draftet dhe ta shohim edhe ne. Ndërkohë jam dakord parimisht për të tria nismat që na u prezantuan. Por ajo që kërkoj është të njihemi edhe ne me draftet, sepse unë dua të jem aktiv.

Lulzim Basha: Po do t’i keni me email deri të mërkurën. Nëse do të keni nevojë për kohë më tepër, më thoni.

Grida Duma: Miq e kolegë, nëse keni vendosur të flisni politikisht dhe hapur, atëherë për këdo që sot këtu thotë “e kemi bërë dhe ne këtë gabim, por po mësojmë nga gabimet e së shkuarës”, u them është gjë e mirë të mësosh nga gabimet e vetes. Por nga gabimet mësohet me vërtetësi, jo me hipokrizi. Të gjithë ne në këtë sallë, përtej fjalës së thënë, ia njohim qëllimshmërinë kujtdo kur ajo është për qëllime ndërtimi apo jo. Dhe po i drejtohem në këtë qasje, edhe asaj ç’ka tha Luani, të cilin e respektoj plotësisht miqësisht. Kam bindjen që Luani më mirëkupton plotësisht kur i them që nëse flasim për probleme të brendshme dhe për bashkim, bashkimi i demokratëve nuk vjen kurrë nga sharja. Kudo të ndodhin takimet e demokratëve në sheshe apo në salla, nëpërmjet sharjes nuk ndodh dot bashkimi. Dhe më kaq do ta mbyll për etikë këtë diskutim. Nga ana tjetër është e drejtë të flitet për demokraci e jam pro asaj që solli Luani përcaktimi dhe vendosja e deputetëve në komisione e më gjerë duhet të rishihet me kolegjialitet. Por të mos shkojmë deri në atë absurd sa ta mendojmë demokracinë pa hierarki. Po, ka një kryetar partia që propozon, ka një trupë që drafton dhe mbi atë draft diskutohet, ndaj diskutimi rifuxhio, ku të gjithë duhet të marrin pjesë që në qelizë dhe pa fusha ekspertize te të gjitha, nuk është as funksional, as demokratik. Së fundi, duhet thënë që ky vendim i sotëm për reformat territoriale dhe elektorale dhe zhbërjen e njëanshme të ndryshimeve kushtetuese që bëri Rama, e bën opozitën udhëheqëse të politikës e mund të theksohet vendimmarrja e mirë e jona.

Flutura Açka: Dëgjova kolegët e mi që folën edhe për “foltoren”, madje se shkonim me zell. Është e drejtë e tyre, ne prandaj jemi Parti Demokratike. Do të kisha shkuar edhe unë po të më kishin ftuar, do të kisha dashur t’i bëja disa pyetje publike z. Berisha. Unë nuk kam qenë pjesë e strukturave, kështu që simpatia ime për të nuk ka lidhje me detyrime, qoka, lidhje apo nostalgji, si e disa të tjerëve këtu. Kam çmuar dhe çmoj kontributin e tij në demokraci, siç kam edhe vërejtje për gabimet e tij. Çështja është se heshtja olimpike këtu mbi “foltoren”, në bazë përkthehet ndryshe. Më pyesin demokratët në Elbasan: me kë je? Me Bashën apo Berishën? Kur më pyesin kështu, vihem shumë ngushtë dhe u them se nuk jam as me njërin e as me tjetrin, ose më mirë, jam me të dy. Jam me PD-në. Po të bëj një step out, shoh se kjo po ndikon shumë në bazë. Për kolegët që janë këtu e që janë përfshirë në këtë gjë, kam vetëm një pyetje: a është berishizmi e ardhmja e PD-së. Ta thonë hapur qëndrimin e tyre këtu, që edhe ne të dimë si të sillemi. A duhet të kthehet PD-ja te berishizmi?

Luan Baçi: Unë PD-në nuk e shoh për të marrë. Unë e shikoj kush na sjell më shumë elektorat. Elektorati më shikoi me PD-në.

Albana Vokshi: Duket sikur ka njëlloj ndarjeje mes deputetëve “të vjetër” apo “të rinj”. Nuk bie dakord me këtë. Nuk duhet të ekzistojë kjo frymë. Jemi të gjithë bashkë, jemi një ekip. Kjo tentativë ndarjeje që po bëhet këtu, nuk na përket. Bëjmë retorikë këtu, në njëfarë mënyre, që të jemi bashkë. Bëjmë sikur nuk e dimë sa e vështirë është situata në terren. Ka ardhur nga lart, por reflektohet poshtë më shumë se lart. Grupi Parlamentar, kryesia e Grupit Parlamentar, nuk duhet të kthehen në gjyqe politike. Gjithsecili duhet të ketë lirinë e fjalës. Ne jemi parti demokratike, me shprehje mendimi të lirë. Nuk duhet të kemi frikë. Dhe ky është forumi që ne duhet të flasim. Dhe më mirë të flasim këtu brenda, t’i themi gjërat në sy, se sa të dalim e të flasim prapa krahëve apo nëpër tavolina, nën tavolina e të bëjmë intriga. Sot po themi disa të vërteta në sy, flasim hapur dhe flasim këtu. Pa frikën që mund të përjashtohemi për një fjalë goje apo mund të bllokohemi apo shantazhohemi. JO! Unë jam kundër! Unë nuk bie dakord me motivacionin e shkarkimit (të Nokës), sepse unë gjykoj që duhet të jemi të lirë për të shprehur mendimin tonë. Pjesa e “foltores” mendoj që gjithsecili prej nesh është i lirë të zgjedhë të shkojë në foltore ose jo. Z. Berisha është thënë që është përjashtuar përkohësisht nga Grupi Parlamentar, por ai është lideri historik, është anëtar i Këshillit Kombëtar, pra çfarë të keqeje ka që të ndjekim foltoret? Pse duhet të gjykohemi apo të bëhemi armiq pse dikush shkon e dikush nuk shkon? Është zgjedhje! Jemi parti demokratike!

Agron Gjekmarkaj: Unë nuk ia dal asnjëherë të jem asnjanës në ngjarjet e këtij vendi e as në ngjarjet në PD ! Jo nuk dua të jem, por nuk ia dal të jem, logjika nuk më lë, sepse e kam një gjykim. Po flasim për bashkim! Ku është bashkimi? Si arrihet ai? Me lutje? Me pështymë sikur ngjisim dy copa letre! Unë gjithë jetën e kam takuar tri herë Sali Berishën, por kam 30 vjet respekt për të! Po, po, respekt! Por jam dakord me Flutura Açkën kur foli për “berishizmin”! Kemi të bëjmë me një fenomen politik, historik e kulturor. Nuk do të thotë ky përkufizim se paskemi të bëjmë me një fenomen negativ. Jo, jo, berishizmi si çdo fenomen, ka anët e veta pozitive e negative. Por sot ai është e kaluara! Për mua optimale do të kishte qenë që doktor Berisha të largohej në vitin 2013, 2017, 2021, por s’e ka bërë! Tani ai po përdor një gjuhë të vjetër, të tejkaluar, të nxjerrë nga sirtarët e së shkuarës, agresive dhe asgjësuese! Ju lutem, të dashur kolegë, nëse mendoni që Lulzim Basha është peng, thojani në sy, nëse ai është; po kaq nëse e konsideroni besëprerë apo diçka tjetër! Berisha e ka spostuar problemin nga origjina nga ku ai lindi! Shpallja “non grata” nga SHBA anashkalohet sikur nuk ishte problemi dhe ka një përqendrim te problemet e PD-së në këto vite! E vërtetë, ka probleme PD-ja në cilësi mendimi, në mënyrën e funksionimit, në gjykimin tim pa pretenduar se jam më i mirë se ju dhe s’kam hezituar t’i them publikisht këto e do t’i them gjithmonë. Por nuk është ky thelbi! Nëse Basha nuk e merrte këtë vendim, ku do të shkonim? Nëse ikte Basha dhe vinte dikush tjetër, si do ta zgjidhte? Nëse “foltorja” zgjedh një kryetar, me Amerikën si do ta zgjidhe?! PD kishte një ultimatum që po rrezikonte ta zinte nën vete! Nuk jam kundër Sali Berishës, por perspektives që ajo ofron si lëvizje! Unë s’i them këto për t’i bërë qejfin Bashës. Aspak. Di të mbajë qëndrime kritike dhe ndaj tij dhe do t’i mbaj, por kjo është e vërteta ime siç e perceptoj dhe ndaj dua ta them. Kaq kisha.

Lulzim Basha: Nuk e kam parë të arsyeshme të reagoj kundër spekulimeve, gënjeshtrave e shpifjeve të ulëta ndaj meje, me të cilat po bombardohet prej disa javësh anëtarësia e Partisë Demokratike dhe opinioni publik. E kam përjashtuar dhe vazhdoj ta përjashtoj nga axhenda ime investimin e kohës dhe energjive në shfaqje publike me “më the, i thashë, e më tha” brenda llojit, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndryshojnë natyrën e përballjes politike në Shqipërinë e sotme të njëmijë e një problemeve dhe halleve që kanë qytetarët e thjeshtë: nga përballje e opozitës me qeverinë, e shndërrojnë në hidh e prit të ish-kryetarit historik Sali Berisha me kryetarin e rizgjedhur vetëm para katër muajsh me parimin “një anëtar, një votë”, që jam unë. Këtë kënaqësi apo dhuratë, Edi Rama me bandat e tij nuk do ta ketë kurrë nga unë. Unë e refuzoj arenën ku më ftojnë spekulimet dhe shpifjet e ricikluara të listës tetëvjeçare apo gjashtëmbëdhjetëvjeçare të kundërshtarëve të mi politikë në Partinë Socialiste, që sot i recitojnë të zemëruarit dhe të keqkuptuarit me vendimin tim për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së me kërkesën e SHBA-së për shkak të shpalljes së tij “non grata” prej tyre. E kam shpjeguar kontekstin dhe barrën e këtij akti ditën që e shpalla. Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së, nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të Partisë Demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, i Kosovës dhe kombit shqiptar, që është SHBA. Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve për rrotacionin e pushtetit dhe normalizimin e demokracisë në vend. Orientimi perëndimor, pro-amerikan, euroatlantik e pro-europian, janë për Partinë Demokratike më shumë se përcaktime në statutin dhe dokumentet e saj. Janë identiteti i saj, kanë lindur në një orë me të, janë e do të jenë ADN-ja e saj. Vota e anëtarësisë së Partisë Demokratike me obligon mua, forumet, të zgjedhurit dhe gjithë anëtarët e PD-së të qëndrojmë në këtë orientim, ta mbrojmë atë. Po lëshuam këtë busull, nuk jemi më Partia Demokratike. Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Kam mbështetur e mbështes përpjekjet e tij për transparencë e drejtësi. Për fat të keq, ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij “non grata” me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do të votojmë vendimin e qeverisë amerikane për shpalljen e tij “non grata”. Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA-së. A nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD-në? Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij. Kjo është pa asnjë perspektivë qoftë për PDnë, qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari, nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura