E djathta dhe sfidat opozitare që e presin

Aug 13, 2017 | 11:28
SHPËRNDAJE

blendi_sulaj_24053BLENDI SULAJ

Tanimë kanë kaluar rreth 2 muaj nga rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit dhe me një rezultat aspak të kënaqshëm për spektrin e djathtë, simpatizantët, por edhe për ata që opozitën e duan të fortë dhe e konsiderojnë si vlerë dhe jo si shtojcë e veprimeve politike në këto 4 vite.

Koha ishte e pamjaftueshme. Në më pak se 1 muaj ndërtuam një strategji elektorale të mirë, por që kishte vend për korrigjime, krijuam një raport të mirë me njerëzit, por koha e shkurtër ishte e pafavorshme.

U gjendem përballë një gare, ky njëra palë ofroi program dhe alternativa me zgjidhje të prekshme për qytetarët dhe pala tjetër kishte mbaruar pazarin e saj, dhe fushatën elektorale e mbushi me barcaleta dhe me asnjë premtim real për qytetarët. Pavarë- sisht kësaj, morëm një rezultat që nuk na jep të drejtë të shikojmë nga dritarja por, mbi të gjitha, na thotë që të shikojmë te vetja dhe të arrijmë t’i RREGULLOJMË në të ardhmen.

Kjo duhet të ndodhë, duke përballuar të gjitha sfidat që populli na ka ngarkuar duke na vendosur në OPOZITË. Për këtë arsye në këto zgjedhje pamë këto fenomene. 1-Strategjia jonë elektorale ishte e mirë, duke u bazuar në raportet njerëzore dhe, mbi të gjitha, duke arritur të preknim atë që shqiptarëve në këto 4 vite u ishte dëmtuar më shumë:

EKONOMIA, SHËNDETËSIA. Dhe duke u dhënë atyre përfaqësues në lista, ndoshta jo me një eksperiencë të gjatë politike, por ama me moralin për të kërkuar ballëhapur dhe për t’u futur në çdo rrugë dhe rrugicë, pa pasur frikë se kush do të dalë dhe do ofendojë për premtimet e 4 viteve më parë që nuk u mbajtën; më të rinj, më intelektualë, por mbi të gjitha më qytetarë, që kishin sensin njerëzor për t’u përballur në një garë, ku përballë kishim kandidatë që ishin angazhuar në një fushatë të përqendruar te paratë dhe jo të programi.

Përballë kishim njerëz që direktivat i jepnin nga gangsterët e zonës. Por si mund ta ndryshojmë këtë situatë? Unë mendoj se e djathta me të gjitha burimet njerëzore të saj i ka të gjitha shanset për të qenë fituese në çdo garë elektorale, por ajo që ne duhet të korrigjojmë është dashuria për atë që bëjmë, mos të mendojmë se sa do të fitojmë vet, por të mendojmë që do të fitojmë të gjithë.

Mos të mendojmë që në cilën karrige ulemi vetë, por të mendojmë që ku do të shkojmë bashkë. Në këtë drejtim, mendoj se si fillim duhet të korrigjojmë anën tonë psikologjike nga dëshira e madhe për të fituar dhe për të qenë triumfues dhe jo për të menduar se sa do të fitojmë vet.

Së dyti, dhe shumë e rëndësishme, është që kandidatët për deputetë duhet domosdoshmërisht të kenë lidhje me zonën që janë vendosur të përfaqësojnë. Së treti, kandidatët duhet të vendosen minimalisht 1 vit më parë në çdo zonë dhe të ndërtojmë ministrategjinë elektorale, pasi problemet që mund të jenë në Njësinë nr. 6 në Tiranë nuk janë njësoj me atë që janë në Vorë, Kavajë, Tropojë apo Sarandë.

Mbi të gjitha, bërja pjesë e vendimmarrjes e sa më shumë njerëzve, e të gjithë atyre që kanë kontribuar për mbi 25 vite që edhe janë larguar. Është detyra jonë t’i thërrasim dhe jo të presim që do të vijnë vetë. Së fundi, ajo që është me një rëndësi jetike për frymë- marrjen në të ardhmen, është bërja pjesë në struktura të të rinjve.

Të rinjtë, nëse ne gjejmë mekanizmat e duhura që ata ta gjejnë veten brenda nesh dhe të ndërtojmë strategjinë tonë fituese me ata, do të jetë hapi ynë i parë dhe më i sigurt drejt fitores.

2- Raportin me njerëzit ne e krijuam në më pak se 25 ditë aktive, por a e fituam ne besimin e të gjithë atyre të lëkundurve? Rezultati e tregoi që jo. Raporti njerëzor që u krijua në zgjedhje ishte një hap pozitiv dhe gjithmonë pikët tona ishin në ngritje, por ajo që në të ardhmen duhet ta kemi pikë në mendjen tonë, është se me njerëzit raporti nuk ndërtohet për kohën para zgjedhjeve apo gjatë tyre.

Kontakti me qytetarët krijohet kohë më parë dhe, mbi të gjitha, pa interes elektoral. Sërish këmbëngul te teza e mësipërme, që kandidatët duhet të kenë një lidhje direkte me zonën, sepse vetëm kështu ne mund të kemi besimin e tyre dhe të fitojmë besimin e shumë të pabindurve për të majtën, por të pasigurt për të djathtën.

3- Ne u gjendëm në një fushë ku njëra palë kishte 1 vit që punonte dhe ne kishim vetëm 30 ditë. Do të ishin shumë të mjaftueshëm nëse do të ishim në një vend të Europës Perëndimore, ashtu siç është vizioni ynë për ta bërë Shqipërinë. Ky nuk ishte realiteti ynë në këtë përballje dhe, mbi të gjitha, lumi i parave ishte derdhur shumë kohë më parë se fushata të fillonte zyrtarisht.

4- Shpesh kam dëgjuar që kur humbim, fajin e ka lideri dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi personale, por dhe kur të fitojmë të gjithë jemi pjesë e saj. Kjo nuk është mënyra më e mirë për të përballuar humbjen. Ajo është përgjegjësi e liderit kryesisht, por mendoj se është e të gjithëve ne që u bëmë pjesë e fushatës. Kjo duhet të na vendosë para përgjegjësisë për të parë se ku kemi gabuar edhe t’i korrigjojmë dhe jo të zhytemi në debate boshe. Kjo vlen edhe për koalicionet. Partia Demokratike, si partia më e madhe e opozitës, duhet të bëjë një dallim më të mirë se kush duhet të jetë pjesë e garës elektorale.

Shumë nga partitë e koalicionit, që nuk arrijnë në fushatë të aktivizojnë dot as 5 për qind të ministrukturave të veta, siç kemi parë edhe aleatë tradicionalë, që arrijnë dhe mundohen të marrin 120 për qind nga strukturat e veta, vetëm e vetëm edhe sikur të kemi 1 votë më shumë. Ky është një raport që partia më e madhe e opozitës duhet ta evidentojë për të bërë korrigjimet e duhura në të ardhmen.

5-Partia Demokratike dhe aleatët e saj tradicionalë i kanë të gjitha mundësitë për të bërë një opozitë të fortë dhe, mbi të gjitha, dinjitoze. Z. Basha i ka të gjitha mundësitë për të bërë një organizim shumë herë më të fortë dhe solid të opozitës, por veçanërisht duhet të angazhohet për të mbledhur të gjitha kapacitet njerëzore të së djathtës ndër vite, përfshirë këtu edhe të rinjtë, dhe t’u ofrojë atyre besimin dhe përkrahjen që ata presin.

Ndërsa duhen sqaruar dhe zgjidhur këto problematika, mendoj se në raport me të ardhmen e vendit, kontributi i opozitës duhet të përqendrohet në këto çështje. Reforma territoriale, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, duke përfshirë teknologjinë në zgjedhje.

Mbi të gjitha, mendoj se opozita e djathtë në këto vite të përballjes me keqqeverisjen duhet të jetë në ballë të çdo denoncimi, të jetë syri dhe shpresa e shqiptarëve që, me sa duket, 4 vitet e ardhshme do të jenë të vështira për ta. Pushtetin e blenë lehtë nga varfëria, por opozita s’duhet të lejojë mjerimin. Sfida më e madhe që opozita ka është që të fitojë besimin e qytetarëve.

Zhgënjimin nga keqqeverisja ne duhet ta kthejmë në besim dhe shpresë për çdo qytetar. Jam i bindur se këtë besim ne do ta fitojmë duke bërë çdo luftë në Parlament dhe në rrugë për të rritur ekonominë e tyre familjare. Shqiptarët duhet t’i kthejnë sytë tek e djathta, tek ajo e djathtë që lindi shpresën 27 vite më parë e që duhet të mbledhë sërish energjitë e shpërndara nga pakënaqësia, me të drejtë ose jo.

I rëndësishëm mbetet bashkimi për të nesërmen e këtij vendi, që s’duhet lënë të rrëshqasë në zgrip. E djathta i ka të gjitha mundësitë dhe moralin për të bërë një opozitë reale, dinjitoze, të pakompromentuar dhe mbi këto të fitojë besimin e qytetarëve.

*Pedagog i Juridikut. Ish-kandidat i PD në Tiranë Kryetar i PR Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura