Dy Shqipëritë

Aug 24, 2015 | 13:56
SHPËRNDAJE

Grida Duma
Grida Duma
GRIDA DUMA

Në perëndim të Shqipërisë shtrihet realiteti i shoqërive të zhvilluara që kanë mundur të pranojnë pjesën më të madhe të të vërtetave të tyre.
Cilat janë të vërtetat tona? Njëra prej tyre është se kemi dy Shqipëri. Kemi Shqi-përinë e 50 mijë azilkërkuesve në vit, dhe Shqipërinë e mijëra emigrantëve që këto ditë kthehen për pushime në një atdhe, strukturat shtetërore të të cilit plot zell i numërojnë si turistë të huaj për efekt të statistikave që justifikojnë rritjen ekonomike.

Kemi Shqipërinë zyrtare, e cila me gojën e Kryeministrit deklaron bujshëm se Bashkimi Europian po dështon si “motor shprese”, dhe Shqipërinë reale, një Shqipëri memece, e cila mbush heshturazi letrat e azilkërkimit. Kemi Shqipërinë e shpresës së trembur të atyre që duan të ikin, dhe Shqipërinë e frikës së atyre që druhen se do të zhgënjehen kur të kthehen. Njëri prej tyre, dhe nuk është i vetmi, shprehet:
“…na iku jeta në vend të huaj, u ndamë nga njerëzit e dashur. S’kemi vend në vendin tonë, sepse ky vend është i korruptuar, me monopole dhe hajdutë. I urrej me gjithë shpirt pushtetarët e vendit tim. Punojmë jashtë, dhe kur vijmë këtu ndihemi më të përbuzur se në tokën e huaj. Kjo ndodh sepse në Shqipëri të gjithë janë hajdutë”.

Nuk janë hajdutë të gjithë pushtetarët, edhe pse ndoshta gjejmë kënaqësi kur shfryhemi duke i konsideruar si të tillë. Por, nga ana tjetër, me t’u kthyer si emigrantë në atdhe, rizbulojmë se gjërat vazhdojnë të mos funksionojnë, ashtu siç nuk kanë funksionuar ndonjëherë. Ankohemi për policët, rrëmujën në rrugë, pastërtinë, shkollat, medikamentet. Në fjalët e emigrantëve shpesh nuk mbizotëron malli për atdheun e humbur, por e keqja që kanë rigjetur duke u kthyer në të.

Në çdo hallkë të shoqërisë jemi mësuar të bashkëjetojmë me dy të vërteta paralele, ashtu si ato biznese që gjejnë sa mbijetesën, aq edhe fitimin, te bilancet e dyfishta. Një pjesë e mirë e administratës e di edhe vetë që është aty sepse e ka vënë partia, nga ana tjetër qytetari që kërkon shërbim e di fort mirë që njëri apo tjetri zyrtar nuk është as specialist, as profesionist, dhe brenda vetes e përçmon. Por, nga ana tjetër, ky qytetar, me t’iu dhënë shansi i përfitimit prej këtij zyrtari të përçmuar, e shfrytëzon deri në fund, madje s’ngurron as ta lavdërojë si burrë të mirë që “i mbaroi punë”.

Gjithsesi, kjo nuk e pengon aspak që darkave, ndërsa ulet përballë Facebook-ut, me një emër anonim, apo qoftë edhe të vetin, të nxjerrë dufin që nuk e dinte që i kishte mbetur ende, duke sharë sistemin dhe korrupsionin. Por të nesërmen, nëse do t’i jepej sërish rasti, ky njeri do të zgjidhte “të mbaronte punë” në të njëjtën mënyrë. Dhe të “mbarosh punë” është ajo që duhet të bëjë sot secili.

Kjo tablo është e përditshme dhe nuk habit askënd. Të rrallë janë njerëzit në nevojë për punë që nuk pranojnë punën që u jepet. Halli është mbi të gjitha, dhe nevoja nuk gjykohet. Por ndërsa të duhet një punë, që të të pranojnë pasi të kanë dhënë fjalën, të duhet edhe ndonjë karton diplome që ta justifikosh. Pasi e merr edhe kartonin, të duhet të pranosh se bën pjesë në po të njëjtin sistem që kaq fort po shan dhe po gjykon. Pavarësisht kësaj, thuajse kushdo vetëjustifikohet: “Isha i detyruar, ç’të bëja, do mbaroja punë, do hyja në punë, më duhej ta mbyllja atë çështje”. Dhe vërtet, duhet të mbarosh punë e duhen mbyllur punët, pasi s’mund të mbijetosh ndryshe.

Ngërçi, nevoja për të mbaruar punë, ky imperativ për të mbijetuar, duhet gjykuar për atë që është. Pavarësisht gjithçkaje, këto gjykime nuk e ndryshojnë të vërtetën e thjeshtë që individi i viktimizuar, të cilin sistemi i padrejtë e ka shtyrë të bëjë lloj-lloj kompromisesh dhe marrëveshjesh, është pikërisht i njëjti njeri kundër të cilit vetë ai shfryn, duke e quajtur pandreqshmërisht të korruptuar.

Kjo verë nuk ndryshoi nga të tjerat vetëm në një kuptim: takova sërish miq e të afërm, emigrantë të suksesshëm Perëndimi, përballë ironive dhe kritikave të pafundme të të cilëve m’u desh të mbroj pikërisht këtë Shqipëri problematike. Pse e mbroj? Sepse e di se një popull i dalë nga një varfëri ekstreme ka etje të madhe për mirëqenie materiale. Ndërsa të gjithë rendnin drejt saj, pakkush mund ta mbante hapin për të mbrojtur vlerat e mëdha, për të ndalur keqpërdorjen.

Uria për të jetuar mirë është një realitet themelor. Mënyra për ta shuar atë reflektohet nëpërmjet aftësive, mundësive, vlerave dhe forcës së karakterit të secilit. Dikur Viktor Hygo shkruante: “Ka gjithmonë më shumë mjerim te shtresa e ulët seç mund të ketë dashamirësi njerëzore te shtresa e lartë”. Ndaj, nëse ekziston diçka që nuk duhet gjykuar, para së gjithash nuk mund të gjykohet nevoja jonë për dinjitet ekonomik. Sepse mospasja e dinjitetit ekonomik është humbje e njërës nga kolonat, – natyrisht jo të vetmes – ku mbështetet dinjiteti njerëzor. Këtë reagim e pata çdo herë, kur në përfundim të zgjedhjeve të qershorit, njerëzit më drejtoheshin duke sharë ata që “për një thes me miell” shkuan dhe shitën votën.

U thosha pa asnjë hezitim se nuk mund të gjykojmë atë që ka nevojë të shesë, për kaq apo aq, pavarësisht nga trajtat e larmishme që merr thesi me miell. Është detyra jonë të bëjmë ç’të mundemi që njerëzit të dalin nga ky batak, pavarësisht madhësisë së thesit. Është gjithashtu detyrë e klasës politike të ndërtojë standardin e transparencës së thasëve me lekë të hedhur nëpër fushata. Pesha e tyre nuk rëndon kurrsesi mbi ndërgjegjen e qytetarit në nevojë.

Nga njerëz që vlerësoj kam dëgjuar ironi për sloganin e fushatës sonë për zgjedhjet e fundit lokale – “Punë dhe dinjitet”. Më thoshin – njerëzit nuk duan të punojnë, duan thjesht një vend pune. Dallimi është i madh. Sepse i punësuari nuk e lidh punën me një produkt, por me sigurinë e një rroge, qoftë edhe të vogël. Nga partia kërkon mbrojtje, pikërisht që ta ruajë rrogën e tij të vogël. Kënaqësi nga puna gjen rrallë. Shumë të rinj (disa sondazhe thonë deri në 65% e tyre) duan këtë lloj punësimi, jo punën.

Investimi total shkon te ndërtimi i rrjeteve dhe marrëdhënieve që do t’i katapultojnë nga bankat e shkollës nëpër pozita drejtuese, prej të cilave pa vonesë do të nisin të lëshojnë pallma prej liderësh të kombit. Sepse në këto kohëra braktisjesh masive të Shqipërisë doli se kombi qenka kaq shumë në modë. Koncepti i arritjes është ky. E megjithatë, nëse e pyet këtë të ri çfarë quan vlera, ai do të blegërijë sentenca plot moral kryekëput të ndryshme nga veprimet pragmatiste që kryen çdo ditë.

Ekziston një hendek i madh midis asaj që deklarojmë si vlerë dhe asaj që bëjmë për të siguruar atë çka ka vërtet vlerë për ne. Hendeku nuk është plotësisht i vetëdijshëm; fakt është se çdokush e ka tejet të lehtë t’i japë vetes pafajësinë: nuk dua ta bëj, por jam i detyruar. Por historia zhvillohet nëpërmjet fakteve, jo thënieve. Në Shqipëri fakte janë edhe thasët me miell. Për këtë arsye ajo që duhet gjykuar janë faktet, jo thëniet. Askush nuk është dënuar për vrasje se ka shfryrë “do ta vras”. Dënimi vjen nëse zbulohet vrasja e kryer.

Shoqëria që nuk gjykon, por shfryn, që nuk dënon, por vetëshfajësohet, krijon dy Shqipëri: atë të rremen e vlerave ideale, megagalaktike dhe kombëtare që nuk arrijmë as ta prekim, dhe Shqipërinë reale të përçudnimit që na prek çdo ditë. Pikërisht tek e drejta e mirëqenies kaq shumë të munguar vazhdojmë të mbështetemi për të shmangur kaq shumë përgjegjësi. Përgjegjësitë fshihen pas vështirësive, mungesave dhe shtrëngesave të mëdha. Gjithçka tretet, dhe ajo që mbetet është thjesht e drejta e këtij qëllimi. Por ky qëllim nuk është më i drejtë. Në këtë kuptim, hendeku midis asaj që besohet dhe asaj që thuhet rritet nga dita në ditë.

Në fund, të gjithë jemi viktimat e mundshme që enden rrezikshëm në zgrip të këtij hendeku. Të shumtë janë ata që tashmë dergjen atje poshtë.
Dhe gjithnjë më të paktë janë ata që vazhdojnë të vënë duart në kokë ndërsa shohin Kryeministrin që i mban leksione Europës se qysh duhet t’i trajtojë emigrantët që arratisen nga Shqipëria për arsye ekonomike. Ky njeri që më shumë sesa artisti i parë i shqiptarëve do të kujtohet si Kryeministri i eksodit të tyre të dytë, nuk ka asnjë drojë t’i tregojë Italisë se sa shumë përfiton nga emigrantët tanë, asnjë skrupull që të trishtohet se sa shumë fuqi punëtore po humb Shqipëria.

Asnjë grimë ndërgjegjeje për të reflektuar mbi të dhënat e censusit të fundit që tregon se një nga shkaqet e dështimit të ekonomisë është pikërisht që fasha më aktive për punë tashmë është larguar. Apo që rentabiliteti i orës së punës së shqiptarëve ende qëndron te kufijtë e 40% të kroatëve. Apo që Shqipëria është vendi i vetëm që lyen kazanët e plehrave me portokalli dhe e quan revolucion, i vetmi vend ku çmimi i naftës rritet, ndërsa të ardhurat nga akciza bien. Ku ata që paguajnë rregullisht tatohen që të paguajnë edhe për ata që s’duan të paguajnë, ku ata që s’kanë ç’të paguajnë plasen brenda, ndërsa numri i atyre që ikin rivalizon Sirinë. Nga lartësitë e stuhishme të kësaj situate legjendare, lideri më i gjatë në botë i tregon Europës se ajo nuk ka se ku të shkojë pa Shqipërinë.

Pa këtë Shqipëri
Është pikërisht përjetësimi i bashkëjetesës së pandarë së disa të vërtetave gjysmake me një gënjeshtër totale ngërçi më i madh në rrugën tonë. Është pikërisht kjo arsyeja që ne vazhdojmë të mbetemi peng i një realiteti që vazhdimisht prodhon dy Shqipëri.
Dikur dallimi midis vendeve të zhvilluara dhe të pazhvilluara gjendej në përqendrimin e masës së njohurive, shpikjeve dhe përdorimit efektiv të tyre. Globalizmi i sotëm i shpërndan njohuritë dhe aplikimin e tyre me shpejtësi të pandalshme.

Sot thelbi i qytetërimit qëndron sa te pranimi i tjetrit, aq edhe te pranimi i vetes ashtu siç jemi. Por jemi ende larg kësaj. Tek ne, edhe ai që ka shitur votën, edhe ai që ka marrë një punë të cilën as nuk e meriton, as nuk e bën dot, vazhdon të thotë: “Nuk kisha ç’të bëja, jam i pafajshëm”. Sepse morali i vetëm që na ka mbetur në këtë vend është të marrësh ç’të mundesh. Përballë këtij realiteti ne, bashkë me emigrantët tanë të suksesshëm apo më pak të suksesshëm, duhet të pranojmë se në 25 vjet Shqipëria mund të kishte bërë shumë më tepër, dhe shumë më mirë, por sado të kishte bërë, asgjë s’do ishte e mjaftueshme.

Dualizmi ekziston kudo dhe në çdo kohë. Ekziston midis dukjes dhe thelbit, midis të drejtës dhe të padrejtës, midis vetes dhe tjetrit. Por në Shqipëri dualizmi qëndron midis asaj që besojmë se bëjmë dhe asaj që bëjmë realisht. A do të vazhdojmë të qëndrojmë në gjendjen e një pafajësie të pavërtetë, duke e luajtur në prapaskenë rolin e jetës sonë?
Na duhet paqe me realitetin, na duhet të pranojmë se, me hir apo me pahir, jemi sa pjesë, aq edhe pjesëmarrës në të këqijat dhe të mirat që kemi.

Nëse sjellim bashkë atë që realisht besojmë me atë që bëjmë, do të arrijmë që më në fund të mos mallkojmë të paevitueshmen, ndërsa largojmë pafundësisht përgjegjësinë prej vetes. Kështu ngjizet diskutimi për gjërat e mundshme; një Shqipëri e vetme, ajo e së mundshmes, ajo e asaj që është dhe që mund të bëhet. Nëse diçka s’mund të kryhet ndryshe, le ta lidhim veten me të vërtetat e thjeshta.  Zhvillimi mund të ndodhë nëse qëndrojmë përkundrejt fakteve tona, ashtu siç i kemi.

Kësisoj politika nuk degradon në bla-bla-bla ku dëgjuesi as që rreket më të kuptojë se ç’po thotë mendjendrituri i radhës. S’mund të kufizohet politika në dhënie mendsh mbi dy Shqipëri që s’përputhen kurrkund; ajo duhet të jetë, siç duhet të kishte gjithmonë qenë, një diskutim mbi alternativa reale -se si bëhet, si ndërtohet, si ruhet zhvillimi, në një vend të vërtetë, në të njëjtin vend për të gjithë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura