E gjithë pasuria e Gjergj Bojaxhi në sitën e Prokurorisë

May 3, 2016 | 16:12
SHPËRNDAJE
E gjithë pasuria e Gjergj Bojaxhi, ish – kandidatit për Bashkinë e Tiranës, është nën sitën e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda dhe Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal në lidhje me aktivitetin e kompanisë “Everest Oil”, ku Bojaxhi është pronar. Mbi të rëndojnë akuzohat për mashtrim me kredi, pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale, si dhe fshehje të ardhurash.

gjergj-933x445

Në dosjen që Drejtoria e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit i ka dërguar Prokurorisë, më datën 4 Mars renditen të gjitha veprimet jo ligjore, që sipas saj, Bojaxhi ka kryer me kompaninë e tij, nga viti 2012 deri në vitin 2016.

Kompania “Everest Oil” është themeluar nga një shoqëri në Napoli, me aksionerë Jola Bojaxhi, bashkëshortja e ish – Drejtori të KESH dhe ish – Zëvendësministrit të Ekonomisë, Andrea Valerio, Oltion Spiro dhe Altin Fani, me Administrator Gjergj Bojaxhi.

Sipas materialit të Policisë së Shtetit, ish – Drejtori i KESH ka bërë transaksione të dyshimta me shtetas dhe kompani ruse e gjeorgjiane të naftës e gazit. Bëhet fjalë për kompaninë “Kokhard Trading Group”, e themeluar në ishujt British Virgin nga Igor Kalinin, një rus i dënuar 7 vjet e 10 muaj burg, për mashtrim dhe ushtrim prostitucioni.

Policia sqaron se, nga Bojaxhi janë depozituar gjatë periudhës 2012 – 2015, mbi 26 milionë dollarë. Veç kësaj shume, 100 milionë dollarë përllogariten paratë hyrëse nga llogari të tjera të kompanisë.

Shoqëria “Everest”, në vitet 2013 e 2014 rezulton me fitim mbi 200 milionë lekë dhe xhiro mbi 18 miliardë lekë, ndërkohë që ka patur respektivisht 11 dhe 6 punonjës, duke mos zotëruar sipas policisë, aktivitet afatgjatë (ndërtesa, mjete pune etj), por të gjitha me qera, si depozitat e naftës, ashtu dhe zyrat e saj.

Policia shton më tej në materialin e dërguar prokurorisë se, duke qenë se “Everest Oil sha” rezulton të jetë një superkompani me fitime mbi 280 milionë lekë, përse Lumturi Hasamataj, vjehrra e Bojaxhi, i shet aksionet për vetëm 26 mijë euro, ndërkohë që nga shpërndarja e fitimit të kompanisë për vitin 2014, Lumturi Hasamataj ka përfituar 60 milionë lekë osë 430 mijë euro.

Totali i kreditimit të kësaj kompanie për vitin 2012 – 2015 është rreth 170 milionë dollarë.

Sipas policisë janë evidente dyshimet për krijimin, zhvillimin dhe operacionet financiare të kësaj kompanie. Ndërsa janë shpërndarë dividentë në shumën e 223 milionë lekëve.

Tv Klan

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura