Dy projektligje në Kuvend për statusin e minatorëve, ulet mosha e pensionit

Oct 4, 2017 | 10:43
SHPËRNDAJE

Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, do të prezantojë sot në Komisionin e Çështjeve Sociale projektligjin e tij për “statusin e minatorit”.

perparim-spahiu-1-c1200x600

Nisma e deputetit të LSI është depozituar në Kuvend që në muajin mars, por ajo nuk është futur në shqyrtim. Vetë deputeti Spahiu, gjatë një konference, u shpreh se me këtë projektligj behët një trajtim dinjitoz për 21 mijë minatorë, të cilët kanë kontribuar për ekonominë kombëtare.

“Ky ligj është një trajtim dinjitoz për rreth 21,000 minatorë në gjithë vendin, që kontribuuan më shumë se kushdo tjetër në ekonominë kombëtare të 70 viteve të fundit. Industria e nxjerrjes së mineraleve, ishte dhe mbetet ende zemra e industrisë shqiptare dhe kontribuuese kryesore në të ardhurat kombëtare në vite.

Ky projektligj është një zbutje e pabarazisë sociale ndërmjet shqiptarësh, që kanë kontribuar në ekonominë e vendit. Projekti bën fjalë për punonjës të nëntokës, që çdo ditë të jetës së tyre, janë ndarë me familjarët e tyre, si për ditën e fundit të jetës. Disa, për fat të keq, nuk u kthyen dot. Këta punonjës janë kontribuues themelorë në ekonominë tonë, ndërkohë që zyrtarë e aparatçinj, kontributi i të cilëve ishte modest ( për të mos thënë s’kishin fare kontribute), shteti i trajtoi dhe i trajton shumë më mirë”, tha dje deputeti Spahiu.

tab

PËRFITIMET

Sipas këtij projektligji, “për statusin e minatorit”, paga minimale për punonjësit e minierave do të jetë jo më e ulët se dyfishi i pagës minimale. Pra, një minator nuk do të paguhet nën 48 mijë lekë në muaj. “Paga e punonjësve të Industrisë së Minierave përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, por që në asnjë rast, nuk mund të jetë më e ulët se 200% e pagës minimale në shkallë vendi dhe që do të reflektojë të gjitha detyrimet e Kodit të Punës, si edhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin në shëndetin në punë, sipas aktiviteteve të punës”, thuhet në nenin 6 të projektligjit.

SHKALLËZIMI I PENSIONIT

Në projektligjin e ri propozohet një shkallëzim i moshës së daljes në pension. Për punonjësit e nëntokës, që kanë 12.5 vite në miniera dhe 30 vite pune, dalja në pension propozohet të jetë në moshën 55 vjeç. Ndërkohë që për minatorët që kanë 11.5 vite punë nën tokë, dalja në pension do të jetë në moshën 56 vjeç, nëse ata kanë 30.5 vite pune. Ndërsa për minatorët që kanë 7.5 vite punë nën tokë dhe 32.5 vite punë në total, dalja në pension do të jetë në moshën 60 vjeç.

Ndërkohë që do të ketë dhe një shkallëzim për ish-minatorët që nuk kanë përfituar nga ligji i vitit 2000, por edhe as pension të parakohshëm. Ata ish-minatorë që kanë 12.5 vite nën tokë dhe 23 vite punë gjithsej, do të mund të dalin në pension në moshën 55 vjeç. Ndërsa për ata që kanë 7.5 vite nën tokë dhe 28 vite punë gjithsej, dalja në pension do të jetë në moshën 60 vjeç.

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura