E plotë/ Aktori paralajmëron: Grevë urie, do të flijohemi brenda ndërtesës së Teatrit

Mar 27, 2018 | 19:06
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Kryeministri të mos mendojë se e ka fituar luftën!”. Kështu thotë aktori Arben Derhemi dhe kreu i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, i cili një javë më parë ka prezantuar Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e TK-së.

derhemi

Një aleancë, e cila fton të bëhet pjesë e saj çdo intelektual dhe qytetar të këtij vendi, që edhe në kohët më të vështira, që ka kaluar Shqipëria, ka gjetur aty një dritare lirie dhe mendimi ndryshe. Derhemi e quan vjedhje të pastër atë që po ndodh me truallin e TK-së, duke e krahasuar me vjedhjen e bregdetit shqiptar. “I shtroj pyetjen gjithë qytetarëve shqiptarë, që ditëve të fundit kanë ndjekur zhvillimet e çuditshme me bregdetin shqiptar, me vjedhjen e pronave, çfarë ndryshimi ka vjedhja e pronës publike në mes të kryeqytetit, me vjedhjen e bregdetit në Lezhë? Çfarë ndryshimi ka? Sipas mendimit tim, ndryshimi i vetëm qëndron në faktin që Kryeministri ynë del përditë në televizor dhe thotë që ‘unë do ta prish dhe do t’ia jap partneritetit publik-privat’. Kjo është një vjedhje e hapur në mes të Tiranës, në sy të të gjithëve”, thotë Derhemi. Ai thotë, se nuk do të ketë asnjë lëshim nga ana e Aleancës, madje deri në grevë urie. Ai i bën thirrje çdo qytetari që do të mbrojë historinë e qytetit të tij, të bëhet pjesë e takimeve të çdo të hëne, brenda apo jashtë ambienteve të TK-së.

Plot një javë më parë ju prezantuat Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, si lindi kjo nismë?

Teatri Kombëtar nuk është vetëm i artistëve, por i të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Vetë reagimi qytetar, reagimi i intelektualëve, të cilët mendojnë se TK nuk është thjesht një godinë, por historia e një qyteti të tërë, i një kombi dhe mendimi i artikuluar nga njerëz të ndryshëm, se vrasja e TK-së është vrasje e vetëdijes kombëtare, na bëri të mendojmë që kjo godinë nuk i takon vetëm artistëve dhe institucionit të TK-së, por të gjithëve. Në rast se kjo godinë do të mbrohet me gjithë të mirat dhe të këqijat e veta, do të mbrohet mbi të gjitha nga çdo qytetar shqiptar, qoftë ai intelektual apo punëtor, pasi në këtë vend, gjatë kohës së diktaturës kanë gjetur një dritare ku të mendonin ndryshe. Nga ai teatër kanë dalë me idetë dhe mendimet, që asokohe ishin të ndaluara. Ndaj Aleanca Qytetare është më e drejtë. Ajo ka ftuar arkitektë dhe njerëz që do mbrojnë arkitekturën e këtij vendi. Profesionistët do të sjellin fakte, mbështetur mbi studime, se si ky teatër mund të rindërtohet në një mënyrë perfekte.

Pra, ju mendoni se rindërtimi i kësaj godine, është i mundur?

Po. E kemi shembullin vetëm 10 metra larg Teatrit Kombëtar, që është Teatri “Kujtim Spahivogli”. Ai është një teatër, i cili sot është në gjendje perfekte, edhe pse nuk ka strukturën e TK-së, e cila është më e fortë se ajo e Teatrit Eksperimental. Megjithatë, nga dashuria e një njeriu të vetëm, që është drejtori i atij institucioni dhe pa asnjë fond nga qeveria dhe shteti shqiptar, ai teatër është në gjendje perfekte. Ndërsa TK është lënë në këtë gjendje, posaçërisht për t’u shembur. Unë kam e-maile pa fund nga ndërtues e arkitektë shqiptarë, që punojnë në Europë, Gjermani, Itali, etj., të cilët vijnë dhe e bëjnë projektin për rindërtimin e TK-së, falas. Njerëz, të cilët janë profesionistë dhe mendojnë që TK nuk mund të shembet, sepse është histori. Nuk ka lidhje thjesht me arkitekturën. Sepse arkitektura nuk është histori. Histori është ajo që është bërë në atë vend, ajo që njerëzit mbajnë mend. Është si historia e Kinema “Republikës” e “17 Nëntorit” dhe shumë të tjerave që janë zhdukur. A do të kemi ne si komb, ndonjëherë kujtesë historike?

Ju po akuzoni se kjo godinë është rrënuar qëllimisht?

Po, madje unë i shtroj pyetjen gjithë qytetarëve shqiptarë, që ditëve të fundit kanë ndjekur zhvillimet e çuditshme me bregdetin shqiptar, me vjedhjen e pronave, çfarë ndryshimi ka vjedhja e pronës publike në mes të kryeqytetit, me vjedhjen e bregdetit në Lezhë? Çfarë ndryshimi ka? Sipas mendimit tim, ndryshimi i vetëm qëndron në faktin që Kryeministri ynë del përditë në televizor dhe thotë që ‘unë do ta prish dhe do t’ia jap partneritetit publik-privat’. Kjo është një vjedhje e hapur në mes të Tiranës, në sy të të gjithëve. Ndaj, përveçse si aktorë, ne kemi edhe një detyrë tjetër, si qytetarë, që të mos lejojmë zhbërjen e këtij vendi që quhet kryeqytet, i cili po bëhet i pabanueshëm. Nga njëra anë kryetari i Bashkisë mbjell pemë, nga ana tjetër mbjell kulla. Do të ngulë në zemër të Tiranës 7 kulla. Ndaj i gjithë ky “teatër” për teatrin bëhet vetëm sepse kryetari i qeverisë dhe i bashkisë, i kishin dhënë fjalën ca njerëzve për të ngritur kulla. Nuk më intereson se cilët janë, madje unë kam respekt për njerëzit që punojnë, por ndërtimi i Teatrit Kombëtar po përdoret për të ndërtuar kullat. Nëse nuk do të ishte kjo ide, Kryeministri as e kishte në mend të ngrinte një teatër. Madje ngritja e “Turbinës” kishte një qëllim preciz, për t’i hequr aktorët nga TK e për t’i çuar atje, mandej do ta shembnin godinën si të pabanueshme.

Pra, sipas jush, godina e re e TK-së është një alibi për ngritjen e kullave?

Tashmë është bërë publik projekti për godinën e re, me 7 kulla nga pas, tri prej të cilave janë brenda territorit të TK-së, në një kohë që ministrja e Kulturës, Kumbaro, ka dhënë fjalën në një emision televiziv, se TK-së nuk do t’i cenohet asnjë metër katror. Ministrja duhet të japë llogari për këtë. Madje, ajo tha që edhe nuk ka projekt…

Ju po e mbroni fort atë godinë, ndërsa ka kolegë tuajt që thonë se edhe trarët e asaj ndërtese janë të pushtuara nga viruset, ndoshta është momenti për një teatër të ri?

Ai teatër nuk është i pushtuar nga viruse, por është një mrekulli e madhe. Edhe ashtu siç e kanë lënë, pa nguluar asnjë gozhdë në 40 vjet, ai është teatri me akustikën më të mirë në Shqipëri. Po ta lësh një shtëpi pa pastruar 40 vjet, normalisht që dalin edhe çimka, edhe tartabiqe. Ne duhet t’i pastrojmë, sepse edhe çimkat e tartabiqet janë natyralë si puna jonë, pushtues, që dashje pa dashje futen në një territor që nuk është i tyre, pasi gjejnë pisllëk. Në momentin që drejtori aktual së bashku me ministren dhe Kryeministrin nuk janë në gjendje ta bëjnë, e pastrojmë edhe vetë. Problemi qëndron te dashuria që ka njeriu për një objekt si Teatri Kombëtar. Ndaj u drejtohem të gjithë aktorëve të TK-së që janë të paqartë, që në TK vihet me dashuri, sepse të jesh pjesë e TK-së do të thotë sikur vesh fanellën e një skuadre të madhe dhe kur e ke veshur, e kupton. Ndaj duhet ta kenë parasysh këtë, por problem është që gjysma e tyre janë futur nga politika në punë dhe si të tillë, nuk e dinë se çfarë uniforme kanë veshur, se në çfarë skene dalin e aktrojnë. Dhe më vjen edhe më keq për drejtorin aktual, që nuk mban një qëndrim, pasi është ai që në vitin 2000 ka thënë që TK nuk cenohet, se ne do të vdesim aty brenda. Ndërsa sot, po terrorizon aktorët e TK-së me kontratat e punës. E gjitha kjo është pjesë e politikës së shembjes së TK-së dhe marrjes së këtij territori.

Mos ndoshta krijimi i Aleancës Qytetare për Teatrin, lindi edhe si pasojë e qëndrimit të dyzuar të shumë artistëve?

E vërtetë është. Por, karakteri dhe personaliteti i njeriut, injektohen që në fëmijëri. Kam dëgjuar njerëz të cilët thonë se “jam i paqartë”. Nuk e kuptoj se çfarë kërkojnë? Nuk e kuptojnë, se këtu po bëhet gjithçka, jo për të ndërtuar një Teatër Kombëtar, por për të ndërtuar 7 kulla dhe për t’i lënë atij vetëm një cep?! Dhe me logjikë, ai që do ndërtohet nuk do të jetë më i madh se ai që kemi, pasi tani ne kemi dy salla, një me 250 dhe një me 130 vende dhe një tjetër, që po ndërtohet me 70 vende në TKES dhe sallën e madhe të Teatrit Kombëtar. Pra, ne kemi 1000 vende aktualisht. Këto 1000 bëhen të shfrytëzueshme nga publiku me shumë pak investim nga shteti shqiptar. Madje, mund të bëhen të banueshme edhe me vetë investimin e qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe ne po ndërmarrim nismën: 1 euro për ndërtimin e TK-së. Pasi e shohim që nuk është punë parash. Nuk bëhet fjalë për 3 milionë euro që kërkon TK, por 150 milionë euro fitim në atë territor.

Ka nga ata artistë që e pranojnë ndërtimin e një godine të re, me kusht që ajo të mos ndërtohet nga partneriteti publik-privat. E konsideroni këtë mundësi?

Edhe kjo mund të ekzistojë si alternativë, por kjo mund të ndodhë vetëm në një shtet të përgjegjshëm. Ne kemi një Kryeministër të papërgjegjshëm, që fut në burg njerëz sepse nuk bëjnë tender për letër higjienike, ndërsa vetë nuk bëntender për teatrin. Të paktën, të shpallë një konkurs… Por ne do t’i drejtohemi edhe Prokurorisë së Përgjithshme për këtë çështje, për të zbardhur këtë aferë, e cila është evidente, e pastër korruptive. Një aferë e frikshme. Në kadastër Teatri Kombëtar figuron i plotë me gjithë ca territore që i janë marrë pas viteve ’90 dhe nuk e dimë se si. Ndërsa sot i merret fryma teatrit dhe qytetit me 7 kulla. Të gjithë profesionistët që kanë parë maketin e projektit të ri, e kuptojnë se ai teatër nuk kushton më shumë se 10 milionë euro.

Në këto kushte, çfarë do të bëjë Aleanca?

Do të mblidhemi të hënë për të hënë, në orën 18:00, në Teatrin Kombëtar, jashtë ose brenda (pasi tanimë nuk na e japin më sallën e TK-së, duke na kërkuar 30 mijë lekë për orë, duke qenë në shkelje të patër ligjore, pasi Aleanca qytetare përbëhet nga dy sindikata të artistëve, një prej të cilave ajo e TK-së). Çdo qytetar i Tiranës është i ftuar të marrë pjesë për të mbrojtur historinë e qytetit të vet, historinë e artit, të mbrojë mundësinë për të folur, për të mos u zhbërë si komb. Pse nuk e bën shteti këtë zonë një qendër kulturore, një galeri, një cirk? Pse çdo tokë publike i duhet dhënë privatit për të ndërtuar kulla? Kjo është një vjedhje e pastër, që ne duhet ta ndalim.

Si do ta ndalni, mjaftojnë vetëm takimet?!

Ne do të shkojmë deri në grevë urie, do të flijohemi brenda asaj ndërtese.

A nuk u kujtuat pak vonë për të reaguar? A nuk duhet të ishit ngritur që me prezantimin e “Turbinës”?

E vërtetë është, por nuk e menduam kështu. Ne nuk e dinim kaq malinj Kryeministrin dhe gjithë Rilindjen shqiptare. Po bën veprime antikombëtare dhe në një moment të caktuar ne e kuptuam logjikën e tij dhe pse po e bënte këtë. Por nuk duhet të mendojë, se e ka fituar luftën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura