E ndan e dashura se ishte xheloz, i riu plagos veten. 20-vjeçarja: U qëllua kur i thashë do të të lë

Mar 31, 2015 | 23:05
SHPËRNDAJE

Një 30-vjeçar u vetë- plagos me thikë mbrëmjen e së dielës, pas një sherri që pati me të dashurën në lokal. Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes, në një lokal te Rruga e Durrësit në Tiranë.

Dy të rinjtë, të cilët kishin rreth një vit lidhje dashurie, ishin ulur për të biseduar për shkak se djali ishte shumë xheloz dhe dyshonte se e dashura e tij kishte një lidhje tjetër.

Spitali Ushtarak ne Tirane

Në një moment situata është tensionuar mes të dyve, kur vajza i ka thënë se do ndahej nga ai. Për ta kërcënuar në mënyrë që të mos i jepte fund lidhjes, 30-vjeçari Klajdi M. ka nxjerrë nga xhepi një thikë dhe ka goditur veten në bark. Vajza fillimisht ka kërkuar ndihmë, por kur ka parë se gjendja e të dashurit të saj po rëndohej, e ka dërguar vetë në spital me makinën e tij.

Burime nga Policia thanë se janë lajmëruar për ngjarjen nga mjeku roje i Spitalit Ushtarak, në momentin që i plagosuri ka mbërritur aty me një plagë të rëndë thike në bark. Menjëherë në spital kanë shkuar dy oficerë të Komisariatit Nr.3, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Mjekët thanë se gjendja e të riut vazhdon të jetë kritike, për shkak se ka humbur shumë gjak. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai është shtruar në reanimacion, ku vazhdon të mbahet nën observim. Ndërsa Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje të dashurën e tij, 20-vjeçaren Sidorela L. nga Lushnja, e cila është studente e vitit të tretë në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

DESHMIA

Nisur nga deklarimet që ka dhënë në Polici studentja 20-vjeçare Sidorela L., vetëplagosja e të dashurit të saj ka ndodhur për shkak se ajo i ka kërkuar të ndaheshin, duke qenë se ishte shumë xheloz.

Vajza është gjetur në Spitalin Ushtarak në momentin që aty ka mbërritur Policia dhe është shoqëruar për të dhënë deklarime në Komisariatin Nr.3.

Burimet thanë se ajo është marrë në pyetje në praninë e një psikologeje, pasi gjendja e saj psikologjike ka qenë e rënduar dhe ka sqaruar rrethanat e ngjarjes.

“Kisha një vit lidhje me Klajdin. E kam njohur në Institutin Bujqësor dy vjet pasi kisha filluar studimet. Fillimisht marrëdhënia jonë shkonte shumë mirë, por kohët e fundit ai kishte nisur të bëhej me paranoja. Ishte shumë xheloz dhe më akuzonte vazhdimisht për një lidhje tjetër, gjë që nuk është e vërtetë”, ka treguar 20-vjeçarja.

Më pas ajo ka deklaruar se mbrëmjen e së dielës ai e ka telefonuar që të takoheshin për t’u sqaruar pasi kishin pasur një grindje të premten.

“Unë e kisha ndarë mendjen që t’i jepja fund lidhjes, pasi nuk e duroja dot më xhelozinë e tij. Sapo ishim ulur në kafe, kur ai filloi sërish të bërtiste me zë të lartë, duke më fyer dhe duke më akuzuar se unë e kisha tradhtuar. I kërkova që të dilnim jashtë, pasi aty kishte shumë njerëz dhe sapo dolëm në rrugë ai nxori nga xhepi një thikë dhe tha se do të vriste veten në rast se unë do ta lija. Nuk e mendova se ai mund ta qëllonte vërtet veten. Por sa hap e mbyll sytë ai goditi veten në bark”, ka dëshmuar vajza në Polici.

NGA ETLEVA DELIA (Lajmi u publikua sot ne Panorama Print)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura