Dy klube italiane kërkojnë La Kamerën, Partizani do ta zëvendësojë me ish-kapitenin e Flamurtarit

Nov 24, 2017 | 10:22
SHPËRNDAJE

“Operacioni i dimrit” ka nisur para kohe te Partizani. Largimi i trajnerit Mark Iuliano dhe ndihmësit të tij Aleksandro Dosena u pasua të mërkurën edhe me prishjen e kontratës me 4 lojtarë. Milan Basrak, Romeo Shahinas, Andrea Selvaxhio dhe Erik Herrera dolën jashtë planeve të skuadrës pas ardhjes së Sulejman Starovës në krye të “demave”.

la kamera partizani

Por në gjurmët e tyre shikohen edhe të tjerë, për të cilët thuhet se do të pritet merkatoja e dimrit. Xhovani La Kamera nuk i gëzon të njëjtët privilegje si me Iulianon pas ardhjes së Starovës, pasi nuk konsiderohet titullar i padiskutuar. Aktualisht lojtari është i dëmtuar dhe nuk po stërvitet me grupin. Për shkak të lëndimit mungoi në Kukës dhe nuk do të jetë i gatshëm as për Skënderbeun.

Në këtë moment, Partizanit i vijnë në ndihmë disa oferta nga klube italiane për 33-vjeçarin italian. Pa dyshim të kuqtë nuk do të bëhen pengesë dhe pritet që ta lënë të lirë La Kameran që të kthehet në Itali në merkaton e janarit. Nuk përjashtohet mundësia që ai të lirohet më herët. Sipas mediave italiane, dy klube të Serisë C, Viçenca dhe Xhana Ermino, kanë shfaqur interes për mesfushorin e Partizanit.

TELUSHI

Me shumë mundësi, Xhovani La Kamera konsiderohet i ikur nga Partizani, drejtuesit e të cilit prej kohësh kanë nisur punë për afrimet e merkatos së dimrit. Zëvendësuesi i italianit shikohet ish-kapiteni i Flamurtarit, Bruno Telushi. 28-vjeçari është një “dashuri e vjetër” e drejtuesve të kuq, pasi e kanë synuar edhe më herët për ta bërë pjesë të ekipit.

Bruno-Telushi

Për momentin, pengesë shikohet kontrata e vlonjatit me klubin kroat të Slaven Belupos. Nëse Telushi arrin ta zgjidhë kontratën me kroatët, nuk përjashtohet mundësia që ai të vishet i kuq në janar.

Përpos mesfushorit vlonjat, më herët janë bërë të ditura edhe disa piketa të tjera të merkatos së Partizanit. Priten dy rikthime, Agustin Torasa dhe Renato Arapi. Gjithashtu është përfolur edhe për një ndihmë nga Igli Tare, i cili mund të huazojë ndonjë nga lojtarët e Lacios që nuk është në planet aktuale të klubit italian.

ILIR CARA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura