Dyshohet se përdhunoi të miturën, e merrte në makinë çdo ditë pas shkolle, ç’tha në gjyq 60-vjeçari. Sjelljet e çuditshme i kishte parë gruaja e tij dhe nxënësit

Jan 22, 2020 | 11:04
SHPËRNDAJE

foto-gjykata-lezhe

ELVIS HILA/ Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 60- vjeçarin me iniciale V.N., i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dhe ka kryer edhe marrëdhënie me një vajzë të mitur me aftësi të kufizuara.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura ditën e djeshme, mësohet se i moshuari i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Por, edhe pse nuk është faktuar ende nëse është abuzuar seksualisht me 14-vjeçaren, në bazë të provave të paraqitura nga prokurori Erjon Shehaj, Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat.

Sipas të dhënave kanë qenë nxënësit e shkollës që kanë vërejtur fillimisht se vajza nuk hipte në furgonin e shkollës, por në një makinë. Ndërsa mësuesit kishin konstatuar disa mungesa në mësim dhe sjellje të çuditshme të vajzës.

Kësisoj, personeli i shkollës ka vendosur të njoftojë Policinë dhe e mitura është ndjekur nga oficerë, që konstatuan se i moshuari e mori në makinë. Ata e ndoqën dhe e arrestuan të premten e javës së kaluar në flagrancë në gjendje të dehur. Ndaj 60-vjeçarit janë ngritur akuzat “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”, “Vepra të turpshme” dhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur”.

Abuzimet me vajza që kanë probleme të shëndetit mendor janë ngjarje të përsëritura në Lezhë. Pak kohë më parë, tri motra kanë rënë pre e abuzimeve seksuale, madje kanë sjellë në jetë dhe fëmijë.

ABUZIMI

Në lidhje me rastin, Policia kishte marrë informacion më parë në rrugë operative dhe prej disa ditësh 60- vjeçari po vëzhgohej nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Në momentin e ndalimit, ai është kapur sapo ishte takuar me të miturën me aftësi të kufizuara. Policia e Lezhës njoftoi pak ditë më parë se materialet procedurale i kaloi pranë Prokurorisë së Krujës për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”, “Vepra të turpshme” dhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur”.

Denoncimi i këtij rasti është bërë edhe nga vetë bashkëshortja e 60-vjeçarit të akuzuar në këtë rast. Ajo dyshohet se ka vënë re lëvizje të dyshimta të bashkëshortit të saj ndaj vajzës që është vetëm 14 vjeçe, çka ka sjellë më pas edhe denoncimin në Polici.

Ndërkohë, vajza e mitur mësohet se shkonte në shkollë çdo ditë. Veprimet abuzuese të të arrestuarit, sipas informacioneve, kanë qenë të dukshme në fshatin ku ata banonin, gjatë momenteve kur e mitura shkonte për në shkollë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura