E konfirmon ministria e Arsimit: Mësimi me turne/ Evis Kushi: Në respekt rigoroz të ruajtjes së distances, në shkollat ku është e nevojshme do të…

Sep 21, 2021 | 9:37
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Nuk ka më dyshime. Viti i ri shkollor do të jetë si i vjetri. Pavarësisht përpjekjeve për një proces normal, i nxitur edhe nga vaksinimi i stafit pedagogjik, mësimi nuk do të mund të zhvillohet njëjtë si përpara pandemisë për aq kohë sa ka kufizime, si për qëndrimin në klasë ashtu edhe për lëvizjen.

evis kushi

Një gjë të tillë e konfirmoi një ditë më parë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, pas mbledhjes virtuale që zhvilloi me drejtues të zyrave vendore në rrethe mbi përgatitjet për vitin e ri shkollor.

DEKLARATA

Në shumë foto dhe pak informacion mbi atë çfarë u diskutua në tryezën online, e para e arsimit e bëri të qartë se mësimi do të zhvillohet kundrejt respektimit të masave anti-COVID që kërkon edhe këtë vit mësim me turne për të ruajtur distancën minimale 1.5 metrash. “Në fokus kryesor të takimit ishte respektimi i protokolleve sipas ‘Udhëzuesit mbi masat ndaj COVID-19 në strukturat arsimore parauniversitare’, të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, shkruan ministrja, teksa shton se “respekt rigoroz të ruajtjes së distancës, në shkollat apo klasat ku është e nevojshme, do të aplikohet përsëri mësimi me turne”.

Kjo deklaratë i jep fund një herë e mirë aludimeve nëse pas një viti e gjysmë mësim, të ndarë midis shtëpisë e shkollës, nuk do të mund të ketë ende një vit normal mësimor. Për shkak të kapaciteteve të kufizuara fizike të klasave, shumica e shkollave do të duhet të qëndrojnë të hapura përgjatë gjithë ditës, me dy apo edhe tri turne.

SHIFRAT

Vitin e kaluar, 1097 të tilla funksionuan me një turn të vetëm, 472 me dy turne dhe 183 shkolla me tri nënturne, me orë që varionin nga 20, maksimumi 30 minuta. Në gjuhën statistikore, shumica e shkollave mbulohen me mësim normal, me orë 45- minutëshe e pa shumë barriera. Por, janë pikërisht këto shkolla që kanë problematika të tjera dhe distanca është e kotë të kërkohet.

Bëhet fjalë për klasa të bashkuara në zona rurale brenda të cilave mësojnë nxënës të moshave të ndryshme. Sipas të dhënave të rifreskuara, vitin e kaluar ishin 1165 shkolla kolektive, ndërsa këtë vit pritet të jenë 81 më pak. Një tjetër problematikë që i bashkëngjitet atyre në shkolla është zbrazja e tyre nga viti në vit. Adresimi i nxënësve drejt shkollave në zona më të largëta për të mbyllur shkollat kolektive ka detyruar shumë familje të braktisin zonën drejt qytetit ose jashtë vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura