E dënuan me 8 vjet burgim për vrasjen e policit, por gjykatat harruan ta çojnë në qeli

Jan 10, 2020 | 22:29
SHPËRNDAJE

Për më shumë se 5 muaj, i dënuari me 8 vjet burgim Adonis Gashi, për ndihmë në kryerje të veprës penale “vrasje e rëndë”, ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit, 4 nga 5 të dënuarve për vrasjen e policit Shemsedin Gashi, ua kishte ashpërsuar dënimin.

qb-600x347

Në mesin e tyre ishte edhe Adonis Gashi, i cili në kohën kur ishte marrë vendimi për dënimin e tij, gjendej në liri pasi që kishte kryer një pjesë të dënimit të dhënë nga Gjykata e shkallës së parë.

Por, që nga muaji mars deri në shtator të vitit të kaluar, as Gjykata e Apelit e as ajo Themelore nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për t’u siguruar që Gashi të shkonte në vuajtje të dënimit.

Ndonëse në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhej se Gashit i ishte ashpërsuar dënimin në 8 vjet, aty nuk ishte bërë fare kërkesë që të lëshohet urdhër për ta arrestuar dhe dërguar atë në burg.

Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, e pranon se në këtë rast, gjyqtarët e Apelit kishin bërë lëshim, duke mos kërkuar arrestimin e tij në momentin e shpalljes së aktgjykimit.

Por, sipas Shalës, lëshimin më të madh në këtë rast e ka bërë Gjykata Themelore e Prishtinës, që sipas tij, nuk është përkujdesur që pas 15 ditësh ta lëshojë urdhërarrestin ndaj Gashit.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një përgjigjeje, ka sqaruar rrethanat dhe kohën e lëshimit të këtij urdhërarresti.

Në këtë përgjigje, thuhet se pasi aktgjykimi ishte bërë i plotfuqishëm, Zyra për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të kësaj Gjykate, më 17 qershor kishte lëshuar urdhëresë për paraqitjen në institucionin për mbajtje të dënimit për të dënuarin, Adonis Gashi.

E pas gati një muaj kur Shërbimi Korrektues e kishte njoftuar gjykatën se i dënuari nuk po paraqitej për vuajtje të dënimit, Gjykata Themelore me 1 një muaj e gjysmë vonesë kishte lëshuar urdhërarrest për Gashin.

Sipas nenit 372 të Kodit të Procedurës Penale, trupi gjykues obligohet të lëshojë urdhërarrest, nëse i dënuari me aktgjykim të formë së prerë nuk paraqitet për vuajtje të dënimit ose ikën jashtë vendit.

Ndryshe, Adonis Gashi ishte njëri prej tre personave i cili kishte qëndruar në një qeli me Astrit Deharin, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Për këtë, ai është në mesin e disa dëshmitarëve të propozuar që të intervistohen nga Prokuroria Speciale për rastin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes./Gazeta Express

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura