Dy operacione policore dhe dy qëndrime

Mar 22, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Në intervale të shkurtra kohore, në media është paraqitur dy herë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili së bashku me aktorët e tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ka bërë njoftime të gëzueshme për publikun shqiptar. Njëri i lidhur me sekuestrimin e 613 kilogramëve kokainë, i cili përfundoi me arrestimin e dy personave dhe me shpalljen në kërkim të një të treti dhe tjetri i lidhur me arrestimin e 39 personave, pjesë- marrës të 7 grupeve të strukturuara kriminale dhe me shpalljen në kërkim të 12 të tjerëve. Rezultate spektakolare pa dyshim, por jo me karakteristika të njëjta dhe të përcjella njëlloj drejt opinionit publik.

Në rastin e trafikut të kokainës, gjatë prezantimit publik të goditjes ishin të pranishëm autoritetet shqiptare të Policisë, Doganave dhe Prokurorisë. Rreziku kriminal, pra, kërcënimi ishte me drejtim nga Shqipëria. Për këtë arsye bashkëpunimi i partnerëve të huaj, të pranishëm në Shqipëri, ishte minimal ose periferik. Pra, bëhej fjalë për një çështje të autoriteteve shqiptare. Ndaj dhe aksioni i kapjes së bashku me pasqyrimin e tij mediatik, ishte në dorën e tyre.

Pa i hyrë në thelb aksionit, fakti që gjatë deklarimit zyrtar u tha se hetimet vazhdonin, bëri që të gjitha mediat, natyrshëm, të fillonin një garë me njëra-tjetrën “duke kryer hetime paralele me ato zyrtare, të bazuara në burime të besueshme se në sasinë drogës së sekuestruar kishte katër shënime të ndryshme që flisnin për katër destinacione”, duke ngritur pikëpyetjen se kush ishin këta të katër, se kush kishte financuar e shumë të tjera. Pra, ndryshe nga çdo të shohim më poshtë, si hetimi dhe si komunikimi me publikun kishin lënë shtigje për interpretim, duke e mjegulluar procesin. Më pas, gjërat e përkeqësuan edhe më shumë.

Pasqyrimi publik i çështjes mori një rrjedhë shumë të zhurmshme dhe aspak në respekt të organeve që ligji u ngarkon detyrën. Deklarimi i Kryeministrit se aksioni ishte vetëm i Policisë shqiptare, duket se i dha një drejtim “publik” çështjes. Në rresht, ministri i Brendshëm, Policia, Dogana theksuan të njëjtën gjë. Ndërkohë, edhe prononcimet e opozitës nuk munguan të flasin për peshq të mëdhenj, që fshiheshin pas ngarkesës. Nuk mungoi edhe ndonjë i huaj për të thënë se kush ishte peshku. Në studiot televizive u thanë të gjitha gjërat e mundshme. Edhe ministri i Brendshëm në ndërhyrjet e tij televizive jepte gjykime mbi fakte, të cilat ishin kompetencë e hetimit. Çështja u kthye në një debat publik.

Vetëm Prokuroria nuk foli e as ka folur. Në rastin e dytë, të pranishëm ishin një numër i madh aktorësh të huaj ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë jo rastësisht specifikoi se “ Operacioni u realizua në koordinim me Agjentët Specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së SHBA-së, që janë atashuar në Tiranë”. Në këtë rast, Shqipëria ishte vendi i burimit të rrezikut, pasi klientët niseshin nga vendi ynë dhe kërcënimi kriminal ishte me drejtim Shtetet e Bashkuara, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar së bashku me Irlandën.

Në raste të tilla, forcat e sigurisë së këtyre vendeve janë shumë të ndjeshme, nuk i lënë në dorë asgjë rastësisë, problemeve i shkojnë deri në fund, pasi bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, jo thjesht për një numër klandestinësh në territor. Në linjat e kontrabandimit, fare mirë mund të infiltrohen edhe terroristë. Ndaj dhe protagonizmi i tyre, ndryshe nga hera e parë, natyrshëm do të ishte më i pranishëm, pavarësisht se i padukshëm. Nga deklarimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duket qartë se hetimi është kryer nga autoritetet ligjore shqiptare me mbështetje të fuqishme të autoriteteve amerikane, duke mundësuar ndjekjen e itinerarit, vajtje e prapësim të rreth 1000 personave për të identifikuar gjithë rrjetin dhe mënyrën e veprimit të tij.

Duke përllogaritur edhe koordinimin me vendet e tjera të transitit si Spanja, Franca, Bullgaria, ato të destinacionit cituar më sipër, si dhe organizatat koordinative Europol, Interpol dhe Selec, duket qartë kompleksiteti i aksionit, por edhe sasia e mjeteve në dispozicion të Policisë shqiptare!!! As më shumë e as më pak, aksioni më spektakolar i Policisë nën drejtimin e Prokurorisë, ku ndihma amerikane duket se ka qenë jo vetëm mbështetëse, këshilluese sesi duhet vepruar, por edhe garantuese për vendet dhe organizatat ndërkombëtare.

Pra, një aksion madhor dhe njëkohësisht një trajnim sesi duhen bërë gjërat. Gjithçka profesionale. Pra, ndryshe nga rasti i kokainës, aksioni përfundoi. Po nuk mjafton me kaq. Roli i autoriteteve amerikane i cituar nga Drejtori duket edhe në postmenaxhimin e ngjarjes. Shumë i rëndësishëm. Përsëri profesionalizëm. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, këtë radhë nuk e specifikoi suksesin si pjesë të “Operacionit Forca e Ligjit.” Po kështu, operacioni përfundoi dhe Drejtori nuk tha, si në rastin e kapjes së kokainës, se “ Autoritetet shqiptare po vazhdojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.”

Këtë radhë partnerët ndërkombëtarë ishin aty, bashkë me të. Sepse edhe hetimi kishte përfunduar. Edhe gjithë personat e përfshirë në aktivitetin kriminal ishin në burg. Edhe në rrafshe të tjera, ndryshe nga rasti i kokainës, nuk u evidentua ndonjë ndërhyrje e natyrës politike për të përcaktuar nëse aksioni ishte ndërkombëtar apo vetëm i Policisë shqiptare. Edhe ministri nuk doli para medias e të thoshte si në rastin e parë se DEA dhe INTERPOL i habitëm kur kapëm drogën. Ai përdori twiter-in ku natyrshëm i kënaqur tha se detajet do t’i jepte Policia. Edhe opozita nuk doli e të japë versionet e saj lidhur me sasinë dhe madhësinë e peshqve.

Nuk u thirr për dëshmitar asnjë ambasador i huaj për të matur peshqit. Në media nuk u hapën debate. As të ftuar nuk u panë në studiot e shumta televizive. Vetëm artikuj gazetash që kënaqin kureshtjen e lexuesve. Por, në rastin e parë bëhet fjalë për sigurinë e Shqipërisë, kurse për të dytin, për sigurinë vendeve të tjera. Leksioni është i qartë: Operacioni që fillon duhet të mbarojë dhe vetëm pasi ka mbaruar, të bëhet publik. Politika duhet të qëndrojë larg dhe t’i lërë të lira forcat e ligjit të bëjnë punën e tyre. Edhe se kush është regjia e këtij leksioni, duket qartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura