E ardhmja e Kosovës, Thaçi: Ja dy hapat historikë që do të…

Dec 16, 2017 | 16:21
SHPËRNDAJE

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se themelimi i ekipit përgatitor për përgatitjet teknike dhe ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re janë dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt, shkruan klankosova.

thaci-3

Ai i ka cilësuar hapa historikë, që forcojnë paqen dhe përparimin për të gjithë qytetarët e republikës, por që kontribuojnë edhe në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Postimi i plotë:

Kosova bëri dy hapa të mëdhenj drejt ardhmërisë së sigurt në paqe e prosperitet këtë javë. Hapi i parë ishte themelimi i Ekipit Përgatitor që do të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, si hap përmbyllës i kapitullit të luftës. Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin synon që duke promovuar dialogun në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë të arrijë pajtimin për dhimbjet e shkaktuara nga lufta dhe pajtimin që të mos përsëriten më kurrë ato vuajtje dhe shkatërrime. Hapi i dytë ishte arritja e marrëveshjes për projektin “Kosova e Re”, që do të nënshkruhet nga palët më 20 dhjetor. Është ky investimi më i madh privat në historinë e Kosovës, prej rreth 1.3 miliardë euro, që do të krijojë 10.000 vende të reja të punës. Mbi të gjitha do të sigurojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe garantojë investimet e tjera në prodhim dhe ekonomi në përgjithësi. Janë hapa historikë që do të forcojnë paqen dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke kontribuar kështu edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Kur kujtojmë se ku ishim dy dekada më herët, nuk mund të mos mburremi me të arriturat e popullit tonë dhe me përkushtimin për një shtet shembullor. HTH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura