E paralajmëroi ministri Lleshaj, por çfarë është “testi i idiotit”? Ja shoferët që mund të preken

Jan 18, 2020 | 9:35
SHPËRNDAJE

balluku + lleshaj

ETLEVA DELIA/ “Në hapësirën gjermanike quhet ‘Idiotum Test’, pra ‘Testi i idiotit’, që bëhet rëndom. Kur dikush sillet në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe para se t’i jepet mundësia për ta rimarrë lejen e drejtimit, duhet të provojë që është stabël në pikëpamje të sjelljes”.

Ky ishte paralajmërimi që bëri dje ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një tryeze ku u diskutua siguria rrugore dhe që pritet të jetë një risi në drejtim të parandalimit të aksidenteve edhe në vendin tonë. Mes dhjetëra propozimeve për ndryshime që duhet të kryhen edhe në Kodin Rrugor për të reduktuar numrin e aksidenteve, që sipas Lleshajt vrasin 5 herë më shumë sesa krimi, ishte edhe mundësia për kryerjen e testeve psikologjike.

“Ne kemi ende përdorues rruge, të cilët nuk e meritojnë lejen e drejtimit që kanë. Dhe rritja e përgjegjshmërisë së përdoruesve të rrugës, duke përfshirë nga drejtuesit e automjeteve te qytetarët, kërkon një program të gjerë masash, që do të përfshijnë edukimin në shkolla dhe teste të vazhdueshme. Ka ardhur koha të mendojmë për testet psikologjike, të cilat në rastet e drejtuesve që nuk plotësojnë, nuk sillen në përputhje me normat ligjore, por nganjëherë nuk sillen ose tejkalojnë edhe disa norma të tjera të sjelljes në rrugë. Ka ardhur koha për të menduar edhe për testet psikologjike, që tentojnë të verifikojnë stabilitetin e sjelljes së tyre”, u shpreh ministri Lleshaj.

PROPOZIMET 

Në tryezën e diskutimeve për disa ndryshime në Kodin Rrugor, pjesë e së cilës ishin edhe ministrja Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, drejtori i Policisë Së Shtetit, Ardi Veliu, dhe kryebashkiakë e ekspertë rrugorë, ministri i Brendshëm renditi disa propozime që synojnë rritjen e sigurisë rrugore.

Burimet thanë se është bërë edhe një propozim konkret për vlerën e gjobës në lidhje me përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit. Duke e konsideruar si minimale vlerën aktuale të gjobës, u propozua që ajo të jetë nga 25 mijë deri në 80 mijë lekë të rinj.

“U tha një lajm i mirë nga drejtori i Policisë, që përgjatë 10 viteve të fundit kemi një rënie të vazhdueshme të numrit të aksidenteve dhe të pasojave fatale në qarkullimin rrugor. Pra, kemi rreth 40 % zbritje të numrit të fataliteteve në rrugë në harkun e 10 viteve. Ky është lajm i mirë, madje lajm shumë inkurajues, megjithatë ka dhe një lajm të keq, që vetëm në 2019-ën kemi humbur jetën e 227 qytetarëve shqiptarë në rrugët e vendit, shifër e cila është pothuajse 5 herë më e lartë se shifra e të vrarëve që shkakton krimi në Shqipëri”, tha Lleshaj gjatë fjalës së tij.

Sipas tij, së pari synohet të bëhet një ndërhyrje e rëndësishme në Kodin Rrugor, akte të tjera ligjore dhe nënligjore që merren me rregullimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qarkullimin rrugor.

“U përmend celulari, mbetet një burim shqetësues aksidentesh në rrugët e vendit e duhet të merren po ashtu masa për ta kufizuar, mundësisht ndaluar rreptësisht, përdorimin e tij gjatë drejtimit të automjetit. Alkooli po ashtu meriton prapë vëmendje të re, për arsye se sërish ka shumë raste. Vetëm për një javë janë hequr 371 leje drejtimi”, u shpreh ministri i Brendshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura