“E njihni babain tim?”, djali i kryebashkiakut kapet me hashash. Kur e ndaluan forcat “Shigjeta” në Tiranë, ai…

Oct 29, 2019 | 10:45
SHPËRNDAJE

Djali i kryebashkiakut të Bulqizës është arrestuar të shtunën në kryeqytet, pasi gjatë kontrollit i është gjetur një sasi e vogël droge.

Lefter-Alla

Burime nga Policia thanë se i arrestuari është 19-vjeçari Enio Alla, djali i Lefter Allës, fakt që nuk ka ngurruar t’ua përmendë policëve në momentin e ndalimit, duke shprehur çudi pse nuk e njihnin.

Adoleshenti ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij, në rrugën “Jusuf Vrioni”, pranë shkollës “Vasil Shanto”, kur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, i kanë bërë shenjë të ndalojë.

Efektivët i kanë kërkuar që të zbresë nga makina, pasi do ushtrohej një kontroll dhe ai fillimisht i ka kundërshtuar, duke tentuar të shmangë kontrollin. Në këtë moment u ka përmendur atyre emrin e babait të vet, duke i pyetur nëse e njihnin apo jo se kush ishte.

Më pas, u ka thënë se është kryetari i Bashkisë së Bulqizës. Megjithatë, ky fakt nuk është marrë në konsideratë nga shërbimet e Policisë, që kanë vijuar procedurat. Burimet thanë se në momentin e kontrollit, Enio Allës iu gjet me vete një sasi prej 5.2 gramë lëndë narkotike, kanabis sativa.

Pas këtij konstatimi, 19-vjeçari është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku veprimet e mëtejshme janë kryer nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve, të cilët vendosën edhe arrestimin e tij në flagrancë.

“Nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. A., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi më datë 26.10.2019, gjatë pasdites, në rrugën ‘Jusuf Vironi’, nga punonjësit e Policisë të Seksionit të Forcës së Posaçme ‘SHIGJETA 2’, është ushtruar kontroll ndaj shtetasit E.A., gjatë të cilit iu gjet një sasi prej 5.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

KRYEBASHKIAKU

Brenda dy muajsh, kjo është hera e dytë që emri i kryebashkiakut të Bulqizës lakohet në lidhje me personat e tij të afërm që kanë pasur probleme me Policinë. Më 18 shtator të këtij viti, pas një sherri në një lokal në Bulqizë mbeti i plagosur me armë zjarri Vangjel Alla, vëllai i Lefter Allës.

Gjithë ngjarja ndodhi pas një konflikti me disa persona të tjerë dhe shkak dyshohet se kanë qenë përplasjet mes grupeve kriminale në Bulqizë. Në lidhje me këtë ngjarje u arrestua pronari i lokalit ku u plagos me armë zjarri Vangjel Alla, 37-vjeçari me inicialet B.Ç.

Ai u dyshua për fshehjen e provave materiale që u lanë në lokalin e tij pas sherrit mes Vangjel Allës dhe Ilir Danit, një person me precedentë të mëparshëm kriminalë. Ndërsa në Burrel u arrestua edhe 24-vjeçari D.S., i shpallur në kërkim pas ngjarjes, pasi dyshohej se kishte ndihmuar autorin të largohet nga zona.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura