E ndoqi këmba-këmbës dhe e vrau/ Biznesmeni përcillet në banesën e fundit, ceremonia nën vëzhgim nga agjentë civilë. Kamerat zbulojnë lëvizjet e autorit

Feb 27, 2021 | 19:30
SHPËRNDAJE

Grupi hetimor, i ngritur menjëherë pas ekzekutimit mafioz të biznesmenit 65- vjeçar Bujar Sofia, mëngjesin e së enjtes ka arritur të ndërtojë një profil të atentatorit, si dhe të zbulojë lëvizjet e tij para dhe pas ngjarjes.

Nga verifikimi i pamjeve filmike të përftuara nga dhjetëra kamera sigurie, të rrugëve apo ato të bizneseve private, në një perimetër të madh, është zbuluar se autori e vëzhgonte “objektivin” e tij prej dy ditësh.

Në fakt, Behar Sofia vetëm prej dy ditësh kishte dalë nga shtëpia, pasi kishte kaluar Covid-19. Siç duket nga pamjet filmike, autori i dyshuar, i veshur me kostum sportiv, me kapele në kokë dhe që mban syze e maskë anti-Covid, e ka pritur Sofinë në zonën pas Piramidës që kur ai ka dalë nga shtëpia.

Më pas ka ndjekur lëvizjet e tij, kur ka shkuar në kafe, kur ka dalë nga aty dhe gjatë kohës që po ecte në trotuarin përbri lumit Lana, mes Katedrales “Shën Pali” dhe Piramidës.

Aty i është afruar duke e qëlluar nga afër me një pistoletë me silenciator. Një plumb e ka goditur në qafë e një tjetër në trup. Pas ngjarjes, autori është larguar qetësisht në këmbë në drejtim të urës së madhe të Lanës dhe nga aty ka dalë para dy Kullave ku ka marrë një biçikletë.

Më pas është larguar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Universiteti Politeknik dhe nga aty mendohet se është futur në zonën e Liqenit Artificial, ku nuk është fiksuar më nga kamerat e sigurisë.

NGJARJA

Mëngjesin e së enjtes, pranë zonës së Piramidës, u vra me armë zjarri 65-vjeçari Behar Sofia. Ai po lëvizte në këmbë, pak minuta para se ora të shënonte 09:00, pasi ishte ulur fillimisht në një lokal pranë banesës së tij ku kishte qëndruar rreth 20 minuta, duke pirë një kafe. Ai ka qenë në trotuarin përbri Lanës, kur është qëlluar dy herë me armë zjarri, me silenciaror, një herë në trup dhe një herë në afërsi të qafës.

Kalimtarë të rastit kanë lajmëruar Policinë për një person të gjakosur që ishte i shtrirë në trotuar dhe kërkonte ndihmë.

Policia ka mbërritur shumë shpejt dhe e ka nisur për në spital, por Sofia ka ndërruar jetë para se të mbërrinte në urgjencë. Burime nga grupi hetimor thanë se ka dyshime të forta që personi që qëlloi për vdekje Behar Sofinë, mund të jetë vrasës me pagesë.

Provat materiale të sekuestruara pranë vendit ku u ekzekutua 65-vjeçari Behar Sofia, janë minimale, për të mos thënë që nuk është gjetur asnjë provë. Madje, burimet thanë se, ndonëse është qëlluar me dy plumba, në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhojat.

Për këtë arsye, ekspertët kriminalistë kanë kontrolluar për një kohë të gjatë në lulishten përbri lumit Lana, por pa sukses. Madje, është përdorur edhe detektor për kërkimin e metaleve, duke kontrolluar në një sipërfaqe të madhe, por asgjë nuk është gjetur.

HETIMI

Atentati i së enjtes nuk ishte i pari për 65-vjeçarin Behar Sofia. Por, ndryshe nga ngjarjet e mëparshme, rezultoi fatal për të, duke i marrë jetën. Nisur nga e shkuara e tij kriminale, lidhjet e rëndësishme që ai kishte me personazhe të trafikut të drogës, shqiptarë dhe turq, Policia ka ngritur si pistë të parë hetimore çështjet që kanë të bëjnë me drogën.

Ndonëse Policia nuk ka pasur prova se Sofia mund ta ketë vazhduar trafikun edhe pas arrestimit në Turqi në vitin 1998, duket se te ky aktivitet janë përqendruar më shumë hetimet.

Megjithatë, nuk janë lënë jashtë vëmendjes as bizneset e tij. Madje, burimet thanë dje se problemet apo konkurrenca në biznes po konsiderohen si një pistë e dytë ku po zhvillohen hetimet.

E po me kaq rëndësi, po verifikohet çdo konflikt apo përplasje që ai mund të ketë pasur me personazhe të ndryshme të botës së krimit, brenda dhe jashtë vendit, që mund të konsiderohen miq apo armiq të tij. Nuk përjashtohet mundësia e prishjes së ndonjë pazari apo konflikt që ka lindur së fundmi.

SOFIA PËRCILLET NË BANESËN E FUNDIT, CEREMONIA NËN VËZHGIM

Biznesmeni Behar Sofia, i cili u ekzekutua mëngjesin e së enjtes, është përcjellë dje për në banesën e fundit. Në respektim të masave anti-Covid, të pranishmit në ceremoni ishin të kufizuar në numër.

Ceremonia mortore u zhvillua në shtëpinë e funeraleve që ndodhet te Rruga e Dibrës, më pas, në orën 11:00, kortezhi iu drejtua varrezave të Sharrës.

Sofia, pasi kishte luftuar për ditë me radhë me Covid-19, e kishte kaluar dy ditë para se të vritej, kohë që kishte nisur të dilte edhe nga shtëpia.

Ceremonia mortore, por edhe ceremonia e varrimit në varrezat e Sharrës u vëzhgua nga agjentë civilë, që me sa duket “fotografuan” të pranishmit në kuadër të hetimeve.

Vrasja Behar Sofia-ekzekutimi-Piramida

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura