Dy fëmijë të vegjël mes viktimave të aksidentit tragjik në Gjirokastër

Jul 25, 2016 | 10:27
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Përfundojnë tragjikisht pushimet për dy familje. Një oficere e Policisë mbeti e vdekur bashkë me fëmijën e saj disa muajsh, ndërsa një familje nga Prishtina humbi djalin 2 vjeç.

239963

Disa të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për shkak të aksidentit ku u përfshinë mjetet në të cilat udhëtonin. Ngjarja e rëndë ndodhi në kthesën e fshatit Mashkullorë, në orën 14:00, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.

Sipas burimeve policore, dy automjete janë përplasur fuqishëm me njëra-tjetrën aq sa ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe lëndimin e 9 të tjerëve. Makina tip furgon gri, me targa AA760LI, vinte nga jugu, ndërsa automjeti tjetër tip “Nissan”, me targa zvicerane ZH75095, me shtetas kosovarë në bord, po shkonte për pushime.

IMG-20160724-WA00031-640x340

Nga burimet policore, më- sohet se familja kosovare që gjendej në bordin e “Nissan”- it po shkonte për pushime në Ksamil, madje kishin rezervuar edhe dhomën në një prej hoteleve të zonës. Kjo pasi në mjet është gjetur kartëvizita e këtij hoteli me emrin e pronarit sarandjot në të.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë thënë se përplasja ka qenë shumë e fortë, aq sa është dëgjuar në një rreze gati 300 metra. Ndërkohë që Policia e Gjirokastrës ka shkuar në vendngjarje të sqarojë rrethanat e aksidentit në fjalë. Mësohet se në furgon ndodheshin 8 persona, të afërm mes tyre, të cilët po ktheheshin në Tiranë, pas pushimeve në Sarandë. Ndërsa në mjetin me targa zvicerane ndodheshin 4 të tjerë.

Të paktën këto kanë qenë konfirmimet nga burime, nisur nga identiteti dhe dëshmitë e pakta që kanë mundur të marrin nga personat e lënduar më lehtë. Si pasojë e kësaj përplasjeje ka humbur jetën Albana Hasani, 38 vjeçe, nga Fieri e banuese në Tiranë, efektive e Policisë së Shtetit. Ajo udhëtonte në furgonin e drejtuar nga bashkëshorti i saj, Hasan Dedja, ndërsa në krahë mbante fëmijën disa muajsh, Dorjenin.

Mësohet se nëna ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa fëmija ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Gjirokastrës. Pak çaste më vonë ndërroi jetë dhe fëmija 2-vjeçar me origjinë nga Prishtina, Luan Hasanaj. Fillimisht të gjithë të lënduarit janë transportuar me urgjencë për në spitalin e Gjirokastrës e prej andej ata më rëndë u nisën me helikopter për në Tiranë. Pikërisht Leombra dhe Irfan Hasanaj, si dhe fëmija 10- vjeçar, Ened Gjylo, janë dërguar me helikopter, në gjendje të rëndë.

Kirurgët e spitalit të Gjirokastrës, duke parë rëndimin e të tjerëve, nisën me autoambulancë edhe të lënduarit e tjerë, konkretisht: Hasan Dedjan, Gencian Sherifin, Kejdi Gjylon, Entela Gjylon dhe Pajtesa Hasanajn. Ndërsa e vetme në spitalin e Gjirokastrës, ka ngelur Aida Hasani.

Dëshmitari: Shoferi i ra borisë pa pushim

Lelo Metaj, njëri prej dëshmitarëve që është gjendur rastësisht në vendin e ngjarjes, rrëfen për gazetën “Panorama” atë çfarë ka ndodhur në orën 14:00 të së dielës. Sipas tij, goditja ka qenë shumë e fortë, aq sa është dukur sikur ka shpërthyer ndonjë granatë difensive.

Madje, sipas Lelos, nga kurioziteti kanë dalë nga bazeni që shërben për t’u larë aty pranë vendit të ngjarjes të gjithë plazhistët. “Ka qenë një katastrofë e vërtetë. Unë gjendesha këtu para pikës së furnizimit me karburant, sepse prisja një njeriun tim që të vinte e të më merrte nga këtej për në fshat lart (Mashkullorë). Kam qëndruar deri në momentin që ka ndodhur përplasja e madhe. Aty kam parë se çfarë është të drejtosh makinën siç e drejtoi ai djali makinën e zezë (autoveturën ‘Nissan’).

Makina e vogël doli nga korsia e vet dhe u përplas me furgonin që, para se të ndodhte fatkeqësia, i binte borisë pa pushim. Ka qenë kjo bori që mua më tërhoqi vëmendjen dhe menduam se kushedi se çfarë kishte. Kur kam kthyer kokën, ndodhi përplasja”, thotë ai.

“Kam dëgjuar ulërima grash brenda në furgon dhe klithma therëse. Vetura bëri disa salto e përfundoi matanë rrugës, ndërsa furgoni me pasagjerë brenda është përmbysur dy herë dhe ka ardhur prapë në pikën fillestare”.

AKSIDENTI

Të vdekur

Albana Hasani

Dorjen Dedja, (djali)

Luan Hasanaj, 2 vjeç

Të plagosur

Leombra Hasanaj

Ened Gjyli

Irfan Hasanaj, shoferi i veturës

Aida Hasani

Hasan Dedja, shoferi i furgonit

Gencian Sherifi

Kejdi Gjyli

Entel Gjyli

Pajtesa Hasanaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura