E ardhmja e arsimit të lartë: më pak universitete, më shumë cilësi

Aug 24, 2018 | 10:32
SHPËRNDAJE

eustrat zhupaDR. EUSTRAT ZHUPA*

Fillimi i vitit akademik afron dhe përgatitja e leksioneve është shqetësimi kryesor i çdo pedagogu  në këto ditë të nxehta gushti. Duke kërkuar disa libra për leksionet e mia në bibliotekën e universitetit, më tërhoqi vëmendjen stema në një nga kopertinat shkruar me shkronja të mëdha “MELIORA”.

Nuk ishte e re për mua kjo fjalë, por në atë moment më shkoi mendja tek universitetet shtetërore në Shqipëri. Po universitetet tona, a kanë të tilla? Motto: Fjalë ose fjali që plotësojnë imazhin publik të një universiteti dhe jo vetëm. Në kulturën perëndimore, një “motto” nuk është thjesht një fjalë për marketing, por një qëllim, një parim udhërrëfyes. Universitetet tona shtetërore nuk kanë të tilla. Përjashtim nga ky rregull bën Universiteti i Vlorës, me “Virtus, Scientia, Veritas”, ngelur nga një periudhë e shkurtër “herezie”.

Në faqet e para të universiteteve shqiptare mund të gjesh gabime gjuhësore sa të duash, por nuk shikon aty ndonjë fjalë për parime a objektiva. Dikush mund të thotë se një fjalë e shkruar ose jo nuk bën ndonjë ndryshim të madh. Nuk dua të hap një debat mbi mungesën e një fjale si pasqyrë e një parimi. Problemi ynë është se fjala mungon dhe parimin nuk e kemi as në mendje. Cili është qëllimi i universiteteve tona shtetërore? Para pak muajsh mora pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve në RIT.

Ishte një ditë e bukur për ata studentë, ashtu siç është për studentët kudo në botë. Po atëherë, cili është ndryshimi? Ata studentë, që kaluan para nesh me një veshje ceremoniale, e kishin gjetur punën para se të merrnin diplomën. Në fakt, nuk është rastësi që shkolla ku u diplomuan udhëhiqet nga parimi “The making of a living and the living of a life”. Sa për qind e studentëve në Shqipëri e kanë punën të siguruar pasi mbarojnë studimet? Shumë e marrin me mend këtë, por asnjë nuk e thotë dhe asnjë nuk e llogarit. Numri i studentëve që sigurojnë të ardhmen duke përfunduar studimet në universitetet shqiptare është një tregues i rëndësishëm.

Çdo qeveri e përgjegjshme duhet të shqetësohet për cilësinë e shkollimit në raport me tregun e punës. Natyrisht, cilësia e edukimit në universitetet tona nuk rregullohet as për një vit dhe as për një legjislaturë, por ka disa fakte dhe numra që janë kokëfortë dhe kërkojnë veprime kurajoze. Me pak reflektim serioz mbi numrat, nuk është e vështirë të kuptosh se, në një kohë kur Gjermania, Franca, Italia dhe vende të tjera perëndimore kanë një universitet për 1 milion banorë, ne nuk mund të mbajmë 1 universitet për 100 mijë banorë. Ky reflektim të bën të mendosh edhe mbi një tjetër problem, edhe ky urgjent: kush u jep mësim apo i edukon studentët tanë?

Përgatitja dhe morali i shumë prej atyre që sot ulen në auditorët e universiteteve janë shqetësime të ngritura edhe në shkrime të mëparshme. Këtu bëhet shumë aktuale një nga fjalët e urta, që Kryeministri nxori nga kapela e tij e pasur, me “djepin” dhe “shejtanin”. Mbyllja e disa universiteteve, shkurtimi i personelit akademik, ndëshkimi i trafikantëve të titujve është një akt i domosdoshëm. Natyrisht, në këtë analizë nuk më intereson politika dhe problemet dua t’i mbaj në nivelin teknik, por e kuptoj se një reformë e tillë ka kosto politike.

Një mënyrë më e “butë” për të lenë shenjë në arsimin e lartë shqiptar është edhe ajo e krijimit të një modeli. Për hir të së vërtetës, kjo nuk është një risi për arsimin në Shqipëri. Qeveria e vitit 2008 filloi një projekt të tillë në Universitetin e Vlorës. Qëllimi ishte të krijohej një model administrimi dhe më pas të riprodhohej në universitete të tjera, sa të ishte e mundur. Ai model pati një kohëzgjatje të shkurtër për arsye që janë bërë publike shumë herë nga protagonistët e asaj periudhe. Eksperienca e kaluar tregon se, nëse ekziston vullneti politik, administrimi i universiteteve mund të ndryshojë rrënjësisht. Ky ndryshim duhet të fillojë diku. Me keqardhje e them se kategoria e drejtuesve aktualë nuk e bëjnë dot ndryshimin.

I takon qeverisë të japë shembullin, duke krijuar një institucion të arsimit të lartë, jashtë influencës së “llumit” akademik, me përzgjedhje të pastra vlerash dhe njerëzish, që mund të kontribuojnë denjësisht për të bërë ndryshimin. Nëse bëhet e mundur ngritja e një institucioni të tillë, dinjitoz dhe larg interesave të ngushta politike, edhe sikur ta quajnë “Universiteti ER”, do jetë një kontribut i pakrahasueshëm për të ardhmen e Shqipërisë. Në përfundim të këtij shkrimi, mendja më shkon te miqtë e mi socialistë, mbështetës të bindur të platformave e-qeverisëse. Pa hezitim do t’i ndaja këto mendime edhe me ndërfaqet e bashkëqeverisjes, por, besoj për arsye pakujdesie teknike, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë parashikuar.

*University of Rochester

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura