E ardhmja e Kërpudhës

Aug 9, 2020 | 17:45
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

Para dy a tri ditësh, tek ecja me nge dhe pa ndonjë qëllim të veçantë (nuk po them “për shtatë palë qejfe”) në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, sytë më zunë, fill pas kryeministrisë, diçka që më kishte dalë krejtësisht nga mendja: Këpurdhën artistikisht të realizuar, tek e cila, gjatë protestës gjigante të 16 shkurtit 2019 me parullën “Rama ik!”, një grusht protestuesish të dhunshëm, shkarkuan mllefin e tyre duke e dëmtuar rëndë atë te kësula ose, e thënë figurativisht, duke e bërë atë, kësisoj, synet pa anestezi! M’u kujtua gjithashtu se kjo kërpudhë ishte zhdukur nga qarkullimi për disa kohë aq sa e kisha harruar! Ja, pra, ajo qenkësh ringjallur falë Rilindjes mavi e magjike të socializmit kryeministror, me kësulën e saj të ribërë, e pastër qelibar, e lëmuar si lëkurë kërmilli pa guaskë dhe krenare, oh, aq krenare në dukje dhe në thelb, me një fjalë tërësisht e restauruar me mjeshtri të rrallë e të vyer!

Befas, ideja e “synetit të saj të dhunshëm” ma freskoi kujtesën dhe unë u ftillova: Po, po, kjo ngjarje më kishte frymëzuar asokohe një shkrim, të cilin e pata botuar një javë më vonë te rubrika ime “Vath në vesh” në gazetën “Panorama”. Pasi u ktheva në shtëpi, rrëmova me durim në kompjuterin tim të vjetër, por ende besnik, dhe e gjeta atë shkrim me titull “Syneti i Kërpudhës”. E rilexova me një frymë dhe vura re që, si ithtar i Frojdit dhe i Lakanit, njërit prej pasuesve të tij, pohoja me plot gojën, duke pasur parasysh formën e Kërpudhës Kryeministrore dhe në dritën e psikanalizës, se kishim të bënim me një simbol falik, pra, me diçka që të kujton falusin, d.m.th. penisin. Sot, me ringjalljen e kësaj Kërpudhe në të njëjtin pozicion, pra “Gatitu!” e “Gjithmonë gati!”, mund të shtoj se kjo vepër arti, gjithmonë në kuadrin e psikanalizës, që e vë theksin tek lidhja e krijimtarisë artistike me pavetëdijen e artistit dhe sidomos me frikën e tij nga tredhja dhe nga vdekja (eros vs thanatos), ai skulptor (apo piktor?) që e ka konceptuar Këpurdhën Kryeministrore, ka çuar dashur pa dashur ujë në mullirin e psikosociologut francez Eugène Enriquez, i cili, siç e kam përmendur disa herë, në kreun 9 të librit të tij “Clinique du pouvoir” (Analiza klinike e pushtetit), vërteton, ndër të tjera, ekzistencën e hijes seksuale që lëshon pushteti në regjimet politike të të gjitha kohëve dhe të të gjitha vendeve.

Përveç kësaj, ndryshe nga barasvlerësit e vet në disa gjuhë europiane, fjala shqipe “kërpudhë”, siç e kam shpjeguar, po e përsëris, në “Fjalorin erotik të frutave, luleve dhe perimeve” (faqe 111-112), është supererotike për arsyen që vijon: “…Së pari, mjafton një zëvendësim i germës së dytë të kësaj fjale me germën e parë të alfabetit tonë të nderuar e të ndershëm, që të dalë në pah ngjyrimi i saj erotik; së dyti, mjafton një zëvendësim i germës “u” me atë “i” që të përforcohet ngjyrimi i saj haptas erotik dhe, së treti, nëse këto dy zëvendësime bëhen njëkohësisht, atëherë rezulton një kombinim erotik veçanërisht e tmerrësisht shpërthyes…”.

Sidoqoftë, përtej hipotezave, hamendësimeve apo mëdyshjeve që qarkullojnë aktualisht poshtë e lart, majtas e djathtas dhe rreth e përqark lidhur me të ardhmen e karrierës politike të kryeministrit Rama, sot kam dëshirë të madhe, gati të papërmbajtshme, të hedh dritë mbi fatin e Kërpudhës Kryeministrore, sidomos fill  pas zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm, duke u shprehur si vijon:

  1. Nëse Edi Rama, pas këtyre zgjedhjeve, përfundon nga kryeministër president i Republikës, ka fort të ngjarë, sipas meje të paktën, që në hyrje të Presidencës të lartësohet krenarisht një tjetër Kërpudhë kësaj here Presidenciale identike me atë të sotmen, Kryeministroren; njëkohësisht, ka fort të ngjarë, prapë sipas meje të paktën, që një tjetër kërpudhë e tillë, pra Presidenciale, të lartohet edhe në rezidencën e presidentit, d.m.th. në Pallatin e Brigadave, atje ku pamja hijerëndë e kërpudhës në fjalë do t’i nxisë me siguri kërpudhat e vogla të parkut rreth e rrotull që të mbijnë pa ndrojë duke vigjëluar që asnjëra syresh të mos jetë helmatisëse, sepse, ku i dihet, Presidenti i Ri mund t’i ketë jashtëzakonisht qejf jo vetëm kërpudhat gjigante, por edhe ato shkurtabiqe.
  2. Nëse Edi Rama mbetet kryeministër, çka nuk është krejt e pamundur, atëherë ekziston mundësia që në çdo qytet të Shqipërisë së mavijosur të ngrihet nga çdo bashki një kërpudhë gjigante më e lartë se minaret e xhamive dhe kambanaret e kishave si simbol i një feje të re të quajtur Ramaizëm me qendër ndërkombëtare në vendin e shenjtë Surrel ku do të ngrihet një tjetër kërpudhë gjigante, objekt detyrimisht i adhurueshëm pelegrinazhesh të përditshme.
  3. Nëse pas zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm, Rama e sheh partinë e tij në opozitë dhe veten thjesht kryetar opozite, me siguri ka për ta gjetur mënyrën që të mbetet në histori si Rilindasi Mavi, i cili, me kërpudhat dhe bëmat të tij befasuese, do të vazhdojë ta mahnitë madhërishëm mbarë botën!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura