“E kthen policinë në politike, ushtare të Edi Ramës!”/ Petrit Vasili: Pas 25 prillit anulojmë ligjin e vettingut të bluve! Kokat të përfshira në krim e korrupsion

Feb 26, 2021 | 12:15
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili komentoi vizitën e Edi Ramës në Berat, duke risjellë në vëmendje deklaratat e kryeministrit katër vite më pare, ku sipas tij kryente një krim kushtetuese duke i kërkuar bluve që të ktheheshin në polici politike që të bënin vota për PS.

Vasili tha se kokat e policisë janë përfshirë në krim e korrupsion dhe e kalojnë lehtësisht Vetingun, që është një nul. Nënkryetari i LSI-së deklaroi se qeveria e re e dalë nga zgjedhjet do anulojë ligjin e vettingut në polici. 

Opozita, pas fitores së 25 prillit, do të anulojë këtë ligj të vettingut, do ta shfuqizojë, do ta zhdukë një ligj të tillë të poshtër e të shëmtuar, i cili është një ligj që kërkon vetëm e vetëm transformimin e policisë në një polici politike, ushtare të Edi Ramës dhe jo ushtare të ligjit”, shprehet Vasili.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit

Të nderuar qytetare dhe qytetarë,

Pak çaste më parë, ju ndoqët Edi Ramën në Berat. Por unë jam këtu që t’ju kujtoj të gjithë qytetarëve që të mos harrojnë kurrë që katër vjet më parë, po në Qarkun e Beratit, ishte po ky Edi Rama, i cili kryente ditën për diell një krim kushtetues të padëgjuar kurrë më parë në Shqipëri, atë që i kërkonte policisë të braktiste ligjin, të braktiste detyrën e të kthehej në një polici politike, që bënte vota për Partinë Socialiste.

Po e rikujtoj edhe njëherë duke parë në video këtë turp të konsumuar katër vite më parë nga Edi Rama, po në Berat dhe që është një krim shumë i shëmtuar kushtetues. Ju lutem ndiqni videon për ta pasur më të freskët në memorien tuaj:VIDEO:

Edi Rama, sic e shikoni, ka pasur dhe ka në mendje vetëm njerëz, punonjës të shtetit, të cilët janë thjesht dhe vetëm ushtarë të Rilindjes. Për këtë arsye Edi Rama nëpërkëmbi dhe shkatërroi e prishi edhe një ligj që u miratua vite më parë për Vettingun në Polici. E këtë ligj që u hartua atëherë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, e ku ne si forcë politike dhamë mbështetjen tonë, në mënyrë që ta pastronim kokën e policisë nga inkriminimi me trafiqe, me korrupsion, me mbështetjen e parave të pista dhe me gjithë veprimtaritë e tjera ilegale dhe kriminale, u katandis dhe u shndërrua në një copë rreckë, sepse u ndryshua totalisht. Iu hoqën të gjitha nenet përkatëse. I gjithë vettingu në vend të kryhej nga një trupë e pavarur e Policisë, u krye thjesht nga të njëjtët njerëz, që në mënyrë selektive, donin të largonin njerëzit e ndershëm, punonjësit e policisë që zbatojnë ligjin dhe për ti kthyer ata në një polici politike.

Ky është një nga aktet më të rënda që mund të ndodhte. Degradimi i këtij ligji ishte kryerja e shantazhit edhe mbi policin më të thjeshtë, duke i kërkuar atij edhe faturat e llacit të banesës së ndërtuar 27 vjet më përpara, të atyre shumë banesave të varfra, të shumë policëve që vijnë nga familje të thjeshta, të ndërtuara me solidaritetin e vëllezërve, kushërinjve, të gjithë bashkë për të siguruar mbijetesën në banimin e tyre. E këta mijëra policë mbahen nën shantazh, e kokat e policisë të përfshira në krim, në trafik, në korrupsion, në drogë e gjithçka kalojnë lehtësisht vettingun, qofshin këta edhe ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit.

Ky vetting është nul, është zero. Opozita, pas fitores së 25 prillit, do të anulojë këtë ligj të vettingut, do ta shfuqizojë, do ta zhdukë një ligj të tillë të poshtër e të shëmtuar, i cili është një ligj që kërkon vetëm e vetëm transformimin e policisë në një polici politike, ushtare të Edi Ramës dhe jo ushtare të ligjit, apo ushtare të qytetarit të thjeshtë, që ti shërbejë atij për ti qëndruar prapë, për ti garantuar siguri, për ti treguar që ligji është në krahun e qytetarit dhe jo në krahun e trafikantit, horrit dhe të kriminelit.

Prandaj do ta anulojmë këtë ligj dhe do të bëjmë një ligj, që do të kërkojë një pastërti të jashtëzakonshme, qelibar, për të gjithë krerët e policisë sepse populli me të drejtë thotë që: ‘Peshku qelbet nga koka’, e nuk do të lejojmë kurrë që njerëz të inkriminuar të vazhdojnë të qeverisin Policinë e Shtetit.

Patjetër do të bëjë zero edhe këtë pseudo-vetting, që u dha alibi këtyre maskarenjve dhe ata do ti nënshtrohen nga e para një vettingu, por të bërë nga një trupë e paanshme dhe jo nga ata që i bëjnë vetting vetes së tyre. Ky anulim i këtij ligji është një mesazh i qartë që Policia e Shtetit do ti shërbejë vetëm ligjit dhe do ti shërbejë edhe në kontrollin e pastërtisë dhe të rregullit të tyre. Pra, në plotësimin e rregullave, atij legjislacioni i cili është, por i cili nuk zbatohet qëllimisht. Të gjitha instrumentet janë dhe policia nuk ka nevojë për instrumente shantazhi, ka nevojë vetëm për zbatimin e ligjit, e kjo është në sytë e të gjithë qytetarëve në mënyrë të përditshme. Ata e kanë shumë të qartë se kush e zbaton ligjin e kush bën presion politik. Kush zbaton ligjin e kush i hap derën trafikantëve. Kush zbaton ligjin e kush janë ata shefa e komisarë policie që mbyllin sytë përpara qindra hektarëve të mbjella me kanabis. Të atij që zbaton ligjin apo të atij që nuk i shikon kriminelët që lëvizin në mes të Tiranës, e që lajnë hesapet mes sheshit, ndërkohë që krerët e policisë hanë e pinë nëpër restorante.

Pra, anulimi i këtij ligji është në shërbim të qytetarëve, sepse si i tillë sic ishte dhe në mënyrën që ndodhi, u kthye në një alibi të gjithë kriminalizimit të kokës së Policisë së Shtetit, e cila u kthye në këtë mënyrë në një imazh të fëlliqur në duart e Edi Ramës.

Ky mesazh që na vjen nga katër vjet më parë është që nuk duhet pasur asnjë iluzion e asnjë hezitim për të ndërmarrë të gjitha veprime, që opozita do ti ndërmarrë në mënyrë të menjëhershme, për të kthyer përfundimisht Policinë e Shtetit në një polici mike të qytetarit dhe armike e betuar e kundërvajtësve, e kriminelëve dhe e trafikantëve, për të kthyer Shqipërinë në normalitet e për ti bërë shqiptarët që të ndihen vërtet në shtëpinë e tyre, e të mos ndihen të huaj në shtëpinë e tyre, për shkak se kriminelët kanë rrëmbyer shtetin dhe Policinë.

Ndaj anulimi i menjëhershëm i këtij ligji do të ishte një mesazh i drejtpërdrejtë në këtë drejtim.

Ju faleminderit të gjithëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura