Dyshimi, edhe shërbimet publike drejt koncesionit

Jan 26, 2016 | 13:54
SHPËRNDAJE

Deputetët e Komisionit të Ekonomisë shfaqën dje dyshime në dhënien me koncesion të projektit për dixhitalizimin e shërbimeve publike. Gjatë diskutimit të projektligjit për marrjen e 29 milionë eurove hua për dixhitalizimin e shërbimeve, deputetët hodhën dyshime se mos nga qeveria po shikohet mundësia për dhënie me koncesion edhe të shërbimeve publike me terma reference si ai i TVSH-së në tatime.

 

Ministrja Harito
Ministrja Harito

Deputetët e opozitës ngritën shqetësimin se mungesa e transparencës me shërbimet që qeveria po mban vetë dhe ato që i kalon privatit, krijon dyshimin se shërbimet po jepen me koncesion pa prioritet.

Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima, e pyeti ministren e Inovacionit, Milena Harito, nëse është parë mundësia që edhe dixhitalizimi i shërbimeve publike të jepet me koncesion.

“Zonja ministre, keni eksploruar mundësinë e partneritetit publik privat ose të koncesionit, për shembull, ju t’i thoni privatit ju investoni dhe po u rrit cilësia 11 për qind, ju merrni kaq fitim, apo po u rrit 15 për qind fitimi, privati merr aq fitim, dhe po u rrit 19 për qind, ju merrni kaq fitim”. Kryetari i Komisionit, Braçe, ka ndërhyrë duke saktësuar më tej pyetjen e deputetit me koncesionin e doganave.

“Mund t’i shtoj edhe unë diçka pyetjes. A e keni shfrytëzuar dhe e keni eksploruar mundësinë që të paguani për një shërbim të caktuar, ta koncesiononi dhe t’i detyroni qytetarët e Shqipërisë të paguajnë 35 apo 40 euro për çdo skanim edhe për atë të energjisë elektrike?”.

Pyetjeve të deputetëve ministrja iu është përgjigjur: “Më vjen keq t’ju zhgënjej të gjithëve, por nuk kemi shqyrtuar asnjë nga këto mundësi”. Duke iu referuar projektligjit për marrje hua për vazhdimin e projektit të dixhitalizimit të shërbimeve, Bode ngriti shqetësimin se qeveria nuk e ka të qartë se në cilat shërbime investon dhe cilat jep me koncesion.

“Qeveria duhet të jetë e qartë se çfarë shërbimesh do të mbajë që t’u ofrojë qytetarëve cilësi më të mirë. Prandaj vijmë te shqetësimi që ngriti Mima se gjithnjë e më shumë shërbimet e mirëfillta po koncesionohen dhe fonde nga buxheti po harxhohen për koncesione. Duhet ndarë lista se çfarë shërbimesh merr qeveria dhe çfarë koncesionohet, se po jepen në mënyrë kaotike me koncesion shërbime që nuk kanë të bëjnë me performancën që pritet apo me prioritetet e dhënies të tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura