Dyshimet se fshehu një apartament në emër të nënës dhe kishte mungesë burimesh financiare, shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Gjirokastrës

Sep 26, 2022 | 10:46
SHPËRNDAJE

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën më 26 shtator vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Blerta Marku. Subjekti i rivlerësimit nuk ishte e pranishme gjatë shpalljes së vendimit, kur mori pjesë vetëm përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja Irena Reso.

Vendimi-Blerta-Marku

Gjatë seancës dëgjimore më 22 shtator, Marku u përball me barrë prove për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin ishte përmbyllur hetimi paraprak administrativ. Komsioni ngriti dyshime se subjekti kishte fshehur një apartament në emër të nënës dhe se kishte mungesë burimesh financiare në vlerë të konsiderueshme për mbulimin e investimeve dhe shpenzimeve në vite.

Marku dhe përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja Irena Reso, i kundërshtuan gjetjet e KPK dhe balancat negative për pasuritë si të pabazuara dhe kërkuan riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjerë, figurën dhe profesionalizmin.

Procesi i vetingut për Markun u krye nga trupa e Komisionit e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Suela Zhegun. Blerta Marku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër./Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura