E-mailet drejtuar shkollave, drejtoresha e DAR: Posta elektronike është hakuar dhe përdorur qëllimisht

Aug 3, 2015 | 18:54
SHPËRNDAJE

Vetëm pak orë pas denoncimit të PD-së se Drejtoria Arsimore e Qarkut të Tiranës u ka dërguar e-mail drejtorëve të shkollave për të përpiluar lista të mësuesve sipas bindjeve politike, ka reaguar edhe kreu i këtij institucioni.

Drejtoresha e DAR Tiranë
Drejtoresha e DAR Tiranë
Eglantina Metani, në një deklaratë për mediat, thekson se ditët e fundit, adresat e postës elektronike të DAR-it kanë qenë në sulm të vazhdueshëm kibernetik. Dhe viktimë e këtij sulmi, sipas saj, ka rënë asistentja e saj.

“Dëshpërimi i atyre që nuk duan të shohin reformat e ndërmarra në arsimin parauniversitar ka arritur kulmin. Në përpjekje për të baltosur punën e bërë në këto dy vjet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Qarkut Tiranë, ditët e fundit në adresën time të email-it janë ndërmarrë disa sulme që tentonin të thyenin fjalëkalimin për të përdorur me pas atë llogari.

 Fatkeqësisht, edhe pse dështuan me adresën time të postës elektronike, viktimë e këtij sulmi ka rënë asistentja ime, së cilës me sa duket jo vetëm i është thyer fjalëkalimi, por llogaria i është përdorur edhe për qëllime të ulëta politike”, shkruan deklarata.

“Nuk ka asnjë kërkesë nga institucioni që unë drejtoj për t’u informuar mbi bindjet politike të mësuesve në shkollat e Qarkut të Tiranës. Për ne, shkolla është e depolitizuar dhe siç treguam në zgjedhjet e fundit të qershorit, koha kur mësuesit përfshiheshin në fushata elektorale ka marrë fund.

Dëshiroj t’i kërkoje ndjesë çdo mësuesi që mund të jetë ofenduar profesionalisht nga akuzat e përcjella në media nga përfaqësues të partive politike. Koha kur mësuesit përdoreshin politikisht nga eprorët ka mbaruar, pasi kjo administratë është e vendosur për t’i mbajtur plotësisht të depolitizuara institucionet arsimore”, vijon ajo më tej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura