Dy familje shqiptare e italiane dyshohen si celula terrorizmi. U zbuluan nga përgjimi i imamit të arrestuar në Tiranë

Jul 2, 2015 | 13:38
SHPËRNDAJE

Një operacion i drejtuar nga Policia italiane, i koduar “Martesë”, ka arrestuar dje në orët e para të mëngjesit 10 persona, 5 prej të cilëve shqiptarë, 4 italianë dhe një kanadeze, të gjithë të dyshuar si pjesë e një celule terroriste.

Nëntë nga të arrestuarit janë pjesëtarë të dy familjeve, shqiptare e italiane, që kishin lidhur krushqi, pasi vajza italiane, Maria Gulia Serxhio, e konvertuar në myslimane me emrin Fatima, ishte martuar me një djalë nga Lushnja, Aldo Kobuzi. 

Personat pjese e listes se organizates terroriste, mes tyre edhe shqiptare

Familjarë të 25-vjeçares italiane, të njohur si “Lady Xhihad” dhe bashkëshortit të saj, janë arrestuar si pjesë e një celule terroriste. Operacioni i koduar “Martesë” është shtrirë në Shqipëri dhe Itali dhe përgjimet zbulojnë se i përfshirë në rekrutime të luftëtarëve për t’u bërë pjesë e Shtetit Islamik është edhe Bujar Hysa, imami i xhamisë së Mëzezit, i arrestuar në Tiranë.

OPERACIONI
Operacioni i koduar “Martesë” i Policisë italiane nisi në zbatim të urdhrave të arrestit të lëshuar nga Gjykata e Milanos, më 29 qershor, duke vënë në prangat pjesëtarët e dy familjeve të lidhur në krushqi mes tyre. Bëhet fjalë për familjarët e Maria Giulia Sergio, apo e njohur ndryshe “Lady Xhihad” dhe të bashkëshortit të saj, Aldo Kobuzi, nga Lushnja.

Maria Giulia Sergio

Të arrestuar janë babai, nëna, motra dhe xhaxhai i vajzës italiane, e cila tashmë ka marrë emrin Fatima Zahra. Në Lushnjë janë arrestuar dy dajat e Aldo Kobuzit, Baki dhe Bledi Çoku, ndërsa është shpallur në kërkim nëna e tyre Donika. Në pranga ka përfunduar edhe shtetasja kanadeze, Bushra Haik, 30 vjeçe, e cila sipas Prokurorisë italiane është koordinatore dhe përgjegjëse e rekrutimit online të grave xhihadiste.

Policia italiane ka publikuar edhe foto të transformimit të 25-vjeçares Maria Gulia Serxhio, që tashmë mban emrin Fatima Zahra, dhe të 23- vjeçari nga Lushnja, Aldo Kobuzi, që ndodhet në Siri dhe tani mban emrin Said.

Shërbimet sekrete italiane mësohet se në vitin 2014 kanë përgjuar një bisedë mes imamit që tashmë është në proces gjyqësor në Tiranë, Bujar Hysa dhe kunatit të Aldo Kobuzit, Marenglen Dervishllari, nga Pogradeci. 

Baki Coku

PERGJIMET
Marenglen Dervishllari është përgjuar nga autoritetet italiane, duke biseduar me imamin e Xhamisë së Mëzesit në Tiranë, Bujar Hysa. Dervishllari i thotë imamit Hysa “Do të dërgoj kunatin tim, i kam dhënë numrin tënd të telefonit.” Marenglen Dervishllari gjen vdekjen në Siri pak muaj më vonë, duke lënë gruan e djalin e sapo lindur. Ministri i Brendshëm, Anxhelio Alfano, tha se operacioni identifikoi një bërthamë të tërë familjare, të lidhur me persona të konvertuar e të bashkuar me luftën e Shtetit Islamik.

“Veçantia e kësaj celule qëndronte në të qenit njëkohësisht i rekrutuar e rekrutues”, u shpreh dje Alfano pas operacionit. Ndërsa prokurori Maurizio Romanelli tha se u identifikua një kanal turk, falë të cilit u zbulua një skenar i tërë.

“Koordinatori që dërgonte luftëtarë në Siri është një person mjaft i rëndësishëm në Shtetin Islamik me lidhje në disa vende europiane. Sot konfirmojmë plotësisht se shqiptari Aldo Kobuzi është shndërruar në një xhihadist të vërtetë”, u shpreh prokurori, duke shtuar se të arrestuarit nuk po përgatisnin atentate terroriste në Itali, por ishin në pritje për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Shërbimet sekrete italiane kanë pohuar prej kohësh njohurinë e tyre mbi prezencën e konsoliduar të rekrutuesve shqiptarë në territorin italian e që veprojnë në zona të ndryshme, si në Lombardi, Toskanë, Lazio e Liguria. Po sipas inteligjencës italiane, “Lady Xhihad” është ndihmuar nga ky rrjet shqiptarësh, me komandë në qytetin e Cërrikut e të Librazhdit, për t’u larguar drejt Sirisë.

Në muajin shtator të 2014, Fatima az Zahra apo Maria Giulia Sergio ka blerë një biletë udhëtimi drejt Turqisë, nga ku lidhjet shqiptare e kanë favorizuar për t’iu bashkuar së bashku me bashkëshortin e saj Kalifatit të Shtetit Islamik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura