Dyzet e katër

Nov 10, 2022 | 8:15
SHPËRNDAJE

LEONARD-DEMILEONARD DEMI

Europa e sotme po kapërcen pragun që ndan epokat. Ajo është në vigjilje të një ndryshim historik gjeopolitik. Me këtë artikull dhe në vijim përpiqem të sjell zhvillimet gjeopolitike në kontinentin tonë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit tonë dhe të Ballkanit Perëndimor. Sivjet, në ambientet e Parlamentit Europian, Presidenti Macron shprehu idenë e Komunitetit Politik Europian (KPE). Ky forum, nëse mund ta quajmë kështu, është një shkëmbim i rregullt në nivel politik, ku kryetarët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera europiane, që nuk janë anëtarë të këtij komuniteti, takohen për të diskutuar çështjet kryesore, që prekin kontinentin tonë në tërësi. Në takimin e parë të KPE-së, që u mbajt në Pragë, në fillim të tetorit, morën pjesë liderë nga 44 vende, si dhe liderët e BE-së.

Kjo ngjarje dëshmon se lufta pushtuese e Putinit në Ukrainë transformoi thellësisht kontinentin europian, i cili u riorganizua në Pragë. Kufiri ndarës midis demokracisë dhe autokracisë dhe refuzimi i përjetshëm i imperializmit e kanë bërë të paqëndrueshme situatën në shtetet, që ndodhen mes dy blloqeve, si: në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Në këtë takim, Kryeministri i belg tërhoqi vëmendjen për faktin se i gjithë kontinenti europian ishte në Pragë, përveç dy vendeve, Bjellorusisë dhe Rusisë, duke vunë në dukje nivelin e tyre të izolimit.

Përballë sfidës së përbashkët, rikthimit të gjakderdhjes në Europë, nuk ka më vend për paqartësi strategjike dhe, në këtë kontekst, mbështetja për popullin ukrainas nuk përfshin vetëm mbështetjen ekonomike, financiare, politike, furnizimin e Ukrainës me armë, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, apo pritjes së refugjatëve dhe vendosjes së sanksioneve kundër Moskës. Për të siguruar të ardhmen e Ukrainës si shtet, asaj duhet t’i ofrohet edhe një vend i ri gjeostrategjik në ‘ansamblin europian’ dhe misioni kryesor i Komunitetit Politik Europian do të jetë t’i japë drejtim rendit të ri gjeopolitik në kontinent.

ARRITJET DHE ARDHMJA E KOMUNITETIT POLITIK EUROPIAN

Komuniteti Politik Europian, në takimin e tij të parë, dëshmoi unitetin europian dhe kërkoi të nxitë dialogun politik dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve europiane në gjashtë fusha parësore me interes të përbashkët: (i) Në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe hartimin e një strategeje të përbashkët europiane (sulmi ndaj gazsjellësin Nord Stream e bën të domosdoshme këtë përpjekje). (ii) Në sigurinë kibernetike, e cila kërkon një qasje të përbashkët europiane. (iii) Në bashkëpunimin rajonal dhe (iv) në hartimin e një vizioni të përbashkët europian për sigurinë në Detin e Zi, në Detin Baltik dhe në Detin e Veriut. (v) Në zhvillimin e një ‘strategjie të integruar të energjisë, në veçanti, koordinimi me partnerët europianë joanëtarë të BE-së, disa prej të cilëve, Azerbajxhani dhe Norvegjia, janë prodhues të konsiderueshëm të energjisë. (vi) E fundit, por jo më pak e rëndësishme, rinia, fushë ku nevojitet një vizion më i integruar në shkallë kontinentale, përfshi ngritjen e një rrjeti universitetesh në të gjithë Europën, d.m.th., hartimin e një strategjie për të realizuar projekte të përbashkëta për të rinjtë.

Komuniteti Politik Europian nuk është alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe nuk do të zëvendësojë procesin e zgjerimit. Vendet kandidate duhet të përmbushin kriteret për anëtarësim. KPE do të forcojë lidhjet me anëtarët dhe, aty ku është e përshtatshme, do t’i ndihmojë të integrohen gradualisht në tregun e BE-së.

PARTNERITET JOZYRTAR NDËRMJET TË BARABARTËVE

Komuniteti Politik Europian do të ketë formën e një strukture të lehtë juridike, që respekton autonominë vendimmarrëse të BEsë dhe të secilit shtet pjesëmarrës. Liderët do të ndërveprojnë në baza të barabarta, kryesisht për të parandaluar që KPE të bëhet një tjetër forumi i politikës së fqinjësisë të BE-së. Të 17 vendet, që nuk janë anëtarë të BE-së nuk aspirojnë rolin e shteteve të klasit të dytë, “kandidatëve”, “studentëve” apo “ishanëtarëve”. Kjo është arsyeja pse udhëheqësit e BE-së po i përmbahen një roli lehtësues. Mungesa e një kryetari është një tjetër element fleksibiliteti dhe informaliteti në organizimin e Komuniteti Politik Europian.

Për momentin, nuk ka asnjë synim për të zyrtarizuar takimet apo për ta shndërruar KPE-në në një organizëm të BE-së. Në një shkrim para samitit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, theksuan se KPE duhet të udhëhiqet jo nga burokracia, por nga fleksibiliteti dhe jo nga një axhendë fikse, por sipas prioriteteve që shqetësojnë të gjithë.

Ky grup i ri do të mblidhet disa herë në vit në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, si dhe në nivel ministror dhe mund të pajiset me një organ të vogël organizues, të mbështetur nga institucionet e Brukselit. Takimet e ardhshme do të mbahen: në Moldavi, pranverë 2023, më pas në Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ideja e vendtakimeve alternohet ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve joanëtare.

Formati i takimeve në kuadër të KPE

Takimi i KPE-së u ofroi udhëheqësve europianë mundësinë e takimeve me homologë të vendeve joanëtare të BE-së për të diskutuar për probleme të rëndësishme, që kanë të bëjnë me sigurinë dhe të ardhmen e kontinentit. Këtu po numërojë disa për rëndësinë që ngërthejnë dhe që tregojnë angazhimin e BE-së për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, duke përfshirë situatën në Ballkanin Perëndimor, tensionet në Mesdheun Lindor dhe konfliktin Armeni-Azerbajxhan.

Presidenti Macron dhe ish-Kryeministria britanike, Truss, diskutuan për një samit franko-britanik në vitin 2023, për forcimin e bashkëpunimit në fushat e energjisë bërthamore dhe luftës kundër emigracionit të paligjshëm, të cilin do ta trajtojnë në një kuadër trepalësh, edhe me Holandën, apo më gjithëpërfshirës, në nivel europian (Kryeministri britanik i sapozgjedhur, Sunak, e ridiskutoi çështjen e emigrimit të paligjshëm me Presidentin Makron edhe në Samitin e Klimës, që mbahet në Egjipt). Më pas, Presidentët Makron dhe Presidenti i Këshillit Europian, Michel, arritën të ulnin në tavolinë për bisedime Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe të Armenisë, Vahagn Khachaturyan, ku arritën të bien dakord që Bashkimi Europian të dërgojë në Armeni, përgjatë kufirit me Azerbajxhanin, një ‘mision civil’ për të ‘kthyer besimin’ midis dy vendeve dhe për të kontribuar në përcaktimin e kufijve. Presidenti Erdogan u takua për herë të parë me Kryeministrin armen. Po kështu, Kryeministrja e Suedisë, Andersson, diskutoi me Presidentin e Turqisë mbi ratifikimin e dokumentit të pranimit të Suedisë në NATO. Ka, gjithashtu, të dhëna që Mbretëria e Bashkuar mund të rinënshkruajë marrëveshjen për Bashkëpunimin Energjik në Detet e Veriut (NSEC), të cilën e lëshoi kur doli nga Bashkimi Europian.

Përpjekjet e liderëve të Francës dhe të Gjermanisë për të lehtësuar dialogun Beograd-Prishtinë nuk patën sukses. Takimi katërpalësh ndërmjet Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në prani të Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz, nuk u bë.

Të 44 vendet pjesëmarrëse dënuan unanimisht agresionin rus dhe shprehën mbështetjen e tyre për Ukrainën. Fundi i luftimeve nuk duket ende, por nëse disa pjesëmarrës kërkojnë të projektojnë veten përtej luftës disa të tjerë, si Kryeministri polak, e konsiderojnë mbështetjen për Kievin gjithnjë në rritje, si prioritet, veçanërisht, mbështetjen ushtarake dhe furnizimin me armatime.

SKEPTICIZMI I BALLKANIT PERËNDIMOR

A do të përshpejtojë Komunitet Politik Europian integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor apo do të jetë një dhomë tjetër pritjeje për një rajon të lodhur nga përpjekjet për t’iu bashkuar BEsë, të cilin e lakmojnë Rusia dhe Kina, që nuk lënë asnjë mundësi pa shfrytëzuar?

Ankthi se të gjashtë kandidatët do të mbeten në pragun e BE-së edhe për, të paktën, një dekadë tjetër është i kuptueshëm, duke pasur parasysh se horizonti europian iu është ofruar, pothuajse, njëzet vjet më parë, në Samitin e Selanikut, më 2003. Për opinionin ballkanik, KPE nuk është një projekt i qartë. Shqipëria e mirëpriti, ashtu si edhe Mali i Zi, duke e parë si një platformë për të diskutuar një sërë temash, ndërsa në Kosovë pothuajse nuk është përmendur. Në Bosnjë dhe Hercegovinë mbizotëron skepticizmi. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut e përshëndeti nismën e KPE-së, por këmbëngul se ajo “nuk duhet dhe nuk do të zëvendësojë anëtarësimin e plotë në BE”. Sidoqoftë, Kancelari gjerman, Scholz, e rindezi shkëndijën e shpresës. Ai shfrytëzoi takimin për të rideklaruar përkushtimin e vendit të vet dhe të tijin për zgjerimin e Bashkimit Europian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe, në terma më afatgjatë, Gjeorgjinë, për të siguruar stabilitetin brenda Europës dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta.

Sot, në BE, janë të bindur se ka ardhur koha të tejkalohen konfliktet rajonale, që po vazhdojnë gjatë. Liderët europianë vërejnë se këto konflikte i ndajnë dhe i mbajnë vendet tona prapa në rrugën europiane. Shembull i qartë është dështimi i takimit për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Por, në takimin e Procesit të Berlinit, më 3 nëntor, Kancelari Scholz bëri të ditur se ekziston plani franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe shpreson që shumë shpejt të kemi një proces, ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje. Ai tha, gjithashtu, se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

Kjo nismë ka rritur shpresat se BE-ja po iu ofron 10 vendeve kandidate: Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si dhe Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Turqisë një mjet të ri për t’i sjellë më pranë BE-së, që konceptohet si një fazë e ndërmjetme politike midis asocimit dhe anëtarësimit të plotë, pa pritur që kandidatët të jenë plotësisht të gatshëm për të drejtën europiane. Zhvillimet e mëtejshme do t’i japin përgjigje skepticizmit ballkanik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura