“E donte të vdekur vetë Enveri”, si e torturuan Dom Lazër Shantonë. Telegramet që i nisi Mehmet Shehut

Sep 28, 2018 | 12:11
SHPËRNDAJE

lazer-shantoja

Marre nga Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/ Dom Lazër Shantoja është ndër klerikët e parë që u ekzekutuan sapo komunistët morën në dorë pushtetin në Shqipërinë e pas Luftës. Dom Lazër Shantoja ishte arrestuar që në ditët e para pasi komunistët morën pushtetin dhe në një telegram të datës 19 shkurt 1945, njoftohet nga gjeneral Spiro Mojsiu se ai ishte ekzekutuar.

Pak ditë më parë, për fatin e tij ishte interesuar vetë Enver Hoxha. Në telegramin që Hoxha i dërgonte Mehmet Shehut në Shkodër me 1 shkurt 1945, ai theksonte se me të duhej të bënin kujdes dhe se ai duhej dërguar në Tiranë. Një telegram tjetër i  Hoxhës, 10 ditë më vonë, aprovon dënimin me vdekje të Dom Lazër Shantosë.

Vetëm 9 ditë pas aprovimit të dënimit të tij me vdekje, Spiro Mojsiu lajmëronte se ekzekutimi i Dom Lazër Shantosë ishte kryer.

Ky është teksti i plotë i telegramit të Spiro Mojsiut, që kujto.al, e sjell sipas origjinalit që ruhet në AQSH:

n.392

dt.19 shkurt 1945

nr.80/1

Mehmet Shehut

Gjegje telit  nr.17 dt.17.II.45. Personat për internim i nisni këtu. Sulce begu e Don Lazri u ekzekutuen.

Gjeneral Spiro Mojsiu

Por, në këtë kronologji ngjarjesh mësohet se Shantoja ka kaluar ditë të tmerrshme mes torturash. Sipas librit “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë”, botim i Arqipeshkvisë së Shkodrës, Dom Lazër Shantoja ishte i pari meshtar që u arrestua pak ditë pas vendosjes së regjimit e tre muaj më pas do të bëhej i pari që do të vritej, duke kaluar ndër torturat më të paimagjinueshme.

Imzot Zef Simoni, në librin e tij kushtuar vuajtveve nëpër burgje, ka thënë për të: “E kanë marrë në hetuesi dhe nuk besoj se kanë torturuar tjetërkënd në Shqipëri, ashtu siç e kanë torturuar atë.”

Në akt-akuzën shkruar në datën 28.01.1945, Dom Lazër Shantoja akuzohet si “bashkëpunëtor i ngushtë i armiqve të regjimit, si fashist i ndezur që ka favorizuar pushtimin fashist dhe ka deklaruar publikisht se Shqipëria ishte koloni italiane duke thënë  “Italia nuk do ta lërë kurrë Shqipërinë”

Në burg e torturuan, duke e bërë të përjetonte vuajtje të papërfytyrueshme e pastaj e vranë. Për këtë, Imzot Zef Simoni thotë: “Qe meshtari i parë i pushkatuar pasi e torturuan tmerrësisht dhe barbarisht. Ndër të tjera, i rrjepën lëkurën e këmbëve dhe mbi mish i hodhën kripë, e përsëri, nën tortura, me hekura të nxehtë i thyen këmbë e krahë dhe e lanë pa mjekime. Trupin e tij të sakatur e çuan për pushkatim”.

Kur e pa në atë gjendje, me duar e këmbë që i vareshin pa asnjë lidhje me pjesën tjetër të trupit, e ëma e cila kishte vuajtur emigrimet e fëmijëve, u tha rojeve: Ju lutem më jepni revolen ta vras!

Kujto.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura