Dy skenarët për në vazhdim/ Sejko: Rritja ekonomike nis në 2021, pasojat e pandemisë…

Aug 6, 2020 | 8:40
SHPËRNDAJE

Ecuria e mëtejshme e pandemisë do të diktojë situatën ekonomike bashkë me politikat monetare që do të ndërmarrë Banka e Shqipërisë në vijim.

Në mbledhjen e një dite më parë, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit dhe atë të depozitës dhe kredisë njëditore. Në skenarin bazë, BSH parashikon që në 3-mujorët e ardhshëm të vijojë rënia ekonomike, ndërsa një rritje e ngadaltë do të mund të shihet vetëm në fillimvitin e ardhshëm.

Gent_Sejko

Në mbledhjen e djeshme, Guvernatori i Bankës, Gent Sejko, nënvizoi se falë ndërhyrjes së sektorit bankar, janë amortizuar goditjet ekonomike si shkak i pandemisë, teksa paralajmëroi se një zgjatje e theksuar e saj dhe rikthimi i masave të kontrollit do të vendosë në rrezik balancat.

“Relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa për një rikuperim gradual të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim. Gjithsesi, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm nëse ka zgjatje të theksuar në kohë të pandemisë dhe riprezantimi i masave të distancimit social si dhe probleme në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit te sektorit privat”.

PASOJAT E PANDEMISË

Në bilancin ekonomik të tre muajve që lamë pas, Guvernatori deklaroi se pandemia ka vënë në vështirësi biznese e familje, me mbylljen e aktiviteteve që kanë lënë pa punë shumë persona. Të dhënat flasin për rritje të inflacionit e gjithashtu rritje të papunësisë.

“Rënia e kërkesës për mallra e shërbime dhe mbyllja e përkohshme apo rritja e kostove për disa kategori aktivitetesh, është pasqyruar në një sërë treguesish ekonomikë. Inflacioni shënoi rritje të lehtë në tremujorin e dytë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 1.9%. Po ashtu, rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020”.

Sejko shton se efekti i pandemisë do të vijë progresivisht drejt reduktimit në dy 3-mujorët pasues. Dy janë skenarët ekonomikë në vazhdim. I pari, nëse situata epidemiologjike vjen në përmirësim, aktiviteti ekonomik do të shënojë pikun e ngadalësimit për t’iu rikthyer rritjes në vitin 2021.

“Rritja e kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje të pagave e të kostove të prodhimit, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”, shton Sejko, duke folur më pas për skenarin më të keq të mundshëm që ka të bëjë me përkeqësimin e situatës, e cila do të prishë të gjitha balancat ekonomike.

Sidoqoftë, deri tani tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta, kostot e financimit të sektorit privat mbeten të ulëta, kursi i këmbimit i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar vijon të shfaqë tregues të mirë likuiditeti.

VENDIMET

Përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi: Mbylljen me faza të aktivitetit të ndërmjetësimit të investimit të personave fizikë në bonot e thesarit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Kjo nënkupton se BSH në dy vitet e ardhshme do të heqë mundësinë për të investuar në bono thesari. Kjo gjë, mund të kryhet vetëm nga institucionet e tjera financiare të licencuara për këtë shërbim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura