E keqja dhe drejtësia e re, në garë me kohën

Aug 27, 2018 | 15:40
SHPËRNDAJE

prec-zogajPREÇ ZOGAJ

Pritshmëritë e larta të sh qiptarëve për Reformën në Drejtësi goditen çdo ditë nga vonesat e stërkëmbëshat, por mbi të gjitha nga superkorrupsioni aktiv i zyrtarëve të kupolës së lartë qeveritare. Para pak ditësh treguam në gazetën “Panorama” se kostoja për kilometër e rrugëve fushore Milot-Balldren dhe Thumanë-Kashar, që do të ndërtohen me skemën e PPP-së, është më e lartë se kostoja e autostradës malore RepsThirrë, pjesë e Rrugës së Kombit, që u ndërtua nga hiçi duke zhbërë malin. “Teorema”, që nuk ka nevojë për vërtetim në këtë rast, është ajo që nënvizuam në shkrimin e mëparshëm: Nëse  PPP-të e Ramës nuk janë vjedhje, i bie që Rrugën e Kombit dikush na e ka bërë dhuratë! Gjatë ditëve të fundit, PD në opozitë po denoncon tenderët që ka marrë si nënkontraktor dhe kontraktor biznesmeni Edmod Bego, i dënuar për trafik droge në Itali, mik familjar i kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Është e vërtetë se çdo i dënuar që ka kryer dënimin ka të drejtë të shohë përpara e të ndërtojë një jetë të re. Dhe është e rëndë t’i përmendësh atij rast e pa rast gabimin apo fajin e shlyer. Ndodh gjithashtu të kemi fqinjë apo njohje me persona që kanë kryer dënime apo kanë rënë në telashe të ndryshme gjatë jetës. Puritanizmi ekstrem në sjelljen ndaj tyre do të ishte një formë e papastërtisë sonë shpirtërore, siç do të thoshte Shën Agostini. Në rastin në fjalë dalin në pah disa anomali, që nuk kanë të bëjnë me biznesmenin si person dhe as me etikën, pudorin dhe tolerancën që duhet të tregojmë në sjelljen me njerëzit që kanë bërë gabime apo faje. Të themi vetëm prej tyre.

E para, shkelja e ligjit që ndalon personat e dënuar të marrin pjesë dhe të përfitojnë para nga tenderët publikë. Shkelja e ligjit në rastin konkret pohon dhe demaskon klientelizmin me mbështetje qeveritare si një dukuri e përhapur në gjithë sistemin e tenderimit të fondeve publike në Shqipëri. Përgjegjësia këtu është njëqind për qind e pushtetit dhe agjencive të tij.

E dyta, afeksioni i veçantë i Ramës me shokë për kategorinë e individëve të përfshirë në trafiqe dhe veprimtari të paligjshme. Rasti i Begos është vetëm maja e ajsbergut e një ortakërie të ngushtë politike dhe ekonomike në këto nivele. Qeveria u jep mundësi atyre të fitojnë para. Në shkëmbim, ata i ofrojnë qeverisë dhe kandidatëve ryshfete, blerje votash, dhunim të zgjedhësve. Shembuj të kësaj ortakërie të kobshme për zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri kemi me qindra, mijëra. Autori i këtyre radhëve ka denoncuar një pjesë prej tyre në libra dhe shkrime.

Çfarë lidhjeje ka e gjithë kjo me pritshmëritë në Reformën në Drejtësi?

Lidhja është kjo: Të parët që veprojnë sikur kjo reformë nuk do të sjellë kurrë drejtësinë që do të godasë korrupsionin në sferat e larta janë Kryeministri Edi Rama me ekipin e tij. S’ka pikë rëndësie çfarë thonë. Ajo që bëjnë, i shumëzon me zero të gjitha ato që thonë. Rama nuk do të guxonte kurrë të luante kaq rëndë me paratë e shqiptarëve po të besonte vërtet se po vjen drejtësia e shumëpritur, që do të rrëzojë kuçedrën e pandëshkueshmërisë në sferat e larta.

PPP-të, koncesionet dhe tenderët korruptivë të qeverisë së tij janë investimi më i fuqishëm kundër drejtësisë së re, që u kanë premtuar shqiptarëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe ndonjë aleat tjetër perëndimor. Në këtë pikë, Rama ose beson vërtet se do të ketë në dorë fijet e drejtësisë së re, ose mendon se partnerët do të ngecin në baltovinën shqiptare dhe si përfundim e gjithë kjo zhurmë do të përfundojë në “ku ishe, asgjëkundi”.

Për mua, është jashtë imagjinatës që bashkautorët e hartimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, miqtë amerikanë e europianë, të lejojnë kapjen e drejtësisë nga çdo kryeministër dhe aq më pak nga Kryeministri i një qeverie që e ka ngritur korrupsionin në nivelin “të shfrenuar”, siç vlerëson raporti i Departamentit të Shtetit. Pse duhej ta bënin gjithë këtë punë, kur drejtuesit e lartë të Shqipërisë, përfshirë Kryeministrin aktual, të kapur e kanë pasur drejtësinë e vjetër? Në një version teorik, aspak realist, sipas meje, Rama mund edhe ta marrë timonin e drejtësisë se re. Por që t’ia japin, as që bëhet fjalë. Kjo do të thoshte që ai të mundte SHBA-në, BEnë dhe opozitën e vendit.

Kjo nuk mund të ndodhë, siç nuk ka gjasa të ndodhë edhe tjetra: që partnerët të lodhen me mjeshtrit shqiptarë të xhirimit dhe të kënaqen së fundi me një produkt të mesëm, as mish as peshk, që edhe drejtësinë e rinovon, edhe krerët e vendit i siguron! Të gjitha shenjat tregojnë se kësaj radhe projekti për të çliruar vendin e vogël mik nga gangrena e pandëshkueshmërisë do të shkojë deri në fund, me fare pak firo në raport me parashikimet paraprake.

E gjithë loja po bëhet me kohën.

Është një garë e ethshme me kohën midis politikanëve të korruptuar, malavitës, krimit e tradhtisë, në një anë dhe drejtësisë së re që do të guxojë të çojë ligjin e republikës në sferat ku nuk ka vepruar e nuk vepron, në anën tjetër.

Gara me kohën është një koncept i njohur. Për ta kuptuar më mirë, mund të sjellim shembullin e luftës për çlirimin e Kosovës. Garë me kohën ishte ajo mes sulmeve nga ajri i forcave të NATO-së dhe terrorit që ushtronin në tokë kundër popullsisë civile forca militare dhe paramilitare të Serbisë së Millosheviçit. Kush do të fitonte? Do të sprapseshin forcat serbe, apo do të zbrazej Kosova? Kjo ishte gara, që dihet si ka përfunduar.

Gara aktuale me kohën me kohën midis së keqes dhe drejtësisë së re në Shqipëri shfaqet në disa forma dhe nivele, nga maja e piramidës së pushtetit në bazën e saj.

Një formë e veçantë është dëshira e shoqëruar edhe me përpjekje për të mbajtur një Shqipëri politikisht mes lindjes dhe perëndimit në kushtet e reja të hapjes dhe angazhimit formal për integrimin e vendit në BE, duke ruajtur mendimin e fshehtë se BE mund të shpërbëhet. Një Shqipëri e tillë ka qenë de fakto kafazi i artë i elitave të korruptuara për të ruajtur privilegjet e pushtetit në kurriz të zhvillimit, mirëqenies dhe orientimit perëndimor pa ekuivok të vendit. Politikanët dhe oligarkët e këtij orientimi besojnë se Reforma në Drejtësi mund të ngordhë, apo thënë ndryshe, mund t’u sakrifikohet ekuilibrave të dëshiruara gjeopolitike në rrafsh të gjerë, që favorizojnë statuskuonë në Shqipëri. Ata kanë sensorë shumë të ndjeshëm, por gabojnë rëndë kur interpretojnë në optikën e dëshirës, sikur SHBA-të do t’u hapin krahun influencave ruse në rajon dhe në Shqipëri ose, në një formë më të zbutur, do të lejojnë baraspeshimin e këtyre influencave. Nuk ka asnjë gjasë që kjo të ndodhë. Jetike për shqiptarët janë; integrimi, oksidentalizmi. Gara me kohën shfaqet gjithashtu sa si një përpjekje për të marrë çfarë mund të merret, aq edhe si një marrëzi që nuk kupton. Si marrëzia e Hitlerit që bërtiste në bunkerin e tij “do ta fitojnë këtë luftë” ndërsa angloamerikanët në një anë dhe rusët në anën tjetër ishin vetëm dy kilometra larg.

Krimet më të shëmtuara, forcat e së keqes i bëjnë shpesh kur është duke u ardhur ngordhja. Për analogji, në garën e sotme me kohën, korrupsioni ka marrë revan dhe po shënon nivele që nuk t’i merr mendja. Qeveria është në ballë. Me dhjetëra e qindra zyrtarë të vendosur prej saj në nivele të ndryshme të piramidës së shtetit dalin në punë vetëm për të bërë lekë për vete. Institucionet në tërësi janë vitrina cinike e një pushteti që komandohet de fakto nga njerëz të botës së krimit të lidhur me pushtetarët e lartë. Duket si një paradoks i madh që sa më shumë afrohet dita kur pritet të ngrihen SPAK-u, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe të fillojë të funksionojnë prokurorët dhe gjyqtarët e zgjedhur sipas Reformës në Drejtësi, aq më shumë trashet zullumi.

Idenë se politika do t’ia hedhë reformës e deshifron më mirë se asgjë ethja që ka nisur që tani për blerjen e kandidimeve dhe votave për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Një frotë individësh të njohur si blerës votash, si sekserë politikë, si zyrtarë të korruptuar gumëzhijnë gjithandej. Kjo botë e vjetër zhurmon me të gjitha bulçitë shpresën e drejtësisë së re. Me të drejtë njerëzit e thjeshtë thonë gjithandej: Në qoftë se në zgjedhjet lokale do të shkojmë kështu, me trastat me lekë për të blerë kandidime dhe vota, kjo do të thotë se drejtësia e re është sfiduar.

Zëri i këtyre njerëzve është thirrje për një angazhim më të fortë drejtuar partnerëve amerikanë dhe gjermanë, politikanëve të pakorruptuar të partive, intelektualëve të pavarur dhe shoqërisë në përgjithësi. Për çfarë? Për të përshpejtuar drejtësinë e re.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura