Dyfish më shumë për një leje drejtimi! Gonxhe flet për çmimin e patentave: Nuk tërhiqemi, do rriten

Mar 22, 2023 | 8:28
SHPËRNDAJE

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës për të pezulluar marrëveshjen e Drejtorisë së Transportit Rrugor, Tatimeve dhe Autoshkollave nuk është pengesë për palët që ta çojnë përpara atë, duke rritur dy deri në katërfish koston për lëshimin e lejeve të drejtimit.

blendigonxhe-patenta

“Me autoritet, pa autoritet ajo do të ecë përpara”, deklaroi kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe. Në fund të muajit shkurt, tre institucionet e lartpërmendura firmosën marrëveshjen, e cila shkaktoi një reagim negativ në radhët e popullatës. Kjo u pasua me një sërë deklaratash që herë e mohonin e më pas pohonin atë që u tha në krye të herës: patentat do të kushtojnë së paku dyfish më shtrenjtë. Zhurma e madhe u shua nga ndërhyrja e Autoritetit të Konkurrencës, e cila veçse e pezulloi për një periudhë të pacaktuar, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.

DEKLARATA

E ka kthyer në kundërsulm kreu i DPSHTRR-së, Gonxhe pezullimin e marrëveshjes nga autoriteti i konkurrencës. Puna e pakryer nga ky i fundit, sipas Gonxhes, ka zhbërë konkurrencën midis autoshkollave.

“Nuk jemi tërhequr, me Autoritet, pa Autoritet ajo (marrëveshja) do të eci para. Nuk diskutohet që jo vetëm që nuk rrezikon konkurrencën kjo që po bëjmë ne në mënyrë të pariparueshme, por në mënyrë të pariparueshme rrezikohej konkurrenca nga ajo që nuk po bënte autoriteti dhe autoritetet e tjera që nuk kanë punuar në vite për të mbrojtur konkurrencën e ndershme.

Nuk mund të ulim kokën në rërë si struci e të themi që jemi të varfër, ndërkohë që ne jemi shumë të pasur, paguam 403 milionë dollarë në vitin 2022 si pasojë e fataliteteve dhe aksidenteve në republikën e Shqipërisë, mbi 3% e GDPsë. Një vend që heziton të paguajë për të mësuar dhe paguan kaq miliona dollarë dëme, s’ka kuptim.

Po kur vjen puna te provimi, nuk duam ta bëjmë 100-200 euro më shumë atë testin e ta bëjmë të plotë, të mos jetë fiktiv. Pra, dua të them që ne nuk i ikim dot kësaj pune. Kjo punë kërkon edukatë, kërkon kulturë”, vuri në dukje Gonxhe në një intervistë për median.

NDRYSHIMET NE KOD

Ecja me shpejtësi marramendëse në rrugë, duke u bërë burim aksidentesh të rënda, Gonxhe e konsideron si mungesë edukimi dhe politikat parandaluese duhet të nisin që nga shkolla. Ndërkohë ai i mëshoi fort zbatimit të sistemit “bonus malus” në siguracionin e përvitshëm të mjeteve.

“Bota punon shumë afër komponentit tjetër, të katërtit. Pra, nëse është edukimi, mjetet, drejtuesit e mjeteve, komponenti i katërt i rëndësishëm, shtylla kryesore tjetër është siguracionet.

Siguracionet e jashtme, ‘bonus maluset’ e tyre me incentivat që i japin shoferëve të mirë, me penalizimin në kosto dhe në çmime të larta në ngarkim me vlera financiare të larta të atyre që kanë bërë shumë aksidente, pra atyre që kanë këmbën e rëndë, siguracionet i këpusin në mes”, tha ai. Për sa i përket ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, Gonxhja tha se ato sjellin një kursim prej 8.8 milionë eurosh në vit.

rritja 8 rritja7

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura