E PLOTË/ Policia e mori 6 herë në pyetje, zbardhet raporti sekret që bëri telef Xhokoviçin

Jan 11, 2022 | 20:10
SHPËRNDAJE

Ndalimi i Novak Xhokoviçit në aeroport në Austra li ishte kryefjalë në të gjitha mediat botërore për ditë me radhë. Por, dje, 34-vjeçari serb e fitoi betejën në apel teksa gjykata i dha dritën jeshile për të marrë pjesë në turneun Australian Open, ndonëse nuk është i vaksinuar ndaj COVID-it, ashtu siç e kërkojnë rregullat në Australi.

XHOKOVIC

Së fundmi janë zbuluar detaje të reja rreth natës së parë që Novak Xhokoviç kaloi gjatë mbërritjes në Australi më 6 janar. Trajtimi që i është bërë tenistit nga autoritetet ka pasur një rol të rëndësishëm në vendimin e marrë në favor të tij nga gjyqtari Pol Keli. Për këtë gjykata ka zbardhur edhe intervistat e plota formale që Xhokoviç ka pasur me policinë kufitare.

GJASHTË INTERVISTA- Dokumentet e publikuara nga gjykata tregojnë se janë gjashtë intervistat në të cilat policët e kanë marrë në pyetje Xhokoviçin, duke i krijuar këtij të fundit një gjendje konfuzioni. Në një material të publikuar edhe në faqen zyrtare të policisë vërehet se dialogu është ndërprerë deri në 8 herë, pasi intervistuesi kërkonte kohë për të folur me supervizorin e tij. Numrit një të botës në tenis gjithashtu i është kërkuar që të fikë telefonin e ta fusë në çantë dhe vetëm më pas i është dhënë leja për të dalë në korridor e për të pushuar në një divan. Më poshtë ju pasqyrojmë komunikimin e Novak Xhokoviçit me autoritetet australiane.

INTEVISTA E PARË: 6 JANAR ORA 00:21
Polici: Faleminderit. Atëherë, cilat janë arsyet e udhëtimit tuaj sot në Australi?
Xhokoviç: Jam një tenist profesionist dhe motivi kryesor për të cilin vij në Australi është pjesëmarrja në Australian Open në Melburn. Polici: Jeni i vaksinuar kundër COVID-it? Xhokoviç: Jo, nuk jam i vaksinuar.
Polici: Faleminderit. Jeni infektuar ndonjëherë me COVID?
Xhokoviç: Po, dy herë. Për herë parë në qershor të 2020-ës, ndërsa së fundmi dola pozitiv në një test PCR më 16 dhjetor 2021. Për këtë kam edhe dokumentet që mund ta konfirmoj.
Polici: Faleminderit. Do t’u bëj vetëm një fotokopje këtyre dokumenteve.

INTERVISTA E DYTË: ORA 00:35
Polici: Atëherë, për lejen e veçantë mjekësore që keni marrë, keni paraqitur dokumente?
Xhokoviç: Po, i kemi dorëzuar dokumentet. Polici: Atëherë e dini se çfarë dokumentesh janë dorëzuar?
Xhokoviç: Boh, nuk i kam këto dokumente të printuara me vete, por mund të provoj dhe t’i gjej në mënyrë elektronike. Ua kemi dërguar me e-mail një paneli mjekësh të pavarur, të cilët janë përzgjedhur nga qeveria federale australiane për të ekzaminuar kërkesat e veçanta mjekësore.
Polici: Atëherë jeni zgjedhur nga qeveria federale?
Xhokoviç: Po. Kur u shqyrtua materiali im, ishin dy mjekë në panel, njëri federal dhe tjetri i zgjedhur nga shteti i Viktorias në Melburn dhe nga Tenis Australia. Ndoshta edhe mund të gaboj, pasi për këtë të dytin nuk jam 100% i sigurt, por mund ta verifikoj.
Polici: Po, jo, në rregull. Atëherë keni një dokumentacion.
Xhokoviç: Po. Është viza që më është dhënë. Kjo është letra e Tenis Australisë.
Polici: Ok, por kjo letër flet pak a shumë për një panel rishikimi nga Tenis Australia dhe nuk flet për qeverinë federale? Është vërtetë e sigurt?
Xhokoviç: Po…, realisht prej tyre kam marrë një e-mail me lejen e kalimit. Kam një e-mail, ose më saktë e ka agjenti im. Kështu që dua të them se mund t’ia kërkoj që të ma nisë në mënyrë elektronike, nëse keni nevojë për këtë dokumentacion shtesë, pasi mua më thanë që këto që kam paraqitur do të ishin të mjaftueshme.
Polici: Në rregull. Nëse do të kemi nevojë do t’iu vëmë në dijeni, por për momentin nuk është e nevojshme.

INTERVISTA E TRETË: ora 00:46
Xhokoviç: Australian Open menaxhohet nga Tenis Australia. Komunikimi im ka qenë direkt me ta, pasi kjo ka qenë procedura. Më kanë informuar se ishte kjo rruga që duhej të ndiqja. Kështu që kam paraqitur të gjitha testet e mia PCR, pozitive dhe negative, antitrupa dhe disa informacione shtesë, të cilat më pas ua kanë dërguar një paneli mjekësh të pavarur në Viktoria. Për rrjedhojë më dhanë edhe lejen e veçantë për t’u futur në Australi me këtë dokument mjekësor. Kjo është e gjithë historia. Tani po kontrolloj nëse ka ndonjë gjë tjetër për sa i përket qeverisë, por siç e kisha kuptuar më parë, qeveria e shtetit të Viktorias duhet ta aprovojë.
Polici: Absolutisht dakord, por ju vini në Australi dhe vendi qeveriset nga qeveria federale.
Xhokoviç: Atëherë… Jo, nuk kemi marrë asnjë e-mail nga qeveria federale. Ky është dokumentacioni që na ka dhënë skuadra mjekësore e Australian Open, që janë organizatorët e eventit. Kështu që këtë kemi mundur që të marrim.

INTERVISTA E KATËRT: ora 03:55
Polici: Tani, Novak, në bazë të informacioneve që keni paraqitur… Ju komunikoj që po marrim në konsideratë anulimin e vizës tuaj…
Xhokoviç: Nuk e kuptoj, po më anuloni vizën?
Polici: Ky është një paralajmërim. Në momentin që do ta merrni këtë njoftim, do t’u jepet 20 minuta kohë, ose nëse keni nevojë për më tepër mund ta kërkoni, për të paraqitur motivet përse nuk duhet që t’ua anulojmë vizën.
Xhokoviç: Kam dorëzuar çdo dokument që Tenis Australia dhe qeveria e Viktorias kanë kërkuar gjatë këtyre 3-4 javëve të fundit. Unë dhe agjenti im kemi pasur një komunikim konstant me Tenis Australinë, qeverinë e Viktorias dhe panelin e mjekëve. I kam pyetur dhe e kanë aprovuar kërkesën time, nuk e di çfarë tjetër dëshironi që t’iu them. Nuk kam asgjë tjetër, kam ardhur këtu falë këtyre dokumenteve, pasi nuk do të më lejonin të futesha. Nuk arrij ta kuptoj arsyen përse nuk më lejoni të futem në shtetin tuaj. Kam katër orë që pres dhe akoma nuk po e kuptoj motivin dhe çfarë dokumentesh më mungojnë.
Polici: Kjo është procedura. Mund t’i përmendni shpjegimet në kohën prej 20 minutash që do t’i vendosim në dispozicion.
Xhokoviç: Pra, po më jepni 20 minuta kohë për të kërkuar dokumente, të cilat nuk i kam?! Në 4 të mëngjesit? Dua t’iu them se po më vendosni në situatë dhe në pozicion shumë të turpshëm, pasi në 4 të mëngjesit nuk mund të kontaktoj as drejtorin e Tenis Australisë, nuk mund të lidhem me askënd nga qeveria e Viktorias.

Po më vendosni në një pozicion tepër të papërshtatshëm. Nuk e di çfarë mund të them tjetër. Gjithçka që më kanë kërkuar të bëj e keni këtu dhe nuk do të isha i ulur këtu, krah jush, nëse nuk do t’i respektoja të gjitha rregullat e vendosura nga qeveria. Dua t’iu them se për mua është pak shokuese që ju më jepni paralajmërimin e anulimit të vizës pa motive? Më jepni 20 minuta për çfarë? Ju them që nuk kam asgjë tjetër për t’iu paraqitur. Nëse mundet, le të presim orën 7 të mëngjesit, në mënyrë që të kontaktoj Tenis Australinë, e më pas të kuptojmë se çfarë po ndodh. Por, në këtë moment? Kam ardhur në orën 1 të natës, nuk e di çfarë mund të bëj në këtë moment? Thjesht, nuk ka aspak sens. Dua të them se kam bërë gjithçka të mundshme.

Në këtë moment mund të kontaktoj vetëm agjentin tim, por ju më thoni që të mos e përdor telefonin, kështu që nuk po komunikoj me askënd dhe askush nuk e di se çfarë po ndodh.
Polici: Atëherë, sapo ju lexova njoftimin që ka të bëjë me anulimin e vizës bazuar në artikullin 116 të emigracionit. Po e firmos këtu. Firmose në orën 4:11. Dëshiron ta firmosësh?
Xhokoviç: Nuk do të dëshiroja ta firmosja pa pasur përgjigje për pyetjet e mia
 Xhokoviç: Vërtetë nuk e kuptoj, si ka mundësi që nuk e keni informacionin që nëse e ke kaluar COVID-in gjashtë muajt e fundit, ke sasi të mjaftueshme antitrupash, një test negativ dhe të gjitha dokumentet që unë kam paraqitur, të hiqet mundësia për t’u futur në një vend.

Jam vërtetë konfuz, pasi këtë e kam marrë nga mjekët zyrtarë. Nuk e di çfarë mund të bësh në orën 4 të mëngjesit. Nëse më lejon ta ndez telefonin dhe të marr agjentin, të përpiqem të kontaktojmë persona nga Tenis Australia dhe nga qeveria. Është ora 4 dhe të gjithë flenë, por është e vetmja gjë që mund të bëj në këtë moment. Nuk kam çfarë t’iu paraqes tjetër në këtë moment. Polici: Në rregull, jemi të gatshëm t’iu japim më shumë kohë, do të flas me shefat e mi. (Pak momente më vonë, Xhokoviç u lejua të përdorë telefonin e tij)

INTERVISTA E PESTË: ora 05:20
Polici: Më njoftuat se keni nevojë të pushoni deri në orën 8:00-8:30. Atëherë mund të kontaktoni edhe avokatët tuaj, në mënyrë që të merrni ndonjë informacion më tepër.
Xhokoviç: Po. Intervistuesi: Bisedova me shefat e mi dhe janë më se të lumtur që…
Xhokoviç: Në rregull, fantastike. Intervistuesi: Ndonjë pyetje tjetër? Xhokoviç: Për momentin jo.

INTERVISTA E GJASHTË: ora 06:07
Polici nr.2: Atëherë thatë që nuk dëshironi ta vazhdoni intervistën në këtë orë?
Xhokoviç: Dëshiroj ta spostoj për në orën 8:30 nëse është e mundshme. Polici nr.2: Ok, e thatë edhe më parë që nuk keni asgjë tjetër për të shtuar. Nëse nuk do të përgjigjeni, atëherë vendimi do të merret në bazë të informacionit që kemi deri më tani.
Xhokoviç: Ok, atëherë kërkoni të merrni një vendim tani?
Polici nr.2: Po, nëse është e mundur po, vendimi do të merret në bazë të informacionit që tashmë kemi.
Xhokoviç: Po, e di që do të anuloni vizën time, është e qartë. Po, dua të them pse nuk m’u lejua që të futem, kështu që dua të pres vetëm 2 apo 3 orë të tjera, për të parë nëse mund të bëj diçka tjetër, kjo është ideja.
Polici nr.2: Në rregull. Atëherë dëgjoni, nëse viza juaj do të anulohet, nuk do të qëndroni këtu, por do të shkoni në një hotel në qytet.
Xhokoviç: Ok, atëherë do të shkoj në hotel?
Polici nr.2: Po, në qytet. Xhokoviç: Në çfarë hoteli? Është si hotel për COVID-in apo çfarë?
Polici nr.2: Jo, nuk e di si quhet. Qeveria ka një kontratë me një hotel për të akomoduar përkohësisht personat që u refuzohet hyrja në Australi.
Xhokoviç: Në rregull. Kjo do të thotë se mund të marr edhe valixhet me vete.
Polici nr.2: Po, por me shumë mundësi nuk do të ketë vend për të gjitha. (Rreth një orë më vonë, Novak Xhokoviçit iu komunikua formalisht vendimi për anulimin e vizës. Më pas u shoqërua dhe u dërgua në Park Hotel në Karlton, aty ku dhe kaloi fundjavën).

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura