Dy qasje përkundrejt sistemit aktual ndërkombëtar

Nov 25, 2020 | 8:45
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI

dritan hoti

Historianët e presidencave amerikane, si dhe zyrtarët e lartë që kanë shërbyer në to, i paraqesin fazat e tranzicioneve presidenciale në dy aspekte, të cilat janë: kalimi, dorëzimi i pushteteve, si dhe vendosja në zbatim e qasjeve të reja politike. Ndryshe nga tradita në historinë e tranzicioneve presidenciale në SHBA, duke u nisur nga e “veçanta” e specifikave të karakterit të tij, Donald Trump vazhdon të shfaqë kokëfortësi në pranimin e humbjes bindëse elektorale.

Për vetë rolin e veçantë të Amerikës në 100 vitet e fundit të historisë së njerëzimit, çdo President përfaqëson sensin e historisë së Amerikës.

Në ndryshim me sistemet e së shkuarës, i tillë ai i Vjenës 1815, Traktatit të Versailless, 1919-1920, epiqendër e të cilëve ishte Europa, përgjatë atij të Luftës së Ftohtë, Perëndim-Lindje, elementet e tyre përbërëse apo ligjësitë shfaqeshin si të kodifikuara, rendi aktual ndërkombëtar shëmbëllen i pakrahasueshëm me to. Sfida madhore e sistemit aktual ndërkombëtar konsiston në faktin pasi për herë të parë në historinë e njerëzimit, bota, me gati 8 miliardë banorë, ka hyrë në një stad global të historisë, në të cilin aktorët kryesorë të përfshirë në formësimin e tij ende nuk po i japin atij sensin e duhur. Në rast se në 2 vitet e para të Presidencës së tij, politika e jashtme e Trump-it pati si karakteristikë thelbësore të saj një kombinim ndërmjet një diplomacie elektoraliste me një diplomaci afirmuese. Elektoraliste, pasi siç e cilëson John Bolton, ishte e zhveshur “nga konceptet filozofike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, dhe si rrjedhojë shkonte në funksion të përftimit të suksesit të brendshëm elektoral, mandej firmuese, pasi në disa rajone të botës, prej të cilave ndërvaret në një mënyrë të konsiderueshme megastabiliteti global, pra, dhënia e një sensi rendit aktual botëror.

Duke mbajtur parasysh që çështjet ndërkombëtare janë nënprodukte të proceseve komplekse gjeopolitike e diplomatike, rezultoi herë pas here një situatë kontradiksioni midis reagimeve të Presidentit Trump, në të shumtën e rasteve nëpërmjet rrjeteve sociale, me qëndrimet profesionale të establishment-it të politikës së jashtme amerikane, Departamentit të Shtetit, komisioneve të Kongresit apo Senatit, si dhe strukturave të tjera. Presidenti i sapozgjedhur, Joe Biden, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i rikthejnë në dimensionin e mëparshëm në hapësirën e vendeve demokratike, me të cilat SHBA-të ndajnë perceptime e pikëpamje të përafërta përkundrejt demokracisë, duke qenë kështu kontribuuese proporcionalisht në përballjen e sfidave madhore të botës sonë.

Donald Trump qortoi në fillimet e presidencës së tij hera-herës mënyrën e funksionimit të NATO-s, tërhoqi SHBA-të nga marrëveshja e Parisit për klimën, OBSH-në si dhe zbehu praninë e Amerikës në organizatat e tjera ndërkombëtare duke i veshur SHBA-të ngjashmërisht me rolin e një shteti-komb, por që disponon potencialin e një superfuqie, duke kontribuar me dashje apo pa dashje në një rikthimin në trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në formulat e përafërta me ato të fundshekullit XIX. Joe Biden afirmon se SHBA-të do të jenë aktive në organizatat ndërkombëtare për të peshuar aty po aq me pikëpamjet prioritare të Amerikës, sa edhe për të penguar rritjen e influencës si dhe manipulimin e tyre nga ana e Kinës.

Donald Trump, sa u përket qëndrimeve strategjike përkundrejt Europës, u mbështet në aksin Londër-Varshavë si dhe nuk ndryshoi, por iu përmbajt skemave analoge gjeopolitike në lidhje me Europën ish-komuniste. Joe Biden lë të kuptohet se do t’iu qëndrojë të njëjtave projeksione diplomatike: aleancën e përhershme me Londrën që buron nga lidhjet speciale, me Poloninë njëkohësisht si vend i posaçëm aleat dhe si pikë mbështetëse strategjike midis Rusisë, Ukrainës dhe vendeve baltike. Në të njëjtin sfond gjeostrategjik dhe me të njëjtin status të aleatit, peshohet edhe Shqipëria si dhe hapësira mbarë shqiptare në Europën Juglindore; ndërkohe që do të kultivojë gjithashtu ruajtjen e partneritetit transatlantik, duke mos toleruar tendencat antiamerikane që janë shfaqur në gjirin e kësaj aleance gjithnjë e më tepër në këto 2 dekadat e fundit.

Donald Trump nuk zhvilloi koncepte të caktuara përshtatëse për sistemet rajonale, prej të cilave favorizoheshin ekuilibra të caktuara duke i asociuar ato njëri me tjetrin në funksion të rendit ndërkombëtar. Administrata Trump izoloi Iranin si një burim destabiliteti dhe radikalizmi politiko-fetar në rajon, duke favorizuar si rrjedhojë pretendimet historike të Izraelit si dhe stabilizimin e marrëdhënieve të këtij të fundit me disa prej vendeve arabe rivale apo me pozita të kërcënuara prej Iranit në atë rajon. Në Ballkanin Perëndimor, administrata Trump promovoi një bashkëpunim ekonomik për të përgatitur mundësisht një paqtim politik si dhe e trajtoi Turqinë e Erdoganit në ndryshim me vendet europiane si një aktor i pashmangshëm në Mesdheun Lindor, Azinë Qëndroje dhe çështjen siriane. Joe Biden, në kontrast me Trump-in, I cili jo në pak raste iu kundërvu paradoksalisht globalizimit nëpërmjet një retorike nacional-populiste, do t’i rikthehet traditës, sensit të historisë së Amerikës, pra, trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke u nisur nga ideja e lirisë dhe qeverisjes përfaqësuese. Mirëpo, këto praktika jo detyrimisht pajtohen me natyrën e sfidave komplekse gjeopolitike në rajone të caktuara. Kështu, do të rezultojë një politikë e jashtme e administratës Biden, e përngjashme me atë të paraardhësve të tij para Donald Trump-it, në thelb të së cilës do të jetë konstruktivizmi politik, i ndërthurur edhe me praktika të realizmit në diplomaci, të imponuara nga rrethana specifike.

Një gjë është e sigurt, se Amerika e Biden-it në rivalitetin jo vetëm gjeopolitik, por ekonomik e industrial me Kinën, si superfuqi në ngjitje, Rusinë si një fuqi turbulluese, apo aktorë të tjerë të rëndësishëm, do të investohet të paqtojë sistemin e saj demokratik përfaqësues me zhvillimin teknologjik e globalizimin. Nga ky dimension, SHBA-të do të kontribuojnë për t’i dhënë edhe sensin e kërkuar sistemit aktual ndërkombëtar.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura