Dyerve të ferrit

Sep 28, 2021 | 8:04
SHPËRNDAJE

josif-papagjoni-1-770x433JOSIF PAPAGJONI

Pse e lexova me kënaqësi librin e botuesit Fatmir Toçi, “Ditari i përballjes me koronavirusin”? Ndoshta sepse doja të dija se si një njeri i njohur për mua e kishte kaluar… “Shtegun e Djallit”, rubikonin e tij, në një dhiare zbritje-ngjitje 55-ditëshe tokës së rrëshqitshme të vdekjes. Ndoshta sepse në lëngatën dhe fëlligështinë që krijoi kjo kolerë mes nesh e gjithkund në botë (e sajuar teknologjikisht apo qoftë natyrore, s’ka rëndësi), është krijuar një ndjeshmëri kozmike si prej morti. Shumë frikë, pasiguri nga e panjohura dhe depresion i thellë, qenka është futur në bark dhe nuk na ikën nga këmbët. Apo ndoshta sepse isha kureshtar të lexoja një libër prej një botuesi, jo prej një shkrimtari, dhe, pra, si luante ai me fjalën, me suspansën, me subjektin, me ligjërimin dhe ravijëzimin e personazheve, me narrativën, me lojën e gjuhës, me sistemin figurativ, atë semantik e atë sintaksor; me një fjalë me ndoca hollësi e hijeshi që letërsia i ka të shtrenjta si qelqet, pak të përplasen diku dhe thyhen e bëhen copë e çikë.

E lexova librin dhe sikur m’u fanit sysh një tjetër Fatmir. Jo njeriu i fortë, stoik, gjakftohtë, serioz, jo një biznesmen i suksesshëm, një deputet në dy legjislatura, një hulumtues i gjuhës “LAB” prej Kuçit, por një njeri i zhveshur nga këto grada e pekule, një sivëllai im, nëse edhe unë do të isha atyre mjediseve spitalore, ilaçeve, serumeve, pamundësive, ngujimit, drithmave të mishit dhe të shpirtit. Një sivëlla që, teksa e lexoja rrëfimin e Fatmirit, vetiu e pa dashje bëhesha një dytës a një sozi i tij, sepse vihesha në vendin e tij dhe thellë-thellë psherëtija: Zot na ruaj, sa delikate, e brishtë dhe e thyeshme lehtësisht na qenka jeta?! Sa e butë?! Dhe sa e dhembshur! Zot, çfarë lëngate qenka COVID-19! Fletë pas flete lexuesi sheh se si shembet një njeri i fortë e plot shëndet si Fatmiri e të tjerë sish, se si paaftësohesh ditë pas dite prej këtij dreq virusi dhe zjarri i gjakut të djeg e të merr frymën, se si trupi këputet prore, nuk shkon dot në banjë, nuk rruhesh dot, nuk çohesh dot në këmbë, nuk hedh dot dy hapa, tretesh e bie 20 kg nga pesha për ca ditë, djersa të mbyt, nuk ngopesh me frymë, bie në jerm, hematomat ta mbushin trupin nga injeksionet dhe çarja e damarëve, këmbët bëhen si drutë e thata e s’të mbajnë më. Dhe kur e gjithë kjo pafuqi përshkruhet imtësisht nga një njeri që ti e njeh, s’ke se si mos ta besosh.

Dhe qysh këtu libri e ka realizuar misionin e vet: miq, mos e neglizhoni asnjë minutë sëmundjen dinake, merrni masa sa më parë, diku virusi i pabesë është futur te ju dhe ka gjetur strehë. Një gjëzë proteinike është që shkon nga fryma në frymë, një mikrogrimcë e gjallë me zor e shikueshme nga mikroskopët më të fuqishëm, por që të hyn tinëz në mish, në gjak dhe të bën gjëmën, të shemb përdhé. Duhet kurajë ta përballosh këtë përbindësh të vockël, që shumëzohet tmerrësisht shpejt dhe krijon hordhi pa fund, të këput muskujt, të merr frymën e të kalb mushkërinë, të ngrin gjakun e të krijon trombozë, të lëshon e të çon fill e në kënetat e dëshpërimeve të skajta, ku jeta të duket një torturë pa fund dhe vdekja të shfaqet shpesh si i vetmi shpëtim nga stërmundimi.

I pashë të gjitha këto në fletët e librit të Fatmirit. I pashë imtësisht, nën një rrëfim të sinqertë, gjithsesi prej burri, pa e fshehur lotin e bashkëshortit për të shoqen, Irenën e fisme e shpirtbukur, që i jepte kurajë dhe i blatonte krejt shpirtin dhe zemrën e përkushtuar; lotin e prindit të katër vajzave dhe një djali, të mbesave e nipave, mirënjohjen e dhëndrit dhe pastaj të miqve e shokëve të shumtë, të njeriut politik dhe të njeriut të librit. Ishte lot i NJERIUT. Dhe unë e ndjeva thellësisht. Lot për kujtimin e nënës në ditë jermi, vdekjes së saj me episodin e jashtëzakonshëm teksa grahmave të fundit ajo kërkonte të kthehej nga perëndonte dielli para se të jepte shpirt. Lot për kujdesin dhe mallin e të afërmve. Lot mirënjohjeje dhe në heshtje për shërbimin spitalor, njerëz të padëgjuar që e kryenin punën e tyre me devotshmëri. Pastaj mjekët, këta gardianë të paepur të jetës, shëndetit, që meritojnë gjithë lëvdatën e Hyjit, e ca më shumë të njerëzve të sëmurë. Dhe merake e merake që të mbushin trurin, për punën, për familjen, për shokët, por edhe për t’i dhënë fund një libri jete mbi arbëreshët, që ai e ka vite e vite në duar. Unë e besoj këtë të fundit sepse jam vetë një njeri i librit dhe shpesh, edhe mua, ma gërricin mendjen merake librash të pambaruar. Në një sy të rëndomtë a cinik, kjo mund të duket si “qesharake”, por në një tjetër sy, të njerëzve të pasionit, kjo është jo vetëm normale, por edhe diç e bukur, fisnike, gati ëndërr.

Thashë se pashë në faqet e librit të tij një Fatmir “ndryshe”. I përmallshëm. Përballë frikës së vdekjes… Që rrugëtonte siujdhesave të mortit si Uliksi në mbretërinë e Thanatosit, për të ridalë prej andej me një gravitet mendor e shpirtëror frymëzues: Beso, lufto dhe fito! Jeta është më e shtrenjta gjë, o mik! Jetoje jetën çdo ditë, çdo sekondë, çdo frymëmarrje!… Unë u ndodha një ditë te zyra e Irenës në shtëpinë botuese “Toena” dhe ja ku aty ia mbërriti Fatmiri. M’u duk po ai i njëhershmi, “njeriu mbi makinë”, që i binte kryq e tërthorë botës, ani pse e dija se kishte hequr picirin. Madje, edhe unë, si shumë të tjerë, i kisha shkruar dikur një mesazh kurajoje në “Facebook”. Dhe biseda lindi vetiu. Me atë qëndrimin e tij serioz, por gjithë sqimë prej njeriu të butë, të drejtpeshuar, ne folëm dhe për librin. Dhe unë kisha qejf të shkruaja diçka, ca për atë vetë, të cilit i jam mirënjohës, ca për Irenën që na lidhin gjëra të bukura miqësore e krahinore, ca dhe, sidomos, për ta sensibilizuar më tej këtë rrëfim dramatik e tronditës mbi COVID-19, këtë epidemi shfarosëse, që vjen përmes një libri të shkruar nga një botues dhe njeri i letrave.

Ka shumë episode ky libër që janë të mbushura me mallëngjim, dhembshuri për jetën dhe njerëzit, qëndrueshmëri, mirënjohje e respekt për shërbimin spitalor, sikurse ka po kaq shumë dhe një qëndrim racional, argumentues, tregues për çdo lëvizje tinëzare të sëmundjes, për çdo proces keqësimi dhe përmirësimi me gjithë përshkrimet dhe narrativën gjakftohtë; ka, gjithashtu, një rëndesë psikike që vinte nga vdekjet e ndryshme në pavijonin e reanimacionit dhe rrinte si hije bri krevatit të Fatmirit. Të gjitha janë aty: vuajtjet, intubimet, dhembjet, frikërat.

Janë edhe tri gjëra thelbësore që dua t’i them te ky shkrim. E para është prania e shumë emrave të njohur, nga fusha e letrave, artit, politikës, mediave, njerëz të njohur e me emër të madh në Shqipëri e përtej saj, të cilët i janë gjendur autorit në sëmundjen e rrezikshme, i kanë dhënë kurajë, e kanë rrethuar me dashurinë e tyre. Janë shumë, që nga Rexhep Qosja e Gramoz Ruçi, Tritan Shehu dhe Erion Veliaj, ish-presidentët Mejdani e Moisiu, deri te Pëllumb Xhufi, Timo Flloko, Fatos Kongoli, Zija Çela, Preç Zogaj e plot të tjerë. Dhe kjo nuk është pak. Tregon diçka në dukje të thjeshtë, por domethënëse: Fatmir Toçi është njeri social, me miq e shokë të shumtë, që e kanë dashur fort dhe i ka dashur fort; një njeri që e ka ndërtuar personalitetin e tij falë punës, talentit dhe aftësive të tij në tri rrafshe, si biznesmen, si botues dhe si politikan. E dyta është vlerësimi gjer në adhurim i personelit mjekësor në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndër ta prof. Perlati, doktoreshë Alma, doktor Ariani…

E treta është apeli i nënkuptueshëm: Njerëz, mos e nënvleftësoni koronavirusin, mos dëgjoni kambanat e idiotësive me pandehma e konspiracione, dëgjoni veçse shkencën, mjekët, jini të kujdesshëm, mos neglizhoni, sepse pasojat janë një picir i vërtetë, një shkuarje me këmbët e veta drejt Hadesit. Por jeta është dhënë për ta jetuar, për të punuar, për ta gëzuar. Jeta është poema më e madhe që Hyji ka krijuar. Më e dhembshura gjë. Kujdesuni për jetën! Mbrojeni jetën!

A ka më domethënëse dhe më bukur se kaq..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura