“E djathta duhet të bashkohet”/ Fatmir Mediu: Ne duam të fitojmë me Partinë Demokratike, por i takon asaj që të paracaktojë…

Jan 13, 2021 | 13:14
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu akuzoi kryeministri Edi Rama se po shkatërron çdo gjë të ndërtuar në këto 30 vite.

mediu

Në fjalën e tij, me rastin e 30 vjetorit të themelimit të PR, Mediu bëri thirrje për bashkim të së djathtës, por sipas tij jo për të shërbyer si rehati për këdo politikan apo parti.

 Sipas tij e djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme

“E djathta duhet të bashkohet, por jo për të shërbyer si aneks apo qoshe rehatie për këdo politikan apo parti politike. E djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. E djathta e ka të domosdoshme të ndërtojë në radhë të dytë një koalicion vlerash, ku idetë tona krijojnë shpresë dhe besim. Nuk është e mjaftueshme që të tregojmë vetëm se sa i keq është Edi Rama. Është e domosdoshme të tregojmë që ne kemi forcën për të bashkuar shqiptarët kudo që janë, për t`a bërë Shqipërinë Europiane, për të krijuar shanse dhe mundësi të reja”, tha Mediu.

Ai shpreh se i takon Partisë Demokratike që të paracaktojë dhe të tregojë se cilat janë rrugët e fitores.

“Ne duam të fitojmë me Partinë Demokratike dhe i takon Partisë Demokratike që të paracaktojë dhe të tregojë se cilat janë rrugët e fitores, dhe e vetmja rrugë është rruga e ndershmërisë, për të pranuar se kush je dhe për të pranuar se me kë punon, për të ndërtuar një koalicion vlerash. E vetmja mënyrë për të ndërtuar një koalicion vlerash, elektorale dhe politike, është kur respekton dhe vlerëson peshën e çdo partie politike, dhe në mënyrë të padiskutueshme, kur arrin dhe gjykon sëbashku, kush janë kandidatët që përfaqësojnë këto vlera, për t`a çuar jo thjesht opozitën përpara, por shoqërinë përpara, në mënyrë që në Parlament nesër, të jenë zëri i qytetarëve dhe i mundësisë për një realitet ndryshe, për të ndërtuar shtetin dhe jo vetëm thjesht të jenë në Parlament për t`i shërbyer pushtetit”, tha ndër të tjera Fatmir Mediu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura