Dy propozimet/ Plani i FMN, si do të llogaritet taksa për shtëpitë dhe pronat

0
SHPËRNDAJE

Pas 1 janarit 2018, taksa e pronës nuk do të jetë më fikse, por do të llogaritet mbi vlerën që një shtëpi apo pronë ka në treg.

ahmetaj-fmn

Çmimi referues do të përdoren çmimet fiskale të miratuara nga qeveria, të cilat përdoren nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Për llogaritjen e taksës së pronës si përqindje bazuar mbi çmimet fiskale, qeveria është duke diskutuar disa variante, por asnjë nuk është përfundimtar.

“Panorama” boton edhe një herë formulën e rekomanduar nga FMN dhe shembujt për ta konkretizuar për qytetarët. Departamenti i politikave fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar qeverisë dy variante për taksën, vendosjen e një përqindjeje që nis që nga niveli minimal 0,075 për qind deri te niveli më i lartë 0,15 për qind e vlerës së pronës dhe do të paguhet një herë në vit.

Formula që rekomandon Fondi Monetar Ndërkombëtar përfshin llogaritjen e taksës mbi vlerën e apartamentit sipas tregut, por duke përfshirë edhe truallin mbi të cilin është ndërtuar pallati apo vila.

Me variantet që propozon FMN, më shumë taksë do të paguajnë ata qytetarë që disponojnë shtëpi me sipërfaqe më të mëdha dhe banojnë në zona të shtrenjta. “Për të siguruar njëtrajtshmërinë e taksimit, qeveria qendrore duhet të përcaktojë një nivel të zbatueshëm të tatimit në pronës. Për shembull, një nivel i arsyeshëm mund të jetë nga një minimum prej 0.075 për qind deri në 0.15 për qind të vlerës. Një nivel i tillë do të sigurojë që të arrihet objektivi për rritjen e të ardhurave për njësitë vendore”, propozohet në raportin e departamentit fiskal të FMN-së.

FORMULA

Formula që i propozohet qeverisë konkretizohet nëpërmjet shembujve ku sipas FMN, për një apartament në Tiranë me sipërfaqe 65 m2 do të paguhet 6842 lekë taksë në vit apo 49 euro, ose 2,6 për qind të të ardhurave minimale vjetore. Sipas shembullit për apartamentin me sipërfaqe 65 m2 me çmim 88,200 lekë/m2 vlera e apartamentit llogaritet 5,773,000 lekë. Në formulën e llogaritjes së taksës përfshihet edhe trualli mbi të cilin është ndërtuar apartamenti. Për këtë pallat 10-katësh ku banojnë 40 familje llogaritet që sipërfaqja mbi të cilën është ndërtuar është 325 m2 me çmim 32,593 lekë m2.

Në total vlera e truallit është 264,818 për familje. Në total vlera e shtëpisë me sipërfaqe 65 metra katrorë, përfshirë edhe truallin, llogaritet 5,9 milionë lekë, ndërsa taksa që do të paguhet në vit do të jetë 49 euro.

Ndërsa për një vilë me sipërfaqe 130 metra katrorë e ndërtuar mbi një truall prej 500 metrash katrorë, llogaritet që taksa vjetore e pronës të jetë 31,671 lekë apo 226 euro në vit, apo 7,3 për qind e të ardhurave minimale vjetore.

Taksa është llogaritur mbi vlerën e çmimit të tregut, që për rastin konkret merret çmimi 88,200 lekë/m2. Për sipërfaqen e vilës vlera llogaritet 11,466,000 lekë, ndërsa vlera e truallit e llogaritur me çmim 32,593 lekë është 16,296,500 lekë. Në total çmimi i vilës llogaritet 27,762,500 lekë, ndërsa taksa që do të paguhet do të jetë 226 euro në vit.

DORINA AZO/PANORAMA

Te lidhura

 

Artikulli paraprakShkeljet gjatë fushatës: Partitë kosovare gjobiten me 80 mijë euro
Artikulli tjetërPlas te Luftëtari/ Gjobë dhe pezullim pa afat për portierin Miraka dhe sulmuesin Nunes

S'KA KOMENTE

Comments are closed.