Dyshimet/ Vrasja e pronarit shqiptar të picerisë ka lidhje me “Ndraghetën”

Jun 28, 2016 | 16:25
SHPËRNDAJE

Dy ditë pas vrasjes së 33 – vjeçarit shqiptar, Ariton Shaskaj, në Komunën e Velletrit, pranë Romës, mediat italiane publikojnë detaje të reja rreth dinamikës së ngjarjes.

Ariton-Shaskaj“Corriere Della Sera” shkruan se, vrasësi ka pritur derisa shqiptari të ishte plotësisht i ekspozuar dhe e ka qëlluar pas shpine, pikërisht në momentin që ai u ngrit të fliste më një klient.

Një atentat i stilit mafioz, ku ekzekutuesi zbret nga motori dhe qëllon me gjakftohtësi mbi shënjestrën e tij. E përditshmja, italiane shkruan se ndaj 33 – vjeçarit shqiptar u qëllua 4 herë. Vetëm një nga plumbat doli bosh, ndërsa 3 të tjerët e qëlluan viktimën në kokë dhe në kurriz.

Autoritetet italiane nuk japin më shumë detaje për vrasjen, pasi hetimet janë në zhvillim. Vrasja e tij mbetet mister, por mediat në vendin fqinj, aludojnë se krimi mund të jetë bërë për shkak të lokalit, në një zonë ku biznesi i paligjshëm i makinetave të fatit dhe drogës, kontrollohet nga Ndragheta.

Ariton Shaskaj jetonte prej 20 vitesh në Itali me bashkëshorten Medinën dhe 2 fëmijët, 4 dhe 5 – vjeç. Që prej 2010 -ës, ai kishte hapur picerinë “Peccati di Gola”, në Velletri. Ai ishte një person pa precedentë penalë, nuk njihej si problematik në zonë dhe gëzonte vlerësimin e banorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura