Dyshime për operacion të gabuar në gju, Edgar Çani ikën në Itali

Dec 17, 2017 | 9:57
SHPËRNDAJE

Edgar Çani është kthyer në një “telenovelë” te Partizani. Ndonëse kanë kaluar fiks shtatë muaj nga operacioni që ka kryer në gju, lojtari nuk ndihet gati për të luajtur futboll. Historia e tij ka vënë në pozitë të gjithë aktorët në kampin e kuq, pasi, kur u afrua në verë, ai kishte një garanci nga klinika që e kishte operuar se do të ishte gati për startin e sezonit të ri.

edgar cani

Duke ditur se ultimatumi që i ka vënë Partizani është pranë skadimit, lojtari ka udhëtuar drejt Italisë për t’i kërkuar llogari klinikës që e operoi në maj të këtij viti. Situata e gjurit të lojtarit ka precipituar jashtë limiteve të pritjes, ndaj Partizani mund të zgjidhë marrëveshjen me sulmuesin që u konsiderua goditja më e madhe e merktaos së verës në futbollin shqiptar.

Ndërkohë, të premten, trajneri Starova ka pohuar se Çani ka rezultuar si një dështim i klubit. Meqë gjuri i operuar nuk po i përgjigjet edhe pas 7 muajsh prova, lojtari nuk është stërvitur dje me ekipin, por ka shkuar në Itali për t’u konsultuar me mjekun që e ka operuar, i cili i dha garanci për të ardhmen.

cani

Shpeshherë Çani ka tentuar të bashkohet me grupin duke marrë ngarkesën e duhur me ekipin, por më pas është detyruar të distancohet nga dhimbjet që ndiente në gju. Gjuri i lojtarit nuk ka asnjë përmirësim, ndaj kanë filluar të ngrihen dyshime për operacion të gabuar.

Duke parë sikletin që po kalon lojtari me gjurin, por edhe me ambientin ku bën pjesë, nëse operacioni rezulton i gabuar, nuk përjashtohet mundësia që Edgar Çani të hedhë në gjyq klinikën që e ka operuar, ku do të kërkojë edhe dëmshpërblim.

Ku është operuar?- Në mes të majit të këtij viti, Edgar Çani ka kryer një ndërhyrje në gjurin e djathtë, ku ka operuar pjesën e jashtme të meniskut. Ndërhyrja është kryer në një nga klinikat më të njohura në Romë, “Villa Stuart”, dhe është operuar nga prof. Pier Paolo Mariani.

Cani

Përpos zhurmës dhe lajmeve kontradiktore që u përhapën gjatë verës për gjendjen e lojtarit, klubi dha garanci se Çani do të ishte gati që në fillim të kampionatit. Sulmuesit i është dashur shpesh që të përdorë akull në seancat stërvitore duke mos e marrë ngarkesën e duhur.

Cani2

Në fillim të sezonit, mjekët italianë i kanë konsideruar normale dhimbjet që kishte lojtari dhe dhanë garanci se, pas një muaji, ai nuk do të kishte më probleme. Pas ndeshjes me Skënderbeun, më 23 shtator, Çani nuk ka zbritur më në fushë.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura