E gjithë Ukraina kundër legjendës që fitoi Ligën e Kampioneve, gati ta zhdukin nga historia për “tradhtinë” në Rusi

Mar 9, 2022 | 21:43
SHPËRNDAJE

Anatoli Timoshçuk është një nga legjendat e futbollit në Ukrainë dhe në dekadat e fundit, sukseset e tij krahasoheshin vetëm me ato të Andri Shevçenkos. Por nga legjendë, ai tashmë është kthyer në një emër të urryer në vendlindjen e tij.

Андрій_Шевченко_та_Анатолій_Тимощук

Ish-futbollisti i cili në karrierën e tij fitoi edhe Ligën e Kampioneve me Bajern Mynih ne vitin 2013, rekordmen në përfaqësuese me 144 ndeshje të luajtura, ka vendosur që të mos largohet nga Zenit Shën Petersburg, klub ku ai mban rolin e zëvendëstrajnerit. Diçka e papranueshme në Ukrainë, pas pushtimit të Rusisë dhe qëndrimit të qartë që e gjithë bota po mban ndaj saj.

Kështu, Komiteti i Etikës në Federatën Ukrainase të Futbollit, ka lëshuar një paralajmërim të qartë ndaj ish-futbollistit për rolin që tashmë cilësohet negativ në situatën e krijuar, pasi jo vetëm vazhdon punën te Zenit, por edhe nuk ka folur publikisht kundër pushtimit rus.

“Që nga fillimi i pushtimit ushtarak rus ndaj Ukrainës, Anatoli Timoshçuk, ish-kapiten i përfaqësueses ukrainase, jo vetëm nuk ka bërë deklarata publike për këtë çështje, por as nuk ka ndaluar bashkëpunimin me një klub të shtetit që sulmon. Duke bërë me ndërgjegje këtë zgjedhje, Timoshçuk dëmton imazhin e futbollit ukrainas”, shkruhet në vendimin për të.

Kështu, janë propozuar një sërë masash ndaj ish-futbollistit nëse nuk ndryshon menjëherë qëndrim:

  • Heqja e licencës si trajner profesionist.
  • Heqja e të gjithë titujve shtetërorë dhe titujve honorifik.
  • Heqja e statusit të fituesit të trofeve kombëtarë me klube në Ukrainë.
  • Heqja e Timoshçuk nga libri zyrtar i lojtarëve që kanë përfaqësuar ekipet kombëtare të Ukrainës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura