E PLOTË/ Rrëfehet bashkëshortja e komisar Artan Cukut: Ç’dëgjova atë natë, pas më erdhën fëmijët

Nov 14, 2017 | 11:14
SHPËRNDAJE

Vrasja e 100-të që gazetari Roland Qafoku ka zbardhur në librin e tij është ajo e komisarit Artan Cuku. Jo për nga rëndësia, por thjesht për nga rendi kronologjik i 100 vrasjeve më të bujshme të ndodhura që prej Shpalljes së Pavarësisë. Libri i Qafokut mbyllet me ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.

cuku2

Mes shumë fakteve të krimit të zbardhur pjesërisht nga Prokuroria e Policia, me arrestimin e ekzekutorit e jo të porositësve të vrasjes, Roland Qafoku rendit edhe shumë mistere që e rrethojnë këtë ngjarje. Mes deklaratave të Policisë, Prokurorisë e të miqve të afërt të komisarit, nuk kishte si të mungonte në këtë libër edhe dëshmia e njeriut më të afërt të Artan Cukut, bashkëshortes së tij, Marjolës.

Një intervistë ekskluzive që vetë autori i ka marrë Marjola Cukut për ta pasqyruar në librin e tij “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”. “Nuk i trembem vdekjes për sa jam në të drejtën e Zotit. Më shumë frikë kam të jetoj si burracak, se të vdes si burrë”, kështu është shprehur për vdekjen kur ishte në jetë Artan Cuku.

ROLAND QAFOKU
Bashkëshortja e Artan Cukut, Marjola, u shtang mbrëmjen e së shtunës së 8 prillit 2017, kur ai i tha të shkonte shpejt në shtëpi, ndërsa ishin bashkë me dy fëmijët në hyrjen e pallatit. Me instinktin e policit me përvojë, ai e kuptoi se jeta e tij ishte në rrezik. Prandaj u përpoq jo vetëm të shpëtonte familjen, por edhe që të dashurit e tij të mos shikonin asgjë që mund t’i ndodhte. Me vete nuk kishte asnjë armë, teksa dy hije të zeza iu avitën t’i merrnin jetën. Mjerisht ia arritën, kur në orën 20:11 e qëlluan me disa plumba.

SKENA E KRIMIT

Askush nuk e pa vrasësin dhe askush nuk e pa vrasjen e Artan Cukut. Dy autorët u kujdesën që gjithçka ta kryenin pa lënë gjurmë, por pa pasur as dëshmitarë. Ata shfrytëzuan momentin kur Cuku ishte në sheshpushimin e hyrjes së pallatit të tij dhe autori i parë e qëlloi me dy plumba. Por Cuku arriti të reagojë, të përleshej me të dhe të përpiqej të largohej, duke shtypur ashensorin.

Vrasësi i dytë, që në ato momente bënte edhe rojën në hyrjen të pallatit, u afrua për t’i ardhur në ndihmë vrasësit të parë, dhe e qëlloi sërish Artan Cukun. Këtë herë plumbat e tij ishin vdekjeprurës. Sipas gjasave, vrasësi i dytë duhet ta ketë qëlluar në kokë. Cuku mbeti në hyrje të pallatit, në një pellg gjaku, ndërsa dy vrasësit u larguan me shpejtësi.

Njeriu më i afërt në vendngjarje ishte Marjola, bashkëshortja e Cukut, e cila e
kujton kështu atë moment:

“Atë natë, rreth orës 20:10, shkova në korridor për të marrë diçka dhe dëgjova ca zëra të mbytur që dukeshin si të bërtitura dhe 2 të shtëna që në atë moment nuk isha e sigurt nëse ishin të shtëna, pasi u dëgjuan mbyturazi. Hapa menjëherë derën, por më erdhën fëmijët pas. U futa edhe një herë në shtëpi dhe i thashë shoqes sime që ishte atë natë nga unë t’i ulte në divan të shihnin televizor.

Mora Tanin në telefon për t’i thënë që diçka po ndodhte poshtë, por ai nuk m’u përgjigj. Në atë moment ngriva, dola pa më parë fëmijët dhe zbrita poshtë. E pashë, shkova menjëherë ta ngrija, por kur i ngrita kokën, pashë që nuk kishte shenja jete, pasi në kokë kishte një plagë të madhe. Nuk di sa minuta kam ndenjur duke bërtitur. Në një moment mendova fëmijët lart, dikush mund të ishte ngjitur për t’u bërë keq. Dola me vrap jashtë pallatit, pasi aty nuk ka valë dhe mora në telefon shoqen time. I thashë të mos e hapte derën për asnjë arsye. Pastaj erdhi policia për pak minuta, nuk di se sa”. Më mirë sesa bashkëshortja, askush nuk e di lidhjen e fortë që ai kishte me policinë dhe atë zhgënjim që pësoi.

“Nuk e pranova asnjëherë që doje policinë më shumë se çdo gjë tjetër… por e dija… e dija që do të sakrifikoje çdo gjë… të thosha gjithmonë që është vetëm një punë… por e dija që për ty nuk ishte punë…ishte pasioni më i madh në jetën tënde… puna në polici ishte vetë jeta jote.

Për ty e humbi kuptimin çdo gjë kur mbete jashtë organizatës për
të cilën kishe dhënë aq shumë e më vonë do të jepje edhe jetën… ne të gjithë të thamë se “nuk ishte ndonjë gjë e madhe… se ti mund të bëje shumë mirë një punë tjetër, madje do të kishe më shumë kohë për veten, familjen… ti nuk flisje dhe na bëje një miratim me kokë… si për të na thënë ‘sa pak më njihni’…”

Për Artan Cukun dy fëmijët dhe bashkëshortja ishte oaza e jetës së tij. Familjes ai iu përkushtua po aq sa punës në polici. Se çfarë drame i ka shkaktuar vrasja e tij bashkëshortes kuptohet qartë në këtë përjetim të Marjolës.

“Tan… humbja jote është një gjëmë tmerri që çjerr e bën copë gjithë ç’ke lënë pas… një agoni mbytëse që mpin zemër e shpirt… një terr i frikshëm që vetëm sa ka nisur… humbja jote është një gotë helm nga e cila pimë çdo ditë dhe do të pimë sa të kemi frymë… Tan… ti je shoku im i jetës… u rrita me ty… dashurova pafundësisht dëshirën tënde të madhe për të jetuar… energjinë tënde pozitive edhe në momentet më të vështira… vrullin tënd për të kapur të pakapshmen… trimërinë dhe vendosmërinë tënde kundrejt kësaj bote të pabesë e frikacake… e sot jam krenare që pata fatin të të kem në krah.

Tan…mungesa jote është një gropë e zezë që më tërheq çdo ditë nga pak… mungesa jote po vret ngadalë çdo ëndërr e plan të lënë përgjysmë… Dashuria për ty është një forcë që mund t’i kalojë kufijtë e kësaj bote… malli për ty është një trumbetë që jehon përtej kësaj bote… dhe unë e di që ti na dëgjon… Të duam dhe të ndiejmë sikur të ishe me ne dhe kështu do të jetë gjithmonë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura