“Dy vaksinat ruse janë të sigurta”- Putin jep lajmin e mirë, ja kur do të nisë testimi masiv i qytetarëve kundër koronavirusit

Oct 29, 2020 | 19:40
SHPËRNDAJE

“Të dy vaksinat ruse kundër koronavirusit janë të sigurta dhe efektive”, kështu tha sot Presidenti rus Vladimir Putin, duke vënë në dukje se një vaksinë e tretë po përgatitet dhe shprehu shpresën se vaksinimi masiv i popullatës do të fillojë deri në fund të vitit.
putin

“Gjëja kryesore është se këto vaksina ishin të sigurta dhe efektive. Të dyja këto kërkesa janë përmbushur në rastin e parë dhe në të dytën dhe vaksina e tretë është duke u përgatitur”, deklaroi presidenti rus.

Putini gjithashtu u shpreh se vaksinat ruse do të ofroheshin për shitje në tregjet e huaja dhe tashmë janë propozuar, por theksoi se vaksinimi i qytetarëve rusë është përparësi.

Më tej ai tha se sipas vlerësimeve të ekspertëve, qarkullimi vjetor nga lëshimi i vaksinës në tregjet ndërkombëtare vlerësohet në rreth 100 miliardë dollarë.

Sipas tij Rusia është e gatshme të shesë të drejtat e prodhimit të vaksinave kompanive të huaja, por jo në kurriz të vaksinimit në vetë Rusinë.

Por ai tha se ka disa probleme me prodhimin e vaksinës, duke theksuar se për momentin çështja është që të sigurohet vëllimi i nevojshëm i prodhimit industrial.

“Ka disa probleme këtu lidhur me ekzistencën ose mungesën e pajisjeve të nevojshme”, tha presidenti rus, duke theksuar se “partnerët tanë të huaj” kanë pajisje të tilla.

Sidoqoftë, pavarësisht nga problemet që kanë lindur me prodhimin e vaksinës, presidenti rus shprehu shpresën se vaksinimi masiv i qytetarëve rusë do të fillojë deri në fund të vitit.

“Vaksina ka arritur në të gjitha rajonet. Shpresoj se mund të fillojmë vaksinimin masiv deri në fund të vitit,” tha Putin, duke shtuar se “vendi i parë partner” që mori vaksinën është Bjellorusia.

Presidenti rus, duke iu referuar rritjes së fundit të ndjeshme të rasteve në Rusi, tha se nuk kishte plane për të vendosur kufizime të reja, “për të zbatuar një bllokim mbarëkombëtar kur ekonomia dhe biznesi praktikisht do të mbyllen plotësisht”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura