E megjithatë, shteti i mafias ekziston

Oct 11, 2018 | 14:49
SHPËRNDAJE

MARK MARKU/ marku1 Personazhe të rëndësishme të maxhorancës socialiste: ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasuesi i tij, Fatmir Xhafaj, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, deputeti socialist, Rexhep Rraja, dhe një mori figurash të tjera të pushtetit, në harkun e një viti, janë vënë në qendër të akuzave për afera të ndryshme që shkon nga bashkëpunimi me krimin e organizuar deri te presioni mbi organet e drejtësisë për mbylljen e këtyre aferave. Konkretisht, Tahiri është akuzuar për bashkëpunim me një grup të trafikimit të narkotikëve, Fatmir Xhafaj për vëllain e dënuar në Itali dhe të fshehur në Shqipëri, Taulant Balla për favorizimin në tendera të mikut të tij të arrestuar së fundmi, Agaçi për presion ndaj gjykatësit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku, Rraja për presion mbi organet e rendit për mosarrestimin e djalit të vet, të akuzuar për dhunë ndaj të dashurës së vet, Xhisela Malokut.

Skandalet e shpërthyera e kanë zanafillën në denoncime herë të mbështetura në përgjime, e herë në dëshmitarë të lidhur me ngjarjet. Për shkak të këtyre skandaleve, por edhe aferave të tjera të padenoncuara, është krijuar një perceptim i tillë sikur jetojmë në një shtet të mbërthyer fort nga mafia dhe për më keq vetë strukturat shtetërore janë shndërruar në struktura mafioze. Ky perceptim lidhet sa me dendësinë e skandaleve të shpërthyera, po aq edhe më shumë me mënyrën sesi qeveria socialiste dhe Kryeministri Rama ka reaguar ndaj tyre.

Në të gjitha rastet është vënë re se Kryeministri Rama dhe gjithë strukturat në varësi të tij më tepër se me trajtimin me seriozitet të rasteve, janë angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në manipulimin e versionit të ngjarjeve dhe në mbrojtjen e personave të përfshirë në këto ngjarje. Të marrim vetëm dy rastet e fundit: rastin “Babalja” dhe rastin “Xhisela”. Në rastin e parë menjëherë pas shpërthimit të skandalit, vetë Kryeministri Rama doli dhe dha versionin e ngjarjes: “Sipas një verifikimi të bërë në një laborator të specializuar, –tha Rama,-intervista është e montuar”. Që prej asaj dite, materiali i përgjimit ka shkuar në një laborator të specializuar (sipas mediave, në Angli), por këtij laboratori i janë dashur muaj për ta bërë analizën e materialit dhe së fundmi, po sipas mediave, ai ka sjellë një përgjigje të vakët, sipas së cilës ai e kishte të pamundur për të bërë identifikimin e personave në bisedë. Keni parasysh, një laboratori të specializuar anglez i duhen muaj për të dhënë një përgjigje dhe kjo përgjigje është: pamundësi për një rezultat të qartë, ndërkohë që Kryeministrit me laboratorin e tij iu deshën vetëm pak orë për ta “qartësuar” ngjarjen. Këtu kemi të drejtë ta dyshojmë ngutin e Kryeministrit për të dhënë verdiktin mbi ngjarjen. Ditët e fundit, qeveria reklamoi me bujë dëshminë e Fredi Alizotit, sipas së cilës ai kishte qenë personi i shtirur si Agron Xhafaj, gjë që e bënte skandalin një inskenim të pastër. Por, në kulmin e bujës së dëshmisë së Alizotit, del një përgjim tjetër, po i Alizotit, ku ai pohon se i është bërë presion dhe ofertë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe Taulant Balla. Epo, tek e fundit, këtë çështje duhej ta zgjidhte Gjykata, do thoshte ndonjë i pafajshëm. Po si? Me vëllain e Xhafës që e zhdukën nga Shqipëria brenda një nate? Me dëshminë e Alizotit, i cili, sipas regjistrimit të publikuar në media, del një dëshmitar i kërcënuar dhe i blerë? Por, edhe vetë Gjykata, me vendim e saj, dëshmon se është jo vetëm krejt jo Gjykatë, por mjaft e dyshimtë në predispozitën e saj. Ja çfarë shkruhet në vendimin e Gjykatës për çështjen “Motivet që i shtynë të hetuarit në kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë janë të ndryshme. Për të hetuarin Olldashi… dyshohet se motivi lidhet me denigrimin e figurës së ministrit të Brendshëm… Për të hetuarin Alizoti, motivi është material”… Si mund t’i besohet një Gjykate që flet për motivin e të akuzuarit kur deri tani asgjë e tillë nuk është shprehur nga të hetuarit. Një Gjykatë normale flet vetëm me prova materiale, për vepra penale, por jo për qëllime, veç në rastet kur motivet dhe qëllimet shprehen nga të pandehurit.

E njëjta maskaradë ndodhi edhe me rastin e Xhiselës. Një fushatë presionesh dhe kërcënimesh që e shndërroi denoncimin e së akuzuarës nga një denoncim për ish-të dashurin në një denoncim për opozitën. Madje, vetë Kryeministri filloi ta akuzonte atë se po bënte politikë. Po çfarë duhet të bëjë opozita nëse nuk denoncon keqqeverisjen rast pas rasti? A mos vallë qenka krim që një parti politike të bëjë politikë në një shtet pluralist dhe demokratik?

Në të dyja rastet, por edhe në raste të tjera, më shumë se vetë skandalet mënyra sesi qeveria dhe Kryeministri Rama është sjellë në raport me ngjarje të tilla të krijon përshtypjen se shteti shqiptar po rrëshqet gjithnjë e më shumë në shinat e një shteti mafioz. Shembujt janë të qartë për ata që duan t’i kuptojnë: presion për tërheqjen e akuzave ndaj të akuzuarave, manipulim i provave, instrumentalizim i organeve hetimore për arritjen në konkluzionin e dhënë që më parë nga qeveria, sharje, shpifje dhe dhunë verbale ndaj denoncuesve për të ndryshuar denoncimet e tyre, sulm mbi median, opozitën, madje edhe shantazhi përmes bërjes së një ligji për rikthimin e kriminalizmit të shpifjes, si e tillë duhet kuptuar. Rezultati: denoncues që ndryshojnë denoncimet, titullarë policie që arratisen nën kërcënimin e koordinuar të krimit të organizuar dhe shtetit (Zagani, Nuhu), të akuzuar që kapardisen në sallën e Parlamentit, në qeveri, në zyrat e shtetit.

Në këtë situatë, Shqipëria i ngjet Palermos së viteve ‘80-‘90, ku mafiozët jo vetëm mbretëronin me ndihmën e shtetit, por arrinin të njollosnin, madje edhe të dënonin, njerëzit dhe zyrtarët e shtetit që i luftonin ata. E ka thënë një prokuror i famshëm i antimafias italiane: Kur shteti dhe mafia ekzistojnë në të njëjtën kohë dhe hapësirë ose luftojnë, ose bashkëpunojnë. Përderisa shenjat e luftës se shtetit ndaj mafias nuk po i shohim gjëkundi dhe mafian kudo e kurdo, kemi të drejtë të themi: e megjithatë, shteti i mafias ekziston, dhe në Shqipëri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura