E ardhmja e shpirtit

Mar 6, 2015 | 12:19
SHPËRNDAJE

GJERGJ META

   Spektrit të botimeve dhe gjinive të botuara sot në Shqipëri i mungon e ashtuquajtura letërsi shpirtërore. Ka klasikë të mendimit shpirtëror, të cilët njihen pak ose aspak nga lexuesi i mesëm shqiptar. Sigurisht është përkthyer ndonjë libër klasik, sikurse ai i Rrëfimeve të Shën Agustinit i cili, edhe pse me problemet e veta të përkthimit, ka qarkulluar mjaft në duar të njerëzve. Aty-këtu nëpër komunitete fetare është botuar ndonjë klasik, si p.sh. Shën Bazili apo Tomë Akuini, Ignaci i Loyolës apo Tereza e Avilës, por që nuk kanë pasur një shtrirje aq sa duhet. Cilat janë botimet shpirtërore dhe pse janë të rëndësishme të jenë në një gjuhë të caktuar e sidomos në shqip? Së pari duhet të themi që kur flasim për jetë shpirtërore, nuk flasim për një përmasë, e cila i takon një religjioni apo një komuniteti fetar në mënyrë ekskluzive, pasi me shpirtin nuk merren vetëm fetë. Me shpirtin e njeriut merret edhe letërsia, edhe muzika, edhe filozofia, psikologjia apo sociologjia e secila prej tyre kontribuon në një farë mënyrë e në disa aspekte të asaj që ne e quajmë jetë shpirtërore. Një njeri mund të mos besojë në një religjion, por ai nuk mund të mos ketë një jetë shpirtërore. Këtu shkelim në një terren të pashtershëm, i cili gjithsesi na tejkalon në çdo përpjekje tonën për ta kuptuar apo për ta rrethshkruar. Në radhë të parë jeta shpirtërore është jetë e, si e tillë, është përvojë konkrete. Shpesh përvoja konkrete, duke qenë edhe mjaft personale, i shket mundësisë së “kafazit”, në të cilin shpesh ne duam të fusim çdo lloj përvoje. Kjo sepse njeriu në vetvete dhe kjo përmasë e tij në veçanti është shumë e mistershme në kuptimin e gjerësisë, lartësisë dhe gjatësisë së shtrirjes, të mundësisë së kuptimit e të përjetimit. Thjesht po të nisemi nga përvojat tona më të thjeshta, ne shpesh e kapim veten mat në gjëra që më parë nuk i kishim vërejtur në jetën tonë. Shpesh edhe vetvetja na befason e kjo na shtyn të mendojmë se sa të mistershëm jemi për veten tonë e jo më pastaj për të tjerët apo të tjerët për ne.
Janë disa përvoja jetësore, që mua më pëlqen t’i quaj “të fundme”, sepse qëndrojnë në fund, pra në themel të ekzistencës sonë, sikurse përvoja e lindjes, vdekjes, miqësisë, dashurisë, dhimbjes, vuajtjes, tradhtisë, besnikërisë, kuptimit të jetës, drejtimit të saj, plagët që na dhembin përbrenda etj. etj, të cilat kanë nevojë për një reflektim më shumë sesa thjesht konstatimi i tyre material apo klinik, apo një përpjekje për t’i shpjeguar nëpërmjet teorive psikanalitike. Pikërisht një qasje e tillë u mungon botimeve apo diskursit publik a komunitar në përgjithësi këtu në vendin tonë.
Jo vetëm nuk ka revista a botime të specializuara, por shpesh edhe kur ndeshesh me mundësinë e botimit të këtyre veprave, menjëherë likuidohet si diçka që ka të bëjë me një komunitet fetar, ndërkohë që këto janë përvojat njerëzore më të rëndësishme, reflektimi rreth të cilave është reflektimi mbi vetë jetën.
Botimet apo nismat me karakter shpirtëror, dhe dua ta ritheksoj jo domosdoshmërisht fetar, paraqiten si një nevojë e madhe për realitetin tonë shqiptar. Mund të konstatojmë me lehtësi se si realiteti ynë është “helmuar” me konfliktualitet, i cili mbetet ende protagonist i padiskutueshëm i jetës së përditshme, jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet grupeve kriminale (natyrshëm këtu), por fatkeqësisht edhe në marrëdhëniet ndërmjet individëve, ndërmjet botës akademike e politike, e sidomos në ndërtimin e shoqërisë dhe në qasjen-përplasje të vizioneve të ndryshme të jetës. Ka shumë helm, shumë urrejtje e shumë nervozizëm përreth. Jemi të gjithë fajtorë, sepse e ushqejmë së pari brenda nesh një gjë të tillë, nuk jemi të qetë e të kënaqur me vetveten më së pari. Këtë gjë ua përcjellim atyre që janë më të rinj, fëmijëve etj.
Kështu prishim të tashmen e të ardhmen.
Një përshpirtshmëri (spiritualitet), fjala vjen, e dialogut, nevojitet urgjentisht që të hyjë në jetën tonë dhe sidomos në curriculum-et e formimit. Sa shumë të rinj apo të reja shikon sot  që nuk dinë të strukturojnë kohën e tyre dhe “e vrasin” atë, të pavetëdijshëm se kështu po i vret ajo?
Sa shumë të rinj apo të reja sot janë në kërkim të një kuptimi ekzistencial të jetës së tyre e të një kuptimi pse jeta e tyre duhet të zhvillohet e të jetohet në Shqipëri, apo thjesht pse duhet të jetohet? Sa shumë sot ambientet e specializuara nëpër spitale janë të paafta të ofrojnë një shërbim në kurat palliative apo në trajtimin njerëzor të një pacienti? Sa hapësira u ofrojmë sot çifteve të reja në krizë për t’i ndihmuar, jo që të bëjnë një divorc më të përshpejtuar, por për të rithemeluar edhe një herë dashurinë e tyre, që kur nisi dukej e përjetshme?
Sot, jo vetëm duke marrë nga jashtë botime, çka do të ishte diçka shumë e mirë, por mendoj se edhe ne dalëngadalë kemi mundësinë që të fillojmë të mendojmë për një spektër të tillë botimesh në Shqipëri e këta të shkojnë në duart e lexuesve, pasi do t’i ndihmojnë në reflektimin e tyre për një njeri më të shëndetshëm, për një shoqëri më të mirë dhe një jetë më autentike. E ardhmja o ndërtohet duke u nisur nga shpirtërorja, ose ajo do të jetë katastrofike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura