Dy vite nga ekzekutimi i Klodian Rashës, vrasësi çon dosjen në Gjykatën e Lartë! Ish-efektivi Nevaldo Hajdëraj nuk pajtohet me dënimin

Dec 9, 2022 | 8:44
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Dy vite më parë, vendi do të tronditej nga një ngjarje e rëndë, mbase ndër më të rëndat e dekadës së fundit: punonjësi i Policisë ekzekuton në hyrje të shtëpisë së tij Klodian Rashën.

klodian-rasha-dhe-nevaldo-hajdaraj-1100x620

Ngjarja ndodhi në mes të Tiranës, në mes të natës, në orët e para të datës së shënuar si Festa e Rinisë, 8 dhjetor. I riu, djali i vogël i familjes Rasha, vritet me dy plumba, vetëm pak metra larg portës së shtëpisë së tij, pa mundur të mbërrinte i gjallë në atë prag. Vrasësi, efektiv i Policisë së Shtetit, iu tha eprorëve të vet se qëlloi nga frika se kishte armë dhe do t’i qëllonte, ndërkohë pak metra larg vendit të ngjarjes, u la një armë, e cila sot e asaj dite nuk u mor vesh se kush e hodhi. Policia, Prokuroria, SHKB-ja, pretenduan që e zbardhën krimin e rëndë, por janë të shumta detajet e asaj vrasjeje që përgjaku ditën e Rinisë që në fakt nuk u morën vesh kurrë. Klodian Rasha u vra pas shpine, teksa kishte thyer, sipas Policisë, urdhrin e qeverisë për të dalë natën jashtë, ndërsa ishte përcaktuar orari i karantinës.

I riu, vetëm 25 vjeç, u tha se doli të blinte cigare, pa e ditur se në atë rrugë gjendej patrulla e Policisë me të cilën jo vetëm do përballej po madje edhe do të vritej. Pas një mori përpjekjesh për ta minimizuar peshën e ngjarjes, për ta devijuar shkakun real të atij krimi të rëndë, Policia vuri në pranga oficerin e Policisë, edhe ai në moshë të re, i cili u la në burg dhe doli para Gjykatës. E ndërsa qeveria vijonte ecejaket për në shtëpinë e Klodianit, mediat arritën të nxirrnin videon e momentit fatal, teksa autori-polic, merr shenjë dhe qëllon Klodianin teksa kishte hyrë në rrugicën që e çonte në shtëpinë e tij. Mirëpo edhe pse faktet dhe pamjet dëshmuan se vrasja nuk ishte aksidentale por e qëllimshme dhe me dashje, Nevaldo Hajdëraj, nga Tepelena mundi të përfitonte të gjitha hapësirat që i njeh ligji, duke shmangur jo vetëm dënimin e përjetshëm, por madje duke përfituar edhe gjykim të shkurtuar. Pas dhënies së dënimit prej 12 viteve burg për atë vrasje, autori i krimit ka vendosur të shkojë në Gjykatën e Lartë që të bëjë të mundur ndryshimin e akuzës për të cilën është dënuar.

REKURSI

Në mesin e muajit korrik të këtij viti, Gjykata e Apelit të Tiranës zbardhi vendimin të mos ndryshojë dënimin me 18 vite burg (12 me gjykim të shkurtuar) për ish-efektivin e Njësisë Policore “Shqiponja” Nevaldo Hajdëraj, i cili u shpall fajtor për vrasjen e Klodian Rashës. Vendimi në fakt ishte marrë rreth 4 muaj më parë por zbardhja e tij ndodhi në korrik. Apeli bëri me dije se vonesa kishte ardhur për shkakun e punës voluminoze që kishte dhe ka ajo Gjykatë, në fakt, por vendimi zemëroi më së shumti familjen e Klodianit. Ata ishin kundër jo vetëm masës së ulët të dënimit, por edhe për shkak të përfitimit nga vrasësi i djalit të tyre të gjykimit të shkurtuar.

Mirëpo, Prokuroria e Tiranës në fakt u detyrua të ndryshonte akuzën e fillimit me të cilën e kishte lënë në qeli punonjësin e Policisë, ndryshim që i hapi rrugë autorit që të mos pajtohej me vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe tashmë as atë të Gjykatës së Apelit. Tashmë ai iu ka drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs, duke kërkuar që gjykimi i dosjes së tij të kryhet nga një kolegj penal, pasi ai beson se e ka kryer vrasjen e Klodian Rashës në kushtet e tejkalimit të kritereve të mbrojtjes.

Në fakt, fillimisht hetimi për policin e skuadrës “Shqiponja” ka nisur nga Prokuroria pikërisht për këtë akuzë, por nxjerrja e pamjeve filmike e detyroi Prokurorinë ta ndryshonte në “vrasje me dashje”. Hajdëraj u gjykua në të dy shkallët në bazë të kësaj akuze por ai nuk e pranon e për pasojë iu ka drejtuar shkallës më të lartë që të rishihet edhe njëherë akuza e dhënë nga dy prokuroritë e tjera dhe gjykimi i dy gjykatave respektive. Hajdëraj refuzoi që në fillim që ta kishte kryer krimin e rëndë me dashje, edhe pse Klodiani, në momentin që u qëllua kishte vetëm pak metra të hynte në shtëpinë e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura