E-maili për mësuesit që na poshtëron të gjithëve

Aug 4, 2015 | 12:49
SHPËRNDAJE

Agron Gjekmarkaj
Agron Gjekmarkaj
Një e-mail skandaloz që u drejtohej shkollave të kryeqytetit nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, në të cilin kërkohej deklarimi i bindjeve politike  të mësuesve, bërë dje publik nga Partia Demokratike (nëse rezulton i vërtetë), është Alfa dhe Omega e vizionit të Edi Ramës për Demokracinë. Pse them Edi Rama dhe jo maxhoranca? Sepse ai ka ndërtuar një sistem autoritar, brenda të cilit ka shtypur çdo zë të lirë dhe në ajër tE gjithsecili ndihet frika e ndërprerjes së karrierës dhe te çdo personazh i saj dominon mendimi “uuuf ç’më duhet mua, mbaje Zot kështu”.

Frika ndaj tij i poshtëron të gjithë çdo ditë sipas hierarkisë. Kjo frikë maxhorancën e shndërron në një individ të vetëm. Ky dorëzim është triumfi i tij. Gjasat janë që Kryeministri të mos ketë pasur qëllim që ta duan, por ta druan. Frikën ia servirin si adhurim, si besnikëri, si dashuri, por ai e di të vërtetën, arkitekt i së cilës është. Qesh me vete, argëtohet, koleksionon dobësi njerëzore dhe ambicie, ndërsa demokracia shqiptare shndërrohet në karikaturë të vetvetes, sepse ajo e krahasueshme me modele europiane s’ka qenë kurrë.

Metamorfozë dramatike kjo e Partisë Socialiste, e cila në këto 25 vjet ka bërë beteja themelore për demokracinë në vend, për lirinë e bindjes dhe të votës. Ky e-mail ma trazon kujtesën, po aq edhe ndërgjegjen, më çon pak vite përpara, kur me të njohur të mitë diskutonim mbi problemet e politikës, mbi deformimet e demokracisë, mbi gjuhen e ashpër të shefit të ekzekutivit dhe disa syresh nuk të lejonin t’i bëje asnjë vërejtje pushtetit dhe tani ata përsëri janë me pushtetin, duke i shërbyer atij, të tjerë entuziastë për Edi Ramën, të cilin e mendonin si oksidental e liberal, europianist e demokrat, thoshin veç të ikë Sali Berisha, po ke për të parë që liria do të harliset si pjergulla në oborr.

Tek shikonim pa vështirësi teprimet e pushtetit të Berishës, perceptimin mbi korrupsionin, agresivitetin në komunikim, komisionet qesharake hetimore, banalizimin e pushtetit dhe veljen prej tij, largimin e zërave kritikë nga PDja, shpalljen armike të opozitës, ndryshimin e rregullave të lojës pas mbarimit të saj, siç ishin zgjedhjet e 8 majit 2011 në Tiranë, fitues moral edhe numëror i të cilave qe pa dyshim Lulzim Basha, por me rregullat kurban ndonjë dilemë udhëtonte nëpër kokë. Ndoshta më mirë të ndodhë rrotacioni, mbase çlirohen energji të reja, mbase miqtë e mi kanë të drejtë etj., etj.!

Megjithëse nuk kisha aspak ndërmend t’i bashkohesha “popullit ushtar”, armatës së madhe të një milion votave, le të ndodhte pa mua “ndryshimi” për një mosbesim gjenetik ndaj së majtës shqiptare dhe agjitpropit të saj letyrak, por edhe për nostalgji të gjërave pozitive që PD dhe Sali Berisha kanë bërë për Shqipërinë në mbi dy dekada. Qibaret, të cilët emri i Berishës i murreten, i përndez dhe i përskuq, le të mbyllin sytë e veshët. Arsyeja e tyre halucinative nuk ma prish gjumin prej shelegu që po bëj ndanë detit.

Nuk kam qenë kurrë në paradhomën e tij kryeministrore, nuk kam marrë prej tij asnjë post, asnjë ofiq, asnjë pronë, asnjë licencë, përveç mërinë e “besnikëve” të tij me Jozefinën në krye për disa vjet po prej një posti që e kam pasur në Presidencë në kohën e Bamir Topit, të cilit i jam mirënjohës për besimin. Pse ky personalizim i këtij shkrimi? Për faktin se lajmi mbi këtë e-mail nëpërmjet të cilit kërkohet deklarimi i bindjeve politike më trondit, më fyen si qytetar e pedagog, më zhvat shpresën se fëmijët tanë do rriten me dinjitet sepse, siç thotë Xhovani Sartori, “mbi të gjitha demokracia është shpresë”. Nuk e ka bërë kurrë askush në këtë vend.

Kishte disa vjet që në Shqipëri mësuesve dhe mjekëve nuk u kërkonte askush të deklaronin se cilën parti votonin. Ka pasur abuzime edhe të shëmtuara me fëmijët në fushata elektorale, por askush në kohë “paqeje” nuk i trazonte më mësuesit. Sali Berisha nuk e ka bërë këtë, por “i tmerrshmi” thjesht u dyfishoi rrogat dhe ndërtoi mbi një mijë shkolla. Po të ndodhte në kohën e tij, Edi Rama me Ditmirin do të shkonin ambasadë në ambasade, në Bruksel, në Këshillin e Europes, në Komisionin Europian, në Parlamentin Europian e mirë do të bënin. Edhe opozita e tanishme nuk duhet të mjaftohet me leximin e qashtër të një deklarate nga Luçiano Boçi.

Një ngjarje e pazakontë kërkon reagim po të tillë. U kthehem përsëri i trazuar peripecive të ndërgjegjes. Si do të reagonin të njohurit e mi nëse kjo ndodhte para vitit 2013?…. Do të çmeriteshin!? Do të bërtisnin: tmerr, kob, zi, diktaturë! Ja ç’bën Sali Berisha!…. Oh e mjera Shqipëri, çohu o popull, merre fatin tënd në dorë… psherëtima dhe rënkime…! Këtë nuk e ka bërë Sali Berisha, por Edi Rama, instrumentet e tij politike, pas gjithë atyre “betejave” për demokraci në tetë vite opozitë. Flisni, o të njohurit e mi, pse heshtni, apo pilafi i ngrohtë mbuluar me mëlçi taze i qeverisë ju ka mbushur bulçinjtë dhe gjuha ju mbështillet nëpër dhëmbë?!

Kontrolli mbi bindjet politike, frika për vendin e punës dhe bukën e fëmijëve është tipar i diktaturave dhe vizion udhëheqësish totalitarë. Kështu plazmohet thelbi i “banalitetit të së keqes”. Në Europë këtë e kanë bërë shekullin e kaluar Nazizmi, Fashizmi dhe Komunizmi. Në Shqipëri këtë e ka bërë Enver Hoxha me një sukses të padiskutueshëm. Po ashtu, simptoma të këtij vullneti po shfaq Edi Rama. Nëse ky është një fakt jashtë dëshirës së tij, atëherë të distancohet publikisht dhe të kërkojë ndëshkim ligjor të autorëve.

Por prapë diçka nuk bind, edhe nëse kjo nuk është pjellë e gjenialitetit të tij mendor, janë me qindra thyerjet, shkeljet, përdhunimet që kjo qeveri i ka bërë ligjit në dy vjet. Sfida ndaj ligjit është e përditshme, si në vitin 1967, kur thuhej “Pse ligjet tona do të na pengojnë ne të godasim armiqtë tanë?!”. Kjo pyetje është tipar i veprimit politik të Kryeministrit. Edi Rama nuk ka asnjë sukses për t’u mburrur, ani edhe pse i ka fituar zgjedhjet lokale, veç njërit, meritë krejt e tij, ndërtuar hap pas hapi: Ai ka shtuar dëshirën për krahasim me paraardhësin në punë dhe gjeste, prej të cilit po formësohet legjitimiteti i nostalgjisë për Sali Berishën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura