E frikshme/ Vogëlushja bie në pusetën e hapur në oborrin e kopshtit, kur e pa kalimtari …

Sep 22, 2018 | 22:09
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Një vajzë 4-vjeçare i ka shpëtuar mrekullisht papërgjegjshmërisë së drejtuesve të kopshtit. Ajo ra në një pusetë të hapur në oborrin e kopshtit “Naim Babameto” në Durrës, e cila ishte rreth dy metra e thellë dhe e mbushur me ujë. Për fat të mirë, momenti i aksidentit u pikas nga një djalë rreth të 30-ve, që ishte duke kaluar rastësisht në rrugë.

 Puseta në oborrin e kopshtit, e mbuluar nga stafi pas ngjarjes
Puseta në oborrin e kopshtit, e mbuluar nga stafi pas ngjarjes

Menjëherë, ai kapërceu murin rrethues të kopshtit dhe shpëtoi vajzën 4 vjeçe që përpëlitej në ujë. Në momentin e ngjarjes, vajza e vogël ishte duke luajtur me bashkëmoshatarët e saj, të pashoqëruar nga kujdestaret e kopshtit. Vogëlushja është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, pasi kishte marrë gërvishtje në pjesë të ndryshme të trupit dhe kishte pësuar shok psikologjik.

“Është e papranueshme sesi fëmijët lihen të luajnë në oborrin e kopshtit të pashoqëruar nga edukatoret, për më tepër që në oborr prej kohësh ndodhej puseta e hapur. Neglizhenca e drejtuesit të institucionit dhe stafit për pak sa nuk shkaktuan tragjedinë”, u shpreh dje prindi i një prej fëmijëve që shkon në këtë kopsht.

 Puseta në oborrin e kopshtit, e mbuluar nga stafi pas ngjarjes
Puseta në oborrin e kopshtit, e mbuluar nga stafi pas ngjarjes

Vetëm pas aksidentit të ndodhur rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, drejtuesit e kopshtit nisën të merrnin masa për të vendosur kapakun e pusetës. Drejtori i institucionit nuk ka pranuar të flasë për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa një prind shprehet se ky nuk është rasti i parë. Sipas tij, kjo ka qenë një ngjarje e paralajmëruar, pasi pusetat e hapura janë ekzistente prej një kohe të gjatë dhe askush nuk ka marrë asnjë masë për mbylljen e tyre. Në vendin e ngjarjes ka shkuar Policia, ekspertët e së cilës kanë nisur hetimet.

Hetuesit kanë marrë në pyetje “heroin e ditës”, djalin që shpëtoi vajzën 4-vjeçare si dhe mblodhën deklaratat e përgjegjësve të kopshtit. Ai ka thënë për Policinë se ndërhyri menjëherë pasi pa rastësisht skenën e aksidenti.

“Isha duke kaluar rastësisht. Ktheva kokën nga kopshti, pasi kishte zhurmë fëmijësh. Kur në moment që ktheva kokën, ra një vajzë në pusetë. Nuk mendova gjatë dhe kapërceva murin rrethues dhe shkova e nxora. Ajo po përpëlitej në ujë, ishte vetëm çështje kohe që të mbytej në ujë. Jam shumë i gëzuar që u gjeta në atë moment në atë vend, pasi i shpëtova jetën”, ka thënë “heroi” me shumë modesti për Policinë, duke iu kërkuar uniformave blu të mos e identifikonin.

Edukatorët përgjegjëse nuk pranuan të shpjegoheshin për gazetën, ndërsa për hetuesit kanë pohuar se ishin duke u kujdesur për pjesën tjetër të fëmijëve, të cilët janë në moshë më të vogël. Policia u ka kërkuar drejtuesve përse nuk e kishin vënë në dukje tek institucionet përgjegjëse këtë pusetë të hapur, që për fat të mirë nuk u quajt “gropa e vdekjes”. Por ata janë justifikuar me faktin se nuk e kishin vlerësuar si rrezik këtë pusetë të vogël, që ndodhej në mes të oborrit të kopshtit “Naim Babameto”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura