Dy veteranët gati të tregojnë muskujt/ Mjellma përballë Ibrakadabrës, “San Siro” gati për shou

Nov 7, 2021 | 8:43
SHPËRNDAJE

Mbrëmjen e sotme, “La Scala” e futbollit do të ndezë projektorët për të pritur shfaqjen më të rëndësishme të saj.

IBRAHIMOVIC 1

Milan-Inter, përveç shkëlqimit të saj të zakonshëm do të ketë të shtuar këtë herë edhe protagonizmin e “Ibrakadabras” dhe “Mjellmës së Sarajevës”.

Ibra-Xheko, këtë herë është më e veçantë se ajo e sezonit të shkuar mes suedezit dhe Lukakut, mbi të gjitha për moshën dhe eksperiencën e bomberave që pritet të përcaktojë fatet e ndeshjes.

IBRA – Në trupën kuqezi, çdo gjë, përsëri dhe si kudo ku ka qenë, rrotullohet rreth Zlatan Ibrahimoviçit. Sapo ka mbushur 40 vjeç, por duket se nuk ka ndërmend të ndalet dhe e ka vendosur Interin si objektivin e radhës për t’i bërë dëm, ashtu si në derbin e kaluar kur me një dopietë ishte vendimtar përballë skuadrës së atëhershme të Kontes.

Ibra, ndryshe nga homologu i tij, e di mirë si luhet derbi i Madoninës sepse ka realizuar 8 gola në 8 ndeshjet e tij ndaj zikaltërve. Pavarësisht se suedezi ka shënuar vetëm 3 deri më tani në kampionat, lënia pushim në ndeshjen ndaj Portos, ka bërë që të rikuperojë energjitë dhe të ruajë përqendrimin maksimal për të qenë njeriu i derbit.

XHEKO 1

XHEKO – Interi është sulmi më i mirë i Serisë A dhe meritën kryesore për këtë e ka Edin Xheko, lider i padiskutueshëm në repartin e avancuar. Boshnjaku me 7 golat e tij ka larguar fantazmën e Lukakut dhe tashmë do të kërkojë ta zhdukë komplet në derbi, aty ku belgu ka qenë decisiv.

35-vjeçari është i kudondodhur në lojën e zikaltërve, nga faza krijuese deri në rolin e “pykës”, jo vetëm duke shënuar, por edhe duke ndihmuar shokët e tij të skuadrës të avancojnë.

Xheko ka provuar shokë të ndryshëm reparti edhe pse e ka vitin e tij të parë me Interin ka treguar që nuk e ka të vështirë të ambientohet duke nxjerrë më të mirën nga të gjithë.

Përgatiti: NISLI GJINI/ Panorama Sport/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura