E larguar nga shtëpia me vetëm një lodër, 6-vjeçarja: Dua të bëhem doktoreshë

Dec 2, 2019 | 11:13
SHPËRNDAJE

SHKODER/ SENAD NIKSHIQI/ Një lodër prej pelushi është i vetmi send që Ema ka marrë me vete nga banesa e saj. “Shtëpia ime është krisur”, thotë 6-vjeçarja, e cila e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur. Familja e vajzës së vogël, bashkë me disa familje të tjera nga Durrësi, janë strehuar në një hotel në hyrje të Shkodrës, sepse shtëpitë e tyre janë të pabanueshme.

vajza loder

Ajo është motra e Enes Baçi, 11 vjeç, i cili thotë se vendosën të vijnë në Shkodër për të hequr frikën nga tërmetet, që në Durrës nuk pushuan për disa ditë me radhë. “Kam ardhur në Shkodër pas tërmetit, sepse ishte shumë i fortë, u trembëm. Shtëpia jonë është e pabanueshme, gati po shembet dhe momentalisht nuk kemi se ku të jetojmë. Kemi jetuar pak te gjyshja, por vendosëm të vijmë në Shkodër, që të hiqnim mendjen dhe frikën nga tërmetet. Jam një nxënës i mirë dhe më pëlqen shkolla, sepse aty marrim dije dhe mund të bëhem i njohur në të ardhmen”, tregon Enes Baçi. Ai është tifoz i basketbollit, ka shkuar në pallatin e sportit në Shkodër dhe pasi ka parë një ndeshje kontrolli, ka takuar basketbollistët e Vllaznisë, ndërsa është surprizuar kur presidenti Alban Xhaferri e ka marrë në një darkë bashkë me lojtarët dhe djalin e tij.

“Kam shkuar në pallatin e sportit ‘Qazim Dervishi’. Hera e parë që po shihja një stërvitje të Vllaznisë, e cila kishte një ndeshje kontrolli. Takova 3-4 lojtarë që kanë qenë me Teutën, të cilët i njihja. Babi erdhi të më merrte, por presidenti i Vllaznisë i tha që donte të më mbante për të ngrënë një darkë bashkë me lojtarët e Vllaznisë dhe djalin e tij. Shkuam në një restorant, kemi ngrënë darkë dhe pastaj presidenti më solli në hotelin ku jemi strehuar. Ia kalova shumë mirë, janë djem shumë të mirë dhe luajnë shumë mirë basketboll që nga amerikanët edhe shqiptarët e Vllaznisë. Kam parë disa ndeshje të tyre”, tregon 11-vjeçari.

loder vajza

Serena Mexhidi, nxënëse në vitin e parë në shkollë të mesme, është kushërira e Enes Baçit, ndërsa edhe ajo ka ardhur në Shkodër për t’u strehuar. Serena thotë se eksperienca nga tërmeti është tejet e frikshme, ndërsa ato përjetime janë ngulitur në mendjen e saj. Serena tregon se si ka parë shtëpinë e saj të dëmtuar.

“Shtëpia është shkatërruar, kishte dëme të mëdha dhe nga frika erdhëm këtu që të kalojmë panikun, sepse tërmetet nuk kanë pushuar. Ishte eksperiencë e frikshme dhe mos e provoftë askush. Pas tërmetit, kemi dalë menjëherë jashtë e nuk jemi kthyer akoma te banesa. Për momentin jemi këtu në Shkodër. Qëndruam pak te gjyshja, se e kishte më pak të dëmtuar dhe më pas lëvizëm. Jam në vit të parë në shkollë të mesme dhe jam një nxënëse e mirë. Më pëlqen kimia dhe në të ardhmen mund të bëhem një kimiste e mirë, sepse i përkushtohem. Ëndrra ime është ndryshe nga lëndët shkollore, sepse unë merrem me volejbollin dhe kam ëndërr që të bëhem volejbolliste e ekipit të parë të Teutës. Tani luaj me të rejat”, tregon 15-vjeçarja.

Në këto ditë të pazakonta, kur rrugëtimi i së ardhmes duket i vështirë për këta fëmijë, ata nuk mposhten. Ëndrrat e tyre nuk ndalen.

“Dua të mjekoj gjyshërit”, thotë 6-vjeçarja, pas gjithë asaj që ka përjetuar ditët e fundit. Ndërkohë, pasi kanë dëgjuar për historinë e Serenës, volejbollistes 15-vjeçare nga Durrësi, skuadra e volejbollit të Vllaznisë i ka bërë një surprizë, duke e vizituar në hotelin në hyrje të Shkodrës, ku është strehuar bashkë me familjen. Një moment emocionues për Serenën dhe familjarët e saj. Në shenjë simbolike, vajzat shkodrane i dhuruan një bluzë të Vllaznisë Serenës dhe një top volejbolli, bashkë me emrat e tyre, duke i treguar se 15-vjeçarja dhe gjithë bashkëmoshatarët e tjerë janë në zemrat e tyre në këto ditë ku dhimbja është kryefjalë. Ajo që hyri e para ishte kapitenia e Vllaznisë, Flavia Petëza, dhe më pas gjithë vajzat e tjera. Bluza dhe topi nuk ishin të vetmet surpriza për Serenën volejbolliste.

Trajneri i Vllaznisë i të rejave Besnik Lisha i bëri një ftesë direkte, për sa kohë 15-vjeçarja të qëndrojë në Shkodër, sepse në sport asnjëherë nuk ka kufij e as ndasi, aq më tepër në këto momente ku të gjithë janë zemërthyer.

“Serena unë jam Besnik Lisha, trajneri i të rejave të Vllaznisë. Gjithë këto vajza janë pak a shumë mosha jote dhe nëse ke dëshirë që të vish e të stërvitesh çdo ditë, fillojmë që të hënën, je e mirëseardhur. Bëjmë stërvitje të mirë, kemi vajza të mira. Nëse do, vijmë dhe të marrim çdo ditë me makinë. Mendoje dhe na thuaj”. Një nga lojtaret e ekipit, Stela Kiri, shprehet se në këto ditë të vështira, të gjithë duhet të solidarizohen me të dëmtuarit nga tërmeti. “Kemi ardhur për të mbështetur njerëzit që janë prekur nga tërmeti. Në këtë rast bëhet fjalë për Serenën, është një volejbolliste dhe si gjithë të tjerët, edhe ne duam që të ndihmojmë në mënyrën tonë. Uroj që Serena dhe gjithë njerëzit e tjerë ta kalojnë sa më shpejt këtë vështirësi të madhe dhe shprehim ngushëllime për familjet e 51 viktimave. I kemi sjellë Serenës disa gjëra që mund ta bëjnë të ndjehet mirë, ashtu siç do të ishim ndier edhe ne në vendin e saj”, tha ajo.

Trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra, Mark Kroqi, njëkohësisht edhe drejtor i “Sport Klub Vllaznia” përveç ngrohtësisë dhe momenteve me 15-vjeçaren, shprehet se do të ndërmarrë një nisëm që shumësportëshi në Shkodër të kontribuojë me vlera monetare për familjet e prekura nga tërmeti, duke ia bashkuar miliona shqiptarëve që po dhurojnë, në disa raste edhe qindarkat e fundit, që e nesërmja të jetë e ndritur për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët e prekur nga tërmeti tragjik.

“Një moment ky shumë i bukur dhe shumë emocionues pas gjithë asaj vështirësie që ka kaluar Serena dhe të tjerë në zonat e prekura nga tërmeti, ku po përballen me një tragjedi të jashtëzakonshme. Është një moment që gjithsecilin prej nesh e ka bërë të reflektojë. Gjithë njerëzit e prekur kanë shumë nevojë për solidaritet, për mbështetje. Ne nuk bëmë asgjë përveçse erdhëm për të kaluar disa momente me këtë vajzë, e cila është përfaqësuese e volejbollit dhe për të dhënë një mesazh se sa shumë i rëndësishëm është sporti. Mendoj që të marrim një nismë, ku ne si punonjës, si drejtues, dhe bashkë me sportistët e stafet, të ndihmojmë me çfarë kemi mundësi dhe me mjete monetare për t’u solidarizuar me këta njerëz”, deklaroi Kroqi. Serena Mexhidi, pas kësaj surprize dhe dhuratave të bukura, përjetoi emocione të forta nga kjo vizitë e volejbollisteve të Vllaznisë, të cilat nga sot e tutje do të jenë disa nga mikeshat më të mira të saj, që nuk do t’i harrojë asnjëherë, duke shënjuar tek ajo një moment të papërsëritshëm dhe shpresëdhënës…

“Faleminderit shumë për këtë surprizë në këtë kohë kaq të vështirë për ne. Falënderoj të gjitha gocat, trajnerët, stafet dhe këdo tjetër që na janë gjendur pranë. Jam shumë e emocionuar, aq sa nuk mund të flas dot më shumë, sepse është një surprizë shumë e bukur për mua. Ajo që ju premtoj, është se unë do ta vazhdoj ëndrrën për t’u bërë volejbolliste”, tha 15-vjeçarja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura