Dy kilogramët e kokainës dhe transiti i drogës në Shqipëri

Feb 7, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPËLLUMB NAKO*

Policia e Shkodrës kreu një operacion antidrogë dhe arrestuar një grup personash si trafikantë. Për këtë sukses, për t’i dhënë njoftimin më të mirë të mundshëm publikut, ajo doli menjëherë në konferencë për shtyp. Asnjë kanal televiziv nuk u kursye. Po ashtu, edhe ministri i Brendshëm, nëpërmjet një postimi në twiter, pasoi me falënderime për policinë e këtij qyteti, për suksesin e arritur. Asgjë e shtirë. Gjithçka e përligjur. Por a mjafton?

Në debate të panumërta, ekspertë policie që, për hir të realitetit tonë politikocivil, ndërrojnë portat sa herë ndërrojnë ngjyrat politike, japin shembuj të panumërt të sukseseve të kohës së tyre dhe të dështimeve të kolegëve që në atë moment janë në krye të punëve. Në thelb nuk ka gjë të keqe. Por, kur debati mbetet vetëm në shinat e krahasimit me të shkuarën, ai kthehet në një rreth vicioz dhe nuk të nxjerr në dritë. Publiku merr vesh gjysmë të vërteta ose nuk merr vesh asgjë fare. Ka ardhur koha që debati për suksesin apo mossuksesin e Policisë në luftën kundër drogës të përqendrohet te standardi, tek i cili duhet mbërritur dhe çdo krahasim duhet të bëhet me atë si pikë referimi.

Për rastin konkret, standardi është kapja e burimit të importit të kokainës dhe heroinës e më pas konfiskimi i pasurisë së grupeve kriminale. Institucionet atë punë kanë. Të marrin përgjegjësitë, të diagnostikojnë problemet e më pas t’u japin zgjidhje. Kurse publiku të informohet për të vërteta të plota. Nisur nga rasti në fjalë, në se bëhet një analizë e vogël, gjatë kohëve të fundit do të vihet re se përgjatë një periudhe pak më shumë se dy mujore, kemi raste të shpeshta të fenomenit e trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe konsum të kokainës brenda territorit.

Trafik që niset nga Shqipëria drejt Greqisë ( rasti i Kapshticës nga ana e grekëve me 2 kg heroinë), nga Shqipëria drejt Malit të Zi ( rasti i Murriqanit nga ana e Policisë shqiptare, 1.5 kg heroinë), nga Shqipëria drejt Italisë ( rasti i portit të Barit nga ana e Policisë italiane, 5 kg heroinë) si dhe fenomenin e shpërndarjes për konsum të brendshëm të konstatuar disa raste në Tiranë, Shkodër me 15 doza e Fier 118 doza apo 2 kilogramët e kokainës në Shkodër. Ndërkohë, dihet së Shqipëria nuk është vend prodhues. Pra, transit. Ky intensitet kapjesh në kaq pak kohë, të bën të mendosh se në territorin e vendit tonë së fundmi do të jetë importuar ndonjë sasi heroine dhe kokaine. Ndoshta është ndërtuar edhe ndonjë laborator.

Xibraka është precedent jo shumë i largët. Ky duhet të mbetet shqetësim për Policinë dhe jo i vetmi. Nisur nga shembujt e mësipërm, ajo që bie në sy është fakti se në këto pesë gjashtë vite të fundit, Policia dhe doganat shqiptare nuk kanë kapur asnjë gram heroinë apo kokainë në momentin e importit të saj në territorin shqiptar. Dhe importuesit nuk janë shumë. Po ashtu edhe hetimet e bëra në rastet e kapjeve të më- sipërme nuk janë ngjitur vertikalisht deri tek importi. Thënë me fjalët në modë të kohëve të fundit, ende nuk është mbërritur te peshku i madh.

Tek tregtari i shumicës. Faktorët e mos konstatimit të importuesve mund të jenë të ndryshëm, por ekspertë të antidrogës shqiptare, të zotë profesionalisht por asnjëherë të ngarkuar me detyra drejtuese, i ndajnë në dy grupime të rëndësishme: I pari ka të bëjë me profilin e importuesit. Ai nuk është asnjëherë person dosido. Ka financa të fuqishme, ndaj dhe zyrtarisht zotëron edhe biznese legale, të paktën si mbulim. Dominon biznesi i ndërtimit. Përgjithësisht ka profil të lartë publik. Ai e njeh, sjelljet e tij janë të paqortueshme.

Ndërmjetëson në zgjidhje problemesh të vogla. Sponsorizon sidomos në sport. Bën donacione të majme për njerëzit me pushtet. Lobon për persona që të zënë poste kyçe në administratën publike, sidomos aty ku kanë interesin direkt. Janë afër dhe me lidhje të dukshme me të mëdhenjtë në qeveri. Paguajnë në fushata. Fëmijët i shkollojnë jashtë shtetit ose vetëm në shkolla private. Publikisht, familjarë korrektë. Në lëvizje kanë lehtë- sira.

Ata janë jashtë çdo dyshimi për t’u kontrolluar dhe rastësisht t’u zbulohet malli dhe nëse Policia ka informacione, nuk ka dëshirë, për arsye të lidhjeve dhe profilit që kanë, të shkojë deri tek ata me vetëdije. Goditja e tyre bëhet nga organet e drejtësisë të vendeve të tjera dhe heraherës organet e drejtësisë shqiptare, në vazhdimësi, bëjnë sekuestrime të aseteve të tyre pasurore. Madje, për hir të vërtetës, sekuestrimet pasurore më të mëdha, të kryera nga organet tona, i përkasin pikërisht kësaj kategorie. Po kështu ndodhi edhe me ish- ministrin e Brendshëm.

Megjithëse shumë shtetarë, rastin e tij po përpiqen ta shesin si vullnet për të respektuar drejtësinë, në rast se ai “nuk do të kishte pasur fatin e keq” që problemi t’i konstatohej dhe t’i bëhej publik nga organe ligjore të një vendi, serioziteti i të cilave nuk vihet fare në pikëpyetje nga publiku shqiptar, sot do të ishte duke udhëhequr reforma. Faktori i dytë ka të bëjë me faktin se pak njerëz, në mos vetëm importuesi, ka dijeni për mallin që po hyn në Shqipëri dhe për rrjedhim, informacioni i mundshëm i Policisë është shumë i kufizuar, për mos të thënë i pamundur.

Kontroll nuk u bëhet. Ata janë të njohur dhe jashtë çdo dyshimi. Për çdo rastësi, kanë edhe njerëzit e tyre. Por kur malli i stokuar fillon të shitet, të dy faktorët e mësipërm ndryshojnë rrënjësisht. Personat që e blejnë për ta shpërndarë në vendet fqinjë apo në territorin shqiptar, janë ata të cilët pasi kanë vrarë njëri-tjetrin për larje hesapesh, Policia u bën biografinë dhe thotë se i njeh, se kanë precedentë policor, se u vranë për prishje pazaresh të drogës.

Në hierarkinë kriminale, këta nuk janë peshqit e mëdhenj, aristokracia e krimit. Ata janë “des parvenus” d.m.th persona me origjinë modeste, sjellje rrugaçërore, të pasuruar në mënyrë të rrufeshme, të futur në radhët e peshqve të mëdhenj, por që përsëri shfaqin sjellje rrugaçërore. Profili i tyre publik është i ulët. Ai nuk i do. Policia nuk nguron t’i ndjekë. Përveç tyre janë edhe korrierët, në më të shumtën e rasteve hallexhinj. Personat apo grupet kriminale me këtë profil janë më të shumtë se furnitorët dhe në rivalitet me njëri tjetrin.

Policia e ka mundësinë e marrjes së informacionit shumë herë më të madhe. Ata kapen edhe mbi baza informacioni, edhe mbi bazë kontrollesh të rastësishme. Shkurt, asnjë rast të kapjes së grosistëve të kokainës apo edhe të heroinës. Pra, kjo është sfida që duhet të përballë Policia dhe Prokuroria aktuale, me apo pa marrëveshje bashkëpunimi. Ky duhet të jetë edhe qëllimi i një task-force të vërtetë profesionale.

Specialistët antidrogë më të mirët, të ndershëm, sidomos me besim te shteti dhe të motivuar për t’u përplasur me grosistët e drogës, të grupuar nën drejtimin e një prokurori që njeh mirë çështjet e trafikut të heroinë/kokainës, për një kohë të caktuar, me objektiv identifikimin , shkatërrimin e qendrës apo qendrave që aktualisht po shpërndajnë këto lloj drogërash nga territori shqiptar. Në rast se këta policë besojnë në shtet dhe janë të motivuar, nuk do të kenë nevojë as për rroga të majme e as për pagesa ore shtesë, as për ditë pushimi. Ka plot në polici të tillë. Ndryshe, le të këndojmë së bashku Dalilën : Parole, parole parole.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura