“Atentatori” i Doshit mori peng shefin e Krimeve në Vlorë, doli nga burgu në 2008, ja gjithë akuzat (FOTO/VIDEO)

Mar 4, 2015 | 7:45
SHPËRNDAJE

UPDATE-Personi i ndaluar dje në pikën kufitare të Hanit të Hotit në lidhje me hetimet që po bëhen për akuzat e deputetit Tom Doshi, ka qenë i dënuar më parë ndërsa njihet për precedentët e tij penalë. I riu banues në Fushë-Krujë ishte person i dyshuar në vitin 2004 për një vrasje të mbetur në tentativë.
 

Durim Bami

“Panorama” shkruan sot se kjo akuzë i referohej veprës penale të ndodhur në dëm të shtetasve Erzen H. dhe Hasan K. Në lidhje me këtë ngjarje, Durim Bami ka qenë vetëm person i dyshuar, por akuzat ndaj tij për këtë rast nuk janë finalizuar me vendim gjyqësor dënimi ndaj tij.

Dënimi i dhënë ndaj Durim Bamit është ai i vitit 2004 në lidhje me akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë”. Më konkretisht, i riu në vitin 2004 ishte akuzuar për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të ishshefit të Krimeve në Policinë e Vlorës.

Për këtë akuzë, Durim Bami ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga gjykata me katër vjet heqje lirie. Dënimin në djalë Durim Bami e ka përfunduar në vitin 2008, kohë kur edhe ka dalë nga burgu. Nga ana tjetër, në vitin 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte dënuar Durim Bamin me 3 muaj burg me akuzën e vetëgjyqësisë.

Dënimi ndaj tij shkoi në 11 vjet heqje lirie në Apelin e Krimeve të Rënda, por Gjykata e Lartë prishi këtë vendim në vitin 2007 dhe la në fuqi masën e dhënë nga Shkalla e Parë, duke e dënuar përfundimisht të riun vetëm me 3 muaj heqje lirie. Akuza për këtë rast bënte fjalë për një ngjarje të ndodhur në mars të vitit 2004. Durim Bami kishte pritur në Vorë një të njohurin e tij që kërkohej për vrasje dhe, bashkë me të dëmtuarin nga ngjarja, ishin nisur drejt Niklës në Krujë.

“Pasi kanë udhëtuar disa minuta, pa mbërritur akoma ne destinacion, ata (D…dhe Durimi) kanë zbritur të dëmtuarin nga makina dhe e kanë keqtrajtuar për disa çaste, duke i kërkuar dhënien prej familjarëve të tij të shumës 10.000 euro në këmbim të lirisë, pasi në të kundërt do t’i rrezikohej jeta”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas vendimit në fjalë, Durim Bami dhe shoku i tij kanë hipur të dëmtuarin përsëri në makinë, ku e kanë çuar në një banesë dhe e kanë mbajtur peng deri të nesërmen, duke kërkuar paratë dhe kanë arritur të marrin 7 mijë euro. I dëmtuari është lënë i lirë vetëm pasi autorët e krimit kanë marrë paratë e kërkuara në dorëzim.

 

Mjeti “BMW X5” i shtetasit Durim Bami

 

TRITOLI NË FUSHË KRUJË 
Edhe pas lirimit nga burgu në vitin 2008, dyshohet se shtetasi Durim Bami ka pasur lidhje me disa vepra penale të ndodhura vitet e fundit. Ndonëse ndaj tij nuk është ngritur akuzë për asnjë nga këto raste, 36-vjeçari ishte autor i dyshuar nga policia edhe për eksplozivin e vendosur mbrëmjen e të martës në një makinë të parkuar rreth 200 metra larg rajonit të Policisë.

Të martën, në orët e mbrëmjes, në lagjen “Kastrioti” të Fushë-Krujës, pati një shpërthim në makinën me targa AA 044 KJ në pronësi të biznesmenit Edmond Kadiu. Policia dyshoi se autori i kësaj ngjarjeje mund të ishte shtetasi Durim Bami dhe për këtë arsye u bë edhe shpallja e tij në kërkim policor. Një tjetër ngjarje, për të cilën sipas Policisë dyshohet se ka pasur dijeni 36- vjeçari, është rrëmbimi i shtetasit Enver Stafuka më 8 shkurt 2015 në zonën e Fushë-Krujës.

Mbrëmjen e 8 shkurtit 2015 është rrëmbyer nga disa persona teksa hipte në makinën e tij shtetasi Enver Stafuka, i cili në vitin 2013 u akuzua si personi që ka vjedhur makinën që është përdorur për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Tre persona të paidentifikuar kanë marrë forcërisht në mjetin e tyre shtetasin Enver Stafuka, 48 vjeç, person me precedentë të mëparshëm penalë, banues në fshatin Larushk, Krujë. Në lidhje me këtë ngjarje, Policia kishte nisur hetimet ndaj disa personave, përfshi edhe Durim Bamin.

Bami i shoqeruar nga policia ne komisariat

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura